Blitz | Kliko dhe Informohu

 Breaking News

“American Music Awards”: Fituesit, performancat dhe gjithçka që ndodhi gjatë ndarjes së çmimeve

“American Music Awards”: Fituesit, performancat dhe gjithçka që ndodhi gjatë ndarjes së çmimeve
November 25
10:24 2019

Mbrëmjen e djeshme në Los Angeles u mbajt ceremonia e 47-të e American Music Awards, ose siç i njohim ndryshe AMAs. Ndarje çmimesh për artistët më të mirë të 2019-ës, performanca shumë të mira dhe rikthime të bujshme, kishte nga të gjitha, prandaj po bëjmë një përmbledhje të asaj që u pa (dhe nuk u pa me sy të lirë) nga mbrëmja e muzikës.

Fillimsiht duhet përmendur fakti që ishte viti i vajzave në AMAs, jo sepse kishte ndonjë moment solidarizimi apo lëvizje #metoo në skenë, por për çunat kjo periudhë nuk ka qenë fare e mirë në muzikën pop. Prandaj këngëtaret ishin protagonsitet kryesore, si në marrjen e çmimeve dhe po ashtu në performanca. Sigurisht Ozzy Osbourne u ngjit në skenë, gjithashtu dhe grupi  djemeve “Green Day” për nostalgji, apo Post Malone dhe Travis Scott, megjithatë momentet më të mira nuk erdhën nga ata.

Nuk mungoi për herë të disatë këtë vit ngjitja në skenë e Camilla Cabello me Shawn Mendes, me këngën “Senorita”, ku të dy artistët performojnë gjithë pasion dhe gati sa nuk puthen në skenë, por në momentin e fundit nuk e bëjnë, për të çuar të gjithë ndjekësit të ankohen për këtë fakt në Twitter.

Ciara ishte moderatorja e eventit meqë ra fjala dhe duhet thënë që bëri një punë të mirë. Më të nominuarat e AMAs ishin Ariana Grande dhe Billie Eilish. Kjo e fundit mbërriti në “Microsoft Theater” dhe me veshjen e saj dukej sikur kërkonte që të bëhej meme në internet. Gjë që sigurisht do të ndodhi shumë shpejtë.

Selena Gomez bëri një rikthim të fuqishëm me dy këngë, “Lose You to Love Me” dhe “Look at Her Now”. Megjithatë asgjë nuk shkoi ashtu siç duhet për të pasi stonoi dhe sigurisht fansat nuk i lanë gjë pa i kritikuar.

Lizzo, që mesa duket do të jetë e pranishme në çdo event muzikor përjetësisht tani, këndoi “Jerome”. Dua Lipa përveçse performoi këngën e re “Don’t Start Now”, dhuroi këtë moment romantik në tapetin e kuq.

Taylor Swift ishte fituesja e madhe e mbrëmjes pasi u vlerësua me çmimin “Artistja e Vitit” dhe këndoi disa nga hitet e saj më të mëdha. Sigurisht që bëri atë që pritej, ju drejtua menaxherit Scooter Braun që tani zotëron të drejtat për albumet e saj, por jo me fjalë, me vepra! Veshja që kishte zgjedhur për të performuar kishte të shkruar pikërisht titujt e këngëve të cilat tani janë në zotërimin e Braun, ndërkohë që këndoi dhe projektin “The Man”, këngë që literalisht thotë se nëse Taylor do të kishte qenë burrë, do të kishte arritur gjithçka që donte. E kuptoni vetë d.m.th…

Toni Braxton këndoi hitin legjendar “Un-break My Heart”, Christina Aguilera drithëroi të pranishmit me zërin e saj, duke kënduar “Fall On Me”, ndërkohë që surpriza më e madhe erdhi nga Shania Twain. Artistja e famshme e muzikës country këndoi cover-a të këtyre këngëve të njohura: “Rockstar”, “Stressed Out”, “Shake it Off”, “God’s Plan” dhe “Man! I feel like a Woman.”

Ndërkohë, se u hutuam pas performancave, fituesit e çmimeve kryesore ishin këta:

“Artisti i Vitit” u shpall Taylor Swift (e cila meqë ra fjala theu rekordin për çmimet e marra në AMAs), “Artisti i Ri i Vitit” ishte Billie Eilish, “Bashkëpunimi i Vitit” shkoi për “Senorita”, “Turneu i Vitit” për BTS, “Kënga e preferuar Pop/Rock” shkoi për Hasley “Without Me”, ndërsa ajo Hip-hop/Rap për Lil Nas X dhe Billie Ray Cyrus, “Old Town Road”. /Blitz.al/

Share