Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Adelajda Xhamani: Edhe mua më kanë thënë shpesh fshatare…

Adelajda Xhamani: Edhe mua më kanë thënë shpesh fshatare…
October 27
13:30 2016

Një ngjarje e rëndë ka tronditur opinionin publik, pasi një djalë 17 vjeç i ka dhënë fund jetës. Dyshohet se shkak janë bërë fyerjet e vazhdueshme të shokëve të klasës. Djaloshi nga Berati  kishte dy vite që shkonte në qytet pasi në fshatin e tij nuk kishte shkollë të mesme. Bashkëmoshatarët e mbanin larg pasi e konsideronin “fshatar”. Mesa duket, talljet e vazhdueshme kanë shkaktuar traumë psikologjike tek i riu, i cili i dha fund jetës duke pirë fostoksinë. Historia e këtij djaloshi ka tërhequr vëmendjen e ish-banores së “Big Brother”, Adelajda Xhamani, e cila ka rrëfyer se edhe ajo gjithashtu ka qenë viktimë e talljeve të tilla. Adela rrëfen se madje edhe një ish-shefe e saj i ka thënë se pikërisht sepse ajo është nga fshati nuk duhej të fliste para saj.

“Më mërziti shumë ky lajm. Edhe sot u zgjova me mendjen te ky çuni. Shqiptarëve u kanë hapur dyert e i kanë mirëpritur në shtëpi në të gjithë botën, kurse ne këtu brenda kufijve jo vetëm të shtetit por edhe të lagjes, nuk e pranojmë njëri-tjetrin. Kurrë s’i kam kuptuar njerëzit që shesin mend me prejardhjen. A thua se është arritje që linde aty ku linde e jo se ta caktoi i madhi Zot. Unë kam lindur e jetuar në qytet, kam punuar në fshat, por kurrë në mendjen time nuk kanë ekzistuar të tilla ndasi. Ama akoma dëgjoj të thonë nëpër dhëmbë nëpër pritje “mondane” apo të lexoj në Fb-ra njerëzisht të “shquar” të botës famoze fraza si: “Kur u bë dhe kjo katunarja”. Dikur një ish-shefja ime më tha se kur të fliste ajo unë s’duhej të bëja as “gëk” sepse ajo kishte lindur në Tiranë e unë kisha ardhur nga … (këtu përdori fjalorin e saj qytetar). Sigurisht (sidomos ju që më njihni, mirë e dini) unë nuk e mbylla gojën, por patjetër që u përgjigja dhe me fjalorin tim të edukuar prej njeriu të qytetëruar (çështje niveli). Nejse. Unë sinqerisht këto “batuta” s’i kam konsideruar, madje kam bërë gallatë me paditurinë e këtyre njerëzve. Por sot po mendoja, po të isha 17 vjeçe e të më thoshin përditë “o fshatare” njerëzit më të cilët rri, nuk do më dukej edhe aq gallatë ndoshta.

Ndoshta do ta vuaja, siç ka vuajtur aq shumë ky djalë i cili udhëtonte çdo ditë 40 km se në fshatin e tij s’kishte shkollë e që prej talljeve të shokëve qytetarë piu helmin e hoqi dorë nga jeta. Uroj që historia e tij të bëhet shembull e njerëzit të mbyllin gojën e të hapin mendjen (se i dëgjojnë edhe fëmijët). Ditë të mbarë e me Zotin me vete!”- shkruan Adela në Facebook./Blitz.al/

Komento
Shperndaje