Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

A duhet dënuar me burg Robert Aliaj?

A duhet dënuar me burg Robert Aliaj?
October 18
19:41 2016

Në spektaklin e së hënës mbrëma, “Dance With Me”, tashmë jemi mësuar të shohim debate, ironizime, ngritje zëri, madje edhe fyerje, ndërsa mbrëmjen e kaluar kemi parë përdhosjen e një simboli kombëtar shqiptar – flamurit dhe shqiponjës dykrenare.

Pas performancës së Greta Koçit dhe Nard Ndokës, njëri nga anëtarët e jurisë, Robert Aliaj Dragot, ka nxjerrë një bluzë në ngjyrë të kuqe, të stiluar nga ai, me shqiponjën e ndërthurur me kryqin e thyer nazist në qendër të saj, që ia ka dhënë deputetit Ndoka për ta veshur.

Kjo ka shkaktuar debate në spektakël, madje është ndërprerë edhe transmetimi për disa minuta. Aliaj nuk është mjaftuar me kaq, por ka shpërndarë një status të gjatë në Facebook, si dhe ka rishpërndarë foton e flamurit shqiptar të deformuar.

Kryqi i thyer nazist ose Swastika është cilësuar si një simbol nazist dhe hitlerian, pasi flamuri i Gjermanisë naziste gjatë sundimit të Adolf Hitlerit në vitet 1939-1944 paraqitej me një sfond të kuq e kryq të zi të thyer.

Nuk e dimë se ç’ka dashur të thotë Aliaj me atë veshje e simbol, por dimë të themi se ai përballet me një vepër penale: përdhosja, tjetërsimi dhe prishja e simboleve kombëtare.

Blitz.al ka mësuar nga juristë e avokatë se një gjest a veprim i tillë është i dënueshëm nga Kodi Penal shqiptar, konkretisht nga Neni 268, në të cilin shkruhet: “Poshtërimi, botërisht ose nëpërmjet botimeve apo shpërndarjes së shkrimeve, i Republikës së Shqipërisë dhe rendit kushtetues, i flamurit, i stemës, i himnit kombëtar, i dëshmorëve të kombit ose heqja, dëmtimi, prishja, bërja e padallueshme apo e papërdorshme e flamurit apo stemës së Republikës së Shqipërisë, të ekspozuara nga institucionet zyrtare, përbëjnë kundërvajtje penale dhe dënohen me gjobë ose me burgim deri në dy vjet”.

Nga ana tjetër, Swastika apo kryqi i thyer, paçka se është përdorur për mijëra vite nga indianët dhe hindutë, sot është simbol i racizmit, totalitarizmit, nazizmit, superioritetit të njerëzve të bardhë dhe simbol i holokaustit. Në shumicën e vendeve europiane, si Gjermani, Austri, Zvicër etj., ky simbol është i ndaluar dhe i dënueshëm, kurse BE ka vite që bën përpjekje të vazhdueshme për ta ndaluar përgjithmonë përdorimin e Swastika-s.

Blitz.al ka kontaktuar me moderatoren dhe një nga producentet e “Dance With Me”, Alketa Vejsiun, e cila është pyetur nëse ishte në dijeni të asaj që do të bënte Aliaj gjatë spektaklit.

“Besoj se përgjigjja dhe reagimi im e motivon mirë qëndrimin dhe faktin që s’mund të isha në dijeni dhe për më tepër të isha pjesë e skenarit”, – është shprehur Vejsiu.
Ndërkohë, për sa u përket masave që do të merren ndaj anëtarit të jurisë, moderatorja ka preferuar mos të përgjigjet.

Nuk e dimë nëse kjo është një mënyrë që Dragot të tërheqë vëmendjen e audiencës, pasi kemi parë që të gjitha debatet dhe “ngritjet” e toneve që bëhen “live” sheshohen pas kuintave, por përdhosja e simboleve kombëtare nuk mund të jetë kurrsesi një show mediatik apo pjesë një spektakli kërcimi. Ah, po! Përdhosja e flamurit kombëtar apo bashkimi me një simbol nazist nuk tregon as patriotizëm, siç përpiqet ta shesë Aliaj, as nacionalizëm!

Nëse në vende të ndryshme në Europë, të rinj janë arrestuar sepse kanë vizatuar simbole naziste e fashiste nëpër mure, ç’ndodh kur një simbol identifikues i nazizmit shfaqet në ekranin e një televizioni kombëtar dhe për më tepër bëhet njësh me flamurin kombëtar?

/Blitz.al/

nardi-ndoksz_1476797876-8562166

Shperndaje