Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Azisi poston performancën e Kastros. Komentuesit “e masakrojnë”

April 13
11:51 2016

Të gjithë e mbajmë mend performancën e Kastro Zizos të hënën në “Your Face Sounds Familiar”, ku ai imitoi këngëtarin Azis.

Performanca e Kastros u komentua gjerësisht nëpër portale, pasi pamja e tij kishte ndryshuar krejtësisht, por edhe sepse interpretimi i tij ishte vërtet i mirë. Gjatë kohës që Kastro imitonte Azisin edhe nëpërmjet gjestikulacioneve, publiku u argëtua dhe pati të qeshura të shumta, kjo më pas u përforcua edhe nga mendimet pozitive që juria pati ndaj Kastros, i cili doli fitues i mbrëmjes.

Mesa duket, jehona e këtij interpretimi i ka rënë në vesh edhe vetë Azisit, i cili para pak minutash ka publikuar në profilin e tij në Facebook performancën e Kastro Zizos. Për këtë ai ka shkruar: “Shqipëria është një tjetër vend që ka zgjedhur të imitojë Azisin. Pas Greqisë dhe Rumanisë, ja tek vjen dhe versioni shqiptar. Prej kësaj mund të themi se Azisi është një ndër këngëtarët më të imituar në Europë. “Saint Tropez” duket se i ka dhënë fat aktorit të suksesshëm shqiptar, Kastro Zizo i cili ka dalë dhe fitues i mbrëmjes. Pyes veten, cili do të jetë shteti i radhës që do të imitojë Azisin?”

Edhe pse Azisi ka preferuar të qëndrojë neutral e mos të japë një opinion për sa i përket imitimit që i ka bërë Kastro, komentuesit poshtë videos nuk janë kursyer të shprehen. Siç duket edhe nga shumica e komenteve, të huajt që ndjekin profilin e Azisit nuk kanë të njëjtin reagim pozitiv që pati publik shqiptar për këtë performancë. Në to është shkruar që Kastro ka ekzagjeruar me lëvizjet dhe prekjet, duke i dhënë një imazh tjetër Azisit, ndërkohë që të tjerë janë shprehur se preferojnë më së tepërmi imituesin rumun. Një komentuese shkruan: “Nëse kjo është performanca më e mirë e mbrëmjes, nuk dua të imagjinoj si mund të kenë qenë të tjerat…”. Gjithashtu ka pasur edhe nga ata që kanë komentuar të kënduarit me “playback” dhe jo “live”, siç duhet të jetë në një spektakël të tillë.

Megjithatë, ne e shijuam shumë imitimin e Kastros, u argëtuam duke e ndjekur të hënën nëpërmjet ekranit dhe na pëlqeu fakti që ai u shpall triumfuesi i mbrëmjes. Komentet mbeten relative, ajo çka mbetet absolute është se Kastro ka treguar javë pas jave se di mirë të imitojë gjithçka i jepet nga produksioni.

Azis - Facebook

Azis - Facebook
Picture 1 of 1

Komento
Etiketimet
Shperndaje