Blitz | Kliko dhe Informohu

 Breaking News

Zemrat Kuq e Zi (Nga Marin Mema)

Zemrat Kuq e Zi (Nga Marin Mema)
June 15
13:55 2019
New York u vesh Kuq e Zi ndërsa mijëra zemra mërgimtarësh shqiptarë u derdhën në Manhatan, në tokën e lirisë, në tokën e miqve tanë më të mëdhenj, SHBA-ve për të treguar se bashkë jemi më të fortë, se bashkë asgjë nuk është e pamundur. Është e vështirë të përshkruash ndjesitë e gjithësecilit prej tyre, nga përmallimi, dashuri, krenari. Të gjitha bashkë mund t’i prekje tek shqiptarët, ashtu si vetëdijen se Shqipëria ka mundësi shumë herë më të mëdha sesa e kanë lënë të tregojë deri më sot. Ata presin, kërkojnë, ndjejnë, ndoshta sepse edhe në vendin më të fuqishëm në botë, dashuria për vendin tënd, për kombin, rrënjët, është e jashtëzakonshme dhe e pashlyeshme.
 
Me thirrjen “Jo hakmarrje, por drejtësi” u përkujtua 75 vjetori i masakrave në Çamëri. Pa pjesëmarrje të politikanëve shqiptarë (sepse ata nuk ishin të ftuar) ngjyrat e vetme ishin ato më të bukurat në botë, Kuq e Zi!

Ky nuk duhet të jetë një rast i izoluar, shqiptarët kërkohet të jenë bashkë kudo, në çdo vend ku jetojnë, e po kështu në Shqipëri ku shumëçka duhet të ndryshojë. Duhen lënë përçarjet, inatet, konfliktet, ndarjet politike sepse jeta është shumë e shkurtër për të mos u përpjekur sot për vendin tonë dhe të ardhmen e tij. Këtë ide e percepton lehtësisht brenda atyre mijëra pjesëmarrësve, zemrave e shpirtit të tyre. Ai bashkim prej mijëra njerëzis është në fakt një lloj proteste e shprehur përmes dashurisë për vendin, përmes dëshirës që e ardhmja të jetë më e mirë, më e fortë dhe që shqiptarët të ngrenë kokën e të shohin para pa u ndrojtur ballë askujt.

Është koha të kuptojmë forcën tonë sepse askush nuk do të na falë asgjë, jo vetëm ata që nuk pranojnë krimet e kryera, por edhe ata që krimet i bëjnë çdo ditë mbi shqiptarët brenda Shqipërisë pa dallim ngjyrash.

Do të jem përjetësisht i nderuar që isha marshalli i madh i kësaj parade të jashtëzakonshme!

Atë që nuk ka për ta bërë kurrë politika e bënë një grup vullnetarësh me zemër e shpirt shqiptar, e bënë mijëra pjesëmarrës që donin të tregonin kulturën e tyre mes madhështisë se qiellgërvishtëseve. Askush nuk do të mundej dot t’i përshkruantr si duhej ndjesitë në një eveniment të tillë! Thjesht një madhështi!

Nuk ka asgjë më të bukur se sa të shohësh ngjyrat e flamurit tënd, kombit tënd të shkrihen si në një det Kuq e Zi!/Blitz.al/

Share