Blitz | Kliko dhe Informohu

 Breaking News

7 sugjerime librash të cilët këtë panair duhet t’i bëni pjesë të bibiliotekës suaj

7 sugjerime librash të cilët këtë panair duhet t’i bëni pjesë të bibiliotekës suaj
November 13
14:01 2019

Panairi i librit është një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit ku shtepitë botuese bashkohen për të prezantuar botimet e një viti pune. Çdo vit ne mezi presim panairin gjithmonë më shumë dëshirë sepse eshte  një mundësi për tu njohur më shumë tituj të rinj. Një alternativë e mirë  është që të bëni një listë paraprake se çfarë doni të blini në mënyrë që të mos përfundoni duke bërë blerje të nxituara. Për këtë arsye, ne kemi vendosur t’ju vijmë në ndihmë duke ju njohur me titujt më të rinj . Është e pamundur të vizitoni panairin e të mos ndaleni në stendën e Pegit, një nga shtëpitë botuese më cilësore dhe që sjell botime të shumëpritura nga lexuesit. Ne ju njohim me 7 nga  librat që nuk duhet t’i humbisni këtë vit nga kjo shtëpi botuese.

“Ora e Ligë” vjen si romani i tretë i gazetarit Enkel Demi, i cili në botimet e tij letrare përfaqësohet me emrin Tom Kuka. Sali Kamati, shtyrë nga zakonet e vendit, niset të marrë gjakun e të vëllait të vrarë nga Çelo Mezani. Në një duel të egër burrash, Kamati e shtrin Çelon me një të shtënë, por kënga e do që ta vrasë me goditjen e tretë. I bindur që tashmë është me një këmbë në varr, Sali Kamati niset të ujdisë të gjitha punët e kamjen e vetë që kur t’i vijë ora e vdekjes, ta lërë çdo gje prapa të rregulluar. Por, kur në shtëpinë e tij vjen si mysafire mbesa e së shoqes, Tusha, vatra familjare mbushet me frymë të re, gaz e hare, gjë që ia çel zemrën e i jep jetë të zotit të shtëpisë. Megjithatë, urrejtja, turpi e thashethemnaja do t’ia mpakin aq shumë ngazëllimin sa të mos të dijë t’i japë udhë as zemrës, as mendjes. Një përzierje e atmosferës epike e lirike, Tom Kuka e shtyn rrjedhën e rrëfimit në një epokë të largët, në gjenezë të motit. Me një gjuhë kuteliane, ku përzihen atmosfera epike dhe ajo lirike, vdekja dhe dashuria, paragjykimi dhe liria, idhnimi dhe ngrohtësia, magjia dhe mallkimet, sutat dhe figura mitologjike, Tom Kuka e shtyn rrjedhën e rrëfimit në një
epokë më të largët se te “Gurët e vetmisë”, në gjenezë të motit.

“Artist i botës fluturake” na vë përpara dilemave morale të artistëve në një botë që është përherë në ndryshim e sipër.
Masuxhi Ono është një artist japonez, piktor, tashmë i dalë në pension, i cili ka humbur të birin dhe të shoqen gjatë Luftës së Dytë Botërore. Tashmë, i qetë dhe babaxhan, jeton me të bijat, i përkushtohet të nipit si një gjysh i mirë dhe kopshtit të shtëpisë së tij të bukur. Në pamje të parë, asgjë nuk i trazon ujërat e kësaj pleqërie të bardhë. Mirëpo, bisedimet për martesën e vajzës së
dytë, sipas zakoneve japoneze, do të nxjerrin në pah kujtime dhe shqetësime të së kaluarës së tij. Në rininë e tij, si djalosh i talentuar në pikturë, por edhe krenar e i vëmendshëm ndaj mjerimit ku ishte zhytur vendi, artisti Masuxhi Ono, nuk dëshironte t’ia kushtonte artin e tij vetëm kremtimit të bukurisë fizike, asaj “botës fluturake” të jetës së natës, qejfeve dhe zdërhalljeve me miq e geisha. Në vend të kësaj, ai e vuri artin e tij në shërbim të lëvizjes imperialiste që e shpuri Japoninë drejt Luftës së Dytë Botërore. Mirëpo, zgjedhjet e tij gjatë luftës, të volitshme për atë kohë, kanë lënë gjurme në sytë e kolegëve dhe miqve, duke ia cenuar reputacionin. Megjithatë, plaku, duke menduar se ka vepruar në të mirë të vendit, nuk e kupton zemërimin dhe përbuzjen ndaj tij. Atij i duket sikur jeton në një botë krejt të huaj dhe i vetmi realitet për artistin mbetet idealizimi i vetvetes, jeton me këmbëngulje dhe nuk arrin të bëjë hesapet me përgjegjësitë e veta.

