Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Eksperti i ngrohjes globale, James Hansen, paralajmëron përkeqësim

Eksperti i ngrohjes globale, James Hansen, paralajmëron përkeqësim
March 22
11:39 2016

 

Ngrohja globale mund të rrisë nivelin e deteve me disa metra brenda shekullit që po jetojmë. Një raport i publikuar nga një specialist i çështjes së ngrohjes globale, James Hasen, i cili punon edhe për NASA-n, ku është konsideruar si babai i fushatës për ngrohjen globale, ka alarmuar publikun.

Puna e tij kërkimore u publikua në fletoren e Fizikës dhe Kimisë dhe iu referua kushteve klimatike të së shkuarës, vrojtimeve të tanishme dhe modeleve të pritshme të së ardhmes për sa i përket shkrirjes së akujve në Antarktidë.

Sipas raportit, brenda 50 deri në 150 vite niveli i ujit do të rritet me disa metra. Prej kësaj, qytete si Nju Jorku, Londra, Rio, Shangai do të kenë rrezik të lartë përmbytjeje deri në 2100-n. Autori Hansen, së bashku me 18 kolegë, druhen se njerëzimi do ta ketë të pamundur të adaptohet me kushtet e reja të klimës aq sa do të krijohet një kaos total.

Ata përmendin gjithashtu faktin se shkrirja aktuale e akujve është duke i luhatur balancat e qarkullimit të ujit, sidomos afër poleve. Uji i ftohtë i shtuar si pasojë e shkrirjes, në qarkullimin e të ngrohtës së Atlantikut të veriut, mund të sjellë një sërë tragjedish të njëjta si uragani “Sandy”, që bëri mjaft dëme në 2012-n në Nju Jork.

James Hansen ka qenë edhe më parë i përfshirë në fushatën e sensibilizimit të njerëzve mbi ngrohjen globale, por me alarmin që ka dhënë së fundmi, ai mendon se është koha për t’u shqetësuar seriozisht sepse në rast se nivelet e CO2 nuk ulen në atmosferë, atëherë brenda pak kohësh do të vihet në pikëpyetje gjithçka kemi ngritur deri tani.

Shperndaje