Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Vera, vaji “italian” dhe salcat “spanjolle” që konsumonin ilirët- Nga Marin Mema

Vera, vaji “italian” dhe salcat “spanjolle” që konsumonin ilirët- Nga Marin Mema
June 27
17:12 2019
Ekonomia e Ilirisë së Jugut gjatë shekujve III-I p.e.s. mbart karakteristika interesante në drejtim të prodhimeve të importit. Përpos prodhimeve lokale, të cilësive dhe llojeve të ndryshme, me interes janë të dhënat që studiuesit sjellin mbi importet e konsumit me rëndësi të veçantë, sikurse vera dhe vaji.
Në një artikull shkencor mjaft interesant të arkeologut Saimir Shpuza evidentohen të dhëna sa i takon këtij aspekti ekonomik në Ilirinë e Jugut. Të dhënat e analizuara i referohen materialit të pasur amforik të përftuar nga gërmimet e kryera në qendrat kryesore si Bylisi, Shkodra, Apollonia, Durrësi, Finiqi, por edhe nga Dimali, Margëlliçi dhe Treporti.
Së pari, duhet sqaruar se periudha historike e cila trajtohet në këtë shkrim, sikurse e cilëson autori Shpuza, përkon me kohën kur prodhimet qē vinin nga gadishulli Italik po përhapeshin në masë drejt tregjeve provinciale. Një gjë e tillë ndodhi ndër të tjera edhe në një sfond të caktuar gjeopolitik. Është fjala për krijimin e provincës romake të Maqedonisë në vitin 148 p.e.s., gjë që do të nënkuptonte një paqe relative, të siguruar nga Roma në Adriatik, pasi kishte eliminuar dinastitë ilire, maqedonase si dhe zhdukur piraterinë. Njëkohësisht edhe afërsia mes Gadishullit Italik dhe brigjeve ilire krijuan kushtet ideale për rritjen e shkëmbimit të mallrave përmes Adriatikut.
E pra, mesaduket romakët e vendosur që në shekullin e II p.e.s. në Iliri luajtën dhe rolin kryesor në futjen e verës italike në këto territore. Duhet kujtuar se vetë ilirët ishin prodhues të vjetër të verës dhe njohës shumë të mirë saj, por presioni i pushtimit ka krijuar mesaduket kufizime te forta për prodhimin vendas.
Sipas arkeologut Shpuza, nga vëzhgimi i përgjithshëm që na ofrojnë amforat vihet re se pjesa më e madhe e importit të verës është me origjinë nga Italia e jugut. Vetëm gjatë shekullit të I p.e.s. fillojnë importet edhe nga Italia e veriut, ndërkohë që importet e vajit janë shumë më të pakta krahasuar me ato të verës. Përveç amforave, në transportin e verës dhe vajit, kanë ekzistuar edhe mjete të tjera. Autori i antikitetit Straboni shprehet se Ilirët e transportonin verën me fuçi druri të cilat më pas i vendosnin nëpër qerre dhe këtë mall e shkëmbenin me skllevër, kafshë dhe lëkurë kafshësh.
Përgjatë kësaj periudhe mesa duket se shënohet edhe një risi në gamën e produkteve të importuara. Paralelisht me importet e vajit dhe verës në qytetet e Ilirisë së jugut vihet re edhe importi i salcave të peshkut. Në bazë të origjinës së amforave që mbartnin këtë lloj produkti duket se furnizuese kryesore ishte territoret e Spanjës së sotme. Ky fakt është më i dukshëm në qytetet e Shkodrës dhe Durrësit. Salcat kryesore që njiheshin në botën romake ishin garum, allec, muria dhe liquamen.
Autorët antikë flasin shumë për këto lloj salcash, sidomos për garum-in që konsiderohej si një produkt shumë i shtrenjtë të cilin vetëm të pasurit mund ta blinin. Duke marrë parasysh këtë të dhënë nga autorët antikë mund të shpjegojmë sasinë e paktë të këtij prodhimi në territorin ilir, vetëm në qytetet ku kishte një elitë të pasur. Sidoqoftë, megjithëse e pakët në sasi, prania e këtyre prodhimeve të veçanta tregon për hapjen e tregut ilir edhe ndaj prodhimeve të tilla të sofistikuara që nuk njiheshin më parë por që ndërkohë po merrnin rëndësi në gjithë tregun romak.
Mund të themi me siguri se vera dhe vaji, nësoj si sot, kanë qenë prodhime të rëndësishme edhe në antikitet. Përveç rolit të tyre bazik, ushqimor, ato luanin edhe role të tjera kryesore si psh., vera përdorej në ceremonitë fetare, mortore dhe në mjekësi, ndërsa vaji për parfume, në mjekësi, për ndriçim,etj. Kjo shumëllojshmëri funksionesh bënte që në treg të kishte një kërkesë të vazhdueshme për të dyja këto prodhime./Blitz.al/
Komento
Shperndaje