Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Aulona & Fatma, “thumbojnë” ndryshe këtë herë

Aulona & Fatma, “thumbojnë” ndryshe këtë herë
August 12
13:36 2016

Emisioni “Thumb” i gazetareve Aulona Musta dhe Fatma Haxhialiu, që të gjithë jemi mësuar ta ndjekim nëpërmjet “Youtube”-it, pas dy vitesh shkëputje do të kthehet sërish, por përveç titullit dhe “thumbueseve” asgjë nuk do të jetë më e njëjtë!

“Thumb”-in, duke filluar nga e shtuna e 13 gushtit, do të mund ta ndjekim në ekranin e “Top Channel”, në orën 20:05. Në një studio të re, i gjithë koncepti i thumbimit e kritikës me anë të ironisë dhe batutës nga ana e gazetareve tanimë ka marrë një formë tjetër, pasi ndryshe nga sa jemi mësuar, emisioni do të zgjasë plot 40 minuta dhe në të do të ketë rubrika të ndryshme të cilat do të jenë jo vetëm informuese dhe të trajtuara me ironi të hollë, por edhe shumë argëtuese.

Në “Thumb”-in e ri do të ketë personazhe të ftuar, të cilët do të dalin jashtë kornizave të profesionit të tyre, do të ketë lojëra, pyetje me spec, madje Aulona dhe Fatma do të marrin prej tyre detaje të reja ekskluzive nga jeta profesionale apo personale.

Me gjithë këto risi, “Thumb” me siguri do të jetë një nga emisionet më interesante e argëtuese për shqiptarët, të cilët jo vetëm do të kenë një zë të përfaqësuar në media, duke qenë se fenomenet kryesore sociale do të trajtohen me mjaft kujdes nga Fatma e Aulona, por edhe do të kenë mundësi të shikojnë personazhet e tyre të preferuar ashtu siç nuk i kanë parë ndonjëherë.

Në këtë miks midis ironisë, batutës, trajtimit serioz të temave delikate, lojërave dhe rubrikave krejt të ndryshme nga njëra-tjetra, nuk mbetet gjë tjetër veçse të presim të shtunën mbrëma dhe të shohim se cilët janë ata që do të “thumbohen” të parët…

Komento
Shperndaje