Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

A bëhen nostalgjikë VIP-at kur dëgjojnë duetet me ish-at?

A bëhen nostalgjikë VIP-at kur dëgjojnë duetet me ish-at?
November 26
14:51 2016

Është e vërtetë që nuk janë më bashkë, ama i kanë lënë vetes dhe mbi të gjitha neve këngë fantastike dhe shumë të bukura. E kemi fjalën për çiftet e famshme të showbiz-it, që kanë qenë dikur të lumtur, por i kanë dhënë lamtumirën njëri-tjetrit. Vetëm për një gjë jemi kuriozë të dimë, a bëhen ata nostalgjikë për të dashurat/dashurit e tyre kur i dëgjojnë edhe vetë këto këngë?

Flori Mumajesi dhe Soni Malaj

Ishte viti 2007 kur në “Kënga magjike” u prezantua një baladë shumë e bukur dashurie, “Fluturimi 3470”. Suksesi ishte i garantuar sepse, përveçse kënga ishte shumë e ndjerë (e kush nuk e ka provuar një marrëdhënie në distancë), kishte për protagonistë edhe dy këngëtarët më të përfolur të momentit, kantautorin Florian Mumajesi dhe këngëtaren Soni Malaj, të cilët kishin nisur një marrëdhënie dashurie. Balada fitoi vendin e dytë në KM, por vazhdon të mbetet ende e paharruar, ashtu siç mbetet e paharruar edhe puthja që Flori i dha Sonit “live”.

Stine dhe Adelina Berisha

“Dashuria fillon”… por edhe mbaron … Është kjo kënga e krijuar nga kantautori Ernest Duka, i cili vjen në këtë bashkëpunim me ish-të dashurën e tij, Adelina Berisha. Ndonëse nuk kanë folur për lidhjen e tyre, kantautori nga Shqipëria dhe këngëtarja kosovare kanë qenë në një marrëdhënie të gjatë dashurie. “Ti je e imja ndaj dhe unë shumë të du… kur të më kërkosh unë do jem këtu”. S’e dimë sa i ruajnë kontaktet këngëtarët dhe a kanë mbetur miq me njëri-tjetrin, ama në këngë kanë bërë shumë premtime.

Tuna dhe Noizy

“Zogu më i mirë prej krejtve” ka qenë e dashura e reperit Noizy dhe kanë realizuar edhe një këngë së bashku. Ajo titullohet “Bebi i vitit të ri”, me muzikë të Darko Dimitrov, ku përcillet atmosfera e festave të fundvitit.
Tuna dhe Noizy, të cilët nuk e bënë kurrë publike historinë e dashurisë, e kanë ruajtur këtë gjë edhe  në klip duke mos u shfaqur në asnjë plan së bashku. Kënga është publikuar në dhjetor 2011, por pesë vjet më pas Tuna dhe Noizy jo vetëm që nuk flasin, por janë armiq me njëri-tjetrin. Në këtë drejtim nuk besojmë se duhet të kenë nostalgji. Por s’mund të themi të njëjtën gjë për marrëdhënien e saj me reperin, Cozman. Ata i dhanë fund lidhjes së tyre pak kohë më parë, pa dashur ta përflasin historinë e tyre të dashurisë. Megjithatë bashkë do t’i lidhin përgjithmonë dy këngë, “Fenix” dhe “Hola”.


Rozana Radi dhe MC Kresha

Edhe ata e kanë një këngë kujtim, “Jaba daba du” e prezantuar në “Kënga magjike 2011”. Rozi dhe Kresha bashkëjetuan për një kohë të gjatë, por më pas lidhja e tyre përfundoi. Kënga “Jaba daba du”, përveç “Këngës magjike”, ka edhe një klip, i cili është realizuar në Kosovë dhe që u pëlqye shumë asokohe. Fabula e këngës tregon për historinë e një çifti që dikur kanë qenë bashkë, por më pas vajza nuk ia hap derën djalit pasi ai e ka tradhtuar me shumë femra. Urojmë që mos të ketë qenë kjo arsyeja e ndarjes së Rozanës dhe Kreshës, megjithëse besojmë se ata do kenë mbetur miq të mirë.

Dafina Zeqiri,  Ledri Vula dhe Dj Blunt

Dafina Zeqiri, e cila përveç talentit është përfolur gjithnjë edhe për lidhjet e saj, nuk ka ngurruar të realizojë edhe këngë me të dashurit e saj. Paralajmërimin e parë me Ledri Vulën e bëri me këngën “Po m’pëlqen”,  për të vijuar më pas me super hitin “Tonight” dhe me këngën “Got ur back”. Të tria këngët me reperin i rezultuan Duffy-t shumë të suksesshme dhe që vazhdojnë të dëgjohen edhe sot e kësaj dite. Por pas ndarjes me Ledrin ajo u lidh me një tjetër emër të njohur të showbiz-it, Dj Blunt. Në projektin “Veç me të pas ty”, Dafina dhe Dj Blunt kanë qenë në një marrëdhënie dashurie, të cilën nuk e kanë pranuar asnjëherë. Me Ledrin e kemi parë që Duffy të ruajë ende një raport shumë të mirë shoqëror, ashtu sikurse edhe me Dj Blunt.


Getoar Selimi dhe Nora Istrefi 

Thonë se Nora Istrefin e ka krijuar Getaoar Selimi, me të cilin këngëtarja ka pasur edhe një marrëdhënie dashurie. “Nuk dua” dhe “Muzika jonë” janë dy nga këngët që çifti i ka kënduar së bashku. Ata kanë qenë të lidhur shumë vite më parë dhe kur e mendon duhet të kenë qenë një çift shumë i lezetshëm. Të dy kanë aktualisht lidhjet dhe familjet e tyre dhe historinë e tyre të dashurisë e kanë lënë pas krahëve.

Komento
Shperndaje