“Kujtimet e një karrigeje” është vëllimi i dytë me tregime erotike shkruar nga Edmond Tupja. Në to hulumtohen me finesë marrëdhëniet intime dhe dashuria fizike, të cilat shpesh fshehin përmbajtje filozofike dhe shpirtërore. Intimiteti pervers i dikastereve të dikurshme, që nuk kufizohet vetëm në nënshtrimin apo poshtërimin e nëpunësve të vegjël nga eprorët e lartë, rritja dhe zbulimi seksual i vetvetes në moshën e adoleshencës, përballja me trupin, dëshirat, epshet e kontrolluara dhe të pakontrolluara, zbulimet fetishiste thjesht e vetëm për hir të joshjes së seksit, befasia dhe ngasja e një nate të vetme, ngërçi psikologjik i burrave të tradhtuar apo pasojat e një adoleshence të dhunuar trajtohen me një gjuhë të hapur dhe mbështillen me tisin e  erotizmit herë brutal e herë të sofistifikuar.

Charles Bukowski vjen dhe një herë më pranë lexuesit shqiptar me romanin “Hollywood”. Në romanin “Hollywood”, Henri Çinaski, alteregoja e Bukowski-t, tashmë i famshëm, ftohet të përshtatë në skenar filmi një libër të tij gjysmëautobiografik. Me shumë dyshime, ai pranon dhe sakaq bëhet pjesë e vorbullës së quajtur Hollivud, me paradën e pafund të personazheve eksentrike e të përkëdhelura: producentë, artistë, aktorë, regjisorë dhe gazetarë. Në këtë botë, ideali artistik i librit dhe i filmit ka humbur për shkak të parasë dhe Çinaski mezi arrin të ndjekë ritmet e çmendura të jetës hollivudiane. Romani bazohet në përvojën e vërtetë të Bukowski-t si skenarist i filmit “Barfly”. Me stilin e tij realist dhe të ftohtë, Bukowski çjerr maskën e përciptë të botës së spektaklit, makutërinë pas parasë dhe hipokrizinë e shkëlqimit të rremë.

“Ai sa kish mbushur të shtatëmbëdhjetat” është një vëzhgim i hollë dhe intim për të hedhur dritë në një prej historive më të pazakonta të dashurisë, asaj mes
Brigitte dhe Emmanuel Macron.
Ajo ishte mësuesja e letërsisë, ai ishte nxënësi i saj. Ajo ka të shoqin, tre fëmijë adoleshentë, një jetë provinciale, në dukje borgjeze. I pëlqejnë shkrimtarët e mëdhenj dhe dëshiron të bëhet shkrimtare. I pëlqejnë minifundet dhe këmbët e saj. Djaloshi i duket i shkëlqyer dhe kërkon të martohet me të. Ajo quhet
Brizhitë dhe ai Emanuel. Brizhitë Tronjo u martua për herë të parë në Tuke. 33 vjet më vonë, për martesën e dytë, ajo ka zgjedhur të njëjtin vend si për të parën, Tukenë. Të njëjtën sallë martesash, në bashkinë që duket si kështjellë mesjetare angleze. Prindërit e Emmanuel Macron-it do t’i kërkojnë të mos takohet më me djalin e tyre. “Ata janë në një moshë me Brigitte-n dhe fakti që ai niset për në Paris, i lehtëson shumë. Për ata, kjo histori i kalon caqet e marrëzisë” shkruan autorja.

 

Romani i sjellë në shqip nga Shtëpia botuese “Pegi” “Të bukur dhe të mallkuar”, botuar për herë të parë më 1922, është romani i dytë i shkrimtarit F. Scott Fitzgerald. Ai eksploron dhe portretizon shoqërinë e lartë amerikane nëpërmjet dy personazheve, aspirantët aristokratë të Periudhës së Jazz-it, Antoni dhe Gloria Paç. Që të dy, burrë e grua, personifikojnë shoqërinë e zvetënuar njujorkeze të viteve ’20, të shekullit të kaluar: janë të pashëm, sipërfaqësorë, në kërkim të kënaqësive dhe vanitetit.

 

Romani “Përçmimi” u botua për herë të parë më 1954 dhe përfaqëson një prej etapave kryesore të rrugëtimit e kërkimit të Alberto Moravia-s në botën e borgjezisë italiane të shekullit të kaluar.

Në qendër të ngjarjeve qëndron një çift. Rikardo Molteni është dramaturg në profesion, por për shkak të shtrëngesave ekonomike të familjes është i detyruar të punojë si skenarist kinematografik, ndërsa e shoqja, Emilia, ish-daktilografiste, është e dashuruar pas zotërimit të një shtëpie. Në një Romë borgjeze të viteve ‘50, Rikardo rrëfen se si ndryshojnë ndjenjat e të shoqes ndaj tij, kur në skenë futet bota e kinemasë, e karrierës dhe suksesit. Në krye, ato zbehen dalëngadalë derisa mbërrijnë në atë përçmim të dhembshëm, që ngjan i pakuptueshëm qoftë në sytë e protagonistit, qoftë në ata të lexuesit, por që sidoqoftë, Moravia e zgjedh si titull të librit. Sepse pikërisht përçmimi, i prekshëm në dialogët mes çiftit, do të kthehet në personazh dhe do të ndryshojë rolet e protagonistëve, madje do të bëhet ai vetë protagonist, motor prej të cilit lind çdo veprim dhe reagim i tyre.
Miti i “Odisesë” dhe kthimi i Uliksit në shtëpi te Penelopa do të shndërrohet në një përballje dhe analizë të hollë mes qytetarisë dhe barbarizmit, mes normave të nderit dhe njeriut modern.

/Blitz.al/

 

 

 

 

Share