Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Varri i krajlit

Varri i krajlit
October 18
12:20 2017

Nga Marin Mema

 

Jo larg Leskovikut mbi një gur gonglomerat, gjëndet i gdhendur një varr që banorët e identifikojnë si varri i krajlit . Toponimia sllave nuk duhet marrë si referencë sa kohë dyndjet e këtyre të fundit kanë bërë një ndryshim të njohur të emërtimeve edhe në këtë hapsirë. Po atëherë i kujt ishte ky varr mbretëror ? Ciles periudhë i perket ? Çfare fshihet pas tij ?

Në fakt këto lloj varresh që janë të tipit sarkofag nuk bëheshin për njerëz të zakonshëm, por lidheshin me individë të një rëndësie të veçantë.  Në një mënyre ose në një tjetër kjo tregon se në këtë zonë ka jetuar një fis i njohur ilir, i cili kishte në krye një prijës fuqiplotë e të shumënderuar.

Burimet e kohës saktësojnë se në këto territore përreth Vjosës ku përfshihet edhe Leskoviku jetonin Parauejt dhe Tynfejt. Dy princër nga këto fise ilire sëbashku me ushtritë e tyre citohen nga historiani i antikitetit Tukididi të kenë marrë pjesë në betejat e mëdha të Peloponezit në vitet 431 – 404 para erës sonë. A mund të jetë pra ky varr i një pjestari të lartë të këtyre fiseve ? A tregon kjo se kryeqendra e Tynfejve, qyteti Egin gjëndet në nje nga kalatë përrethmi Leskovikut?

Profesor Skënder Aliu një ndër arkeologët me eksperiencë dhe njohës i mirë i këtyre territoreve mendon se qyteti i Eginit duhet identifikuar me kalane e Vrëpckës në Leskovik. Ai është një fortifikim i veçantë në llojin e tij, edhe pse studimet e mirëfillta e kanë lënë jo pak mënjanë, duke e kthyer më shumë në prenë e trafikantëve sesa të arkelogëve.

Sigurisht për të konfirmuar plotësisht këtë teze siç thekson profesori duhet një material epigrafik i cili do të vuloste përfundimisht faktin se qyteti i Eginit gjëndet në këtë  hapsirë , e nga krahu tjetër do të hidhte më shume dritë mbi këtë varr enigmatik mbretëror. Me shumë gjasa ai është plaçkitur shekuj më parë, megjithatë ky monument për fat i ka shpëtuar dëmtimeve dhe mund e duhet të jetë pjesë e studimeve të thelluara që do të përcaktonin saktësisht e shkencërisht historinë enigmatike të tij. /Blitz.al/

 

 

Shperndaje