Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

“50 hijet e Flor Mumajesit”! Nga romantik i pashembullt, në rebelin moskokëçarës…

“50 hijet e Flor Mumajesit”! Nga romantik i pashembullt, në rebelin moskokëçarës…
July 14
12:03 2017

Nëse ka një periudhë kur publiku është vërtet i paduruar për të shijuar këngët e reja, të cilat do t’i shoqërojnë për të paktën 3 muaj të nxehtë, është pikërisht vera.

Temperatura të larta, dëshira për t’u rebeluar, flirtet alla histori verore, nuk mund të përjetohen kurrsesi pa një sfond muzikor që e bën adrenalinën të shpërthejë.

Janë të shumtë këngëtarët që pak para fillimit ose gjatë këtij sezoni publikojnë këngë të reja me qëllimin për t’i shndërruar në refren…

Nëse ekziston një artist i cili di të flirtojë kaq mirë me notat muzikore, ndërkohë që nuk e lë këtë ‘marrëdhënie’ të bjerë pre e temperaturave të larta, por e mban të freskët në maksimum, është pikërisht Flori Mumajesi.

2 janë këngët e publikuara prej tij brenda muajit të fundit, “Në shpirt” në bashkëpunim me reperin e shumëkërkuar Elinel, si dhe seria e 3-të e “Nallane”, këtë herë edhe me Arilena Arën.

E pra, 2 javë e ndajnë Florin nga ai romantiku të cilin e pamë me këngën “Në shpirt” me Florin rebel që merr shoqërinë në makinë dhe i çmendin të gjithë me “Nallane 3”. Kjo për t’iu përshtatur të gjitha shijeve, të gjithë atyre dëgjuesve që në varësi të situatave personale ta gjejnë gjithnjë veten në notat muzikore.

E nisi qetë me Elinel, për të kaluar te një çmenduri të cilën askujt nuk ia merrte mendja.

Pa reklamë, pa ‘trailera’ 2 muaj para të cilët e shndërrojnë këngën në hit ende pa dalë, Flori, DJ Vicky dhe Arilena lajmëruan dhe lançuan “Nallane 3” brenda 1 dite, thirrje së cilës publiku iu përgjigj menjëherë, duke e klikuar mbi 1 milion herë në vetëm 2 ditët e para.

E çfarë na duhet më tepër?

Jemi në verë, plazhi është aty, adrenalina na ngacmon… nuk mbetet gjë tjetër veçse të thërrasim “50 hijet e Florit” sa herë të kemi nevojë për pak atmosferë. E me aq sa e njohim Florin, këtë stinë nuk do të ndalet me kaq. /Blitz.al/

Shperndaje