Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Tirana, kryeqyteti i panjohur

Tirana, kryeqyteti i panjohur
October 24
14:29 2016

Nga Marin Mema

Tirana është konsideruar gjithmonë një qytet me histori të re, që nis vetëm me themelimin zyrtar në 1614-n nga Sulejman Pashë Bargjini. Por çfarë fsheh kryeqyteti? Cila është historia që ende qëndron në zonat përreth? Ku shkojnë gjurmët e hershme të tij dhe a e njohim ne sa duhet kryeqytetin tonë?

Variantet e dhëna për Tiranën nga historianët, studiuesit dhe arkeologët janë të shumta. Disa thonë se emri rrjedh nga fjala “Theranda”, e përmendur edhe në burimet e lashta greke e latine. Të tjerë nga “Tirkan”, që ka qenë dikur një kështjellë, ndërsa ka edhe një tjetër variant që e lidh emrin Tiranë me fjalën që rrjedh  nga greqishtja e vjetër, “Tyros”.

Marin Barleti përmend Tiranën e vogël dhe atë të madhe që në shekullin XV, ashtu siç emri përmendet në të njëjtin shekull në dokumentet venedikase dhe ato osmane. Ka shumë teza të tjera, elemente historike, të cilat – përkundër diferencave mes tyre – të paktën në një pikë bashkohen: Tirana nuk është një qytet i ri dhe për këtë faktet nuk mungojnë as sot në terren.

Vetëm 6 kilometra nga Peza ngrihet kalaja më e vjetër e rrethit të Tiranës, ajo e Dorezit, e cila ka qenë e ngritur në funksion të kontrollit në rrugën që lidhte Dyrrahun përmes luginës së Erzenit, me luginën e mesme të Shkumbinit dhe më tej me Maqedoninë gjatë shekujve VI – I para Krishtit.  Sigurisht ajo njihet shumë pak, për të mos thënë aspak, nga publiku i gjerë. Fshehur në një zonë të thellë, ajo është vështirë e arritshme për këdo.

Rrënojat që shfaqen janë mbresëlënëse, ashtu si ndërtimi që tregon një teknikë të lartë të përdorur që në kohët antike. Këtu gërmime të mirëfillta arkeologjike nuk janë bërë kurrë, edhe pse përmes tyre do të mund të kuptohej më shumë për historinë e zonës e rrjedhimisht edhe të Tiranës së dikurshme.
Jo larg kryeqytetit, në një kodër që vështron më së miri të gjithë luginën ku ai shtrihet, dikur ngrihej një tjetër fortifikim antik.

Nëse kërkon të identifikosh diçka nga kalaja e Lalmit që ngrihet në kodrat e Vaqarrit është thuajse e pamundur. Rrënojat që datonin diku në shekullin II para Krishtit janë zhdukur nga hekurmbledhësit, të cilët në aksionin për të marrë mbetjet e një reparti ushtarak kanë zhdukur edhe gjithçka të kalasë.

Në të njëjtin krah, më saktësisht në Ndroq, ngrihet një ndër fortifikimet më të mëdha dhe të rëndësishme në llojin e tij, sa i takon rrethit të Tiranës.

Vetëm në dukje, kalaja e Ndroqit ofron një gjendje më të mirë, sepse po të shikosh me kujdes, dëmtimet janë të shumta dhe të gjithanshme e po rrezikojnë seriozisht këtë monument kulture. Një pjesë muresh ka rënë apo po bie nga erozioni, ndërsa gropat tregojnë se abuzuesit nuk kanë munguar.

Shumica e njohin fortifikimin e Petrelës, që ngrihet hijshëm në pjesën më të lartë të fshatit, por pak më tej ndodhet një tjetër monument i rrallë i Tiranës së fshehur: kalaja e Perqopit. Qyteti ilir i Parthinëve, që disa arkeologë e identifikojnë si Albanopolin e lashtë (tezë që përdoret edhe për qytetin e Zgërdheshit mes Krujës e Fushë-Krujës) daton në shekujt IV-III para Krishtit dhe mendohet se dikur zotëronte rrugën lidhëse nga fusha e Tiranës drejt Qafë Krrabës. Pak më tej ndodhet edhe një varr monumental i dëmtuar nga thesarkërkuesit.

Në pikën më të lartë të Tiranës ndodhet kalaja e Dajtit. Zyrtarisht ajo i përket viteve 527 – 566, duke u renditur në grupin e fortifikimeve të ndërtuara nga Justiniani I. E megjithatë ka mjaft arkeologë që nuk janë dakord me këtë tezë. Mungesa e gërmimeve të mirëfillta e bën të pamundur datimin e saj të saktë.

Nëse dikush mendon se kalatë e Tiranës përfundojnë këtu, gabon. Edhe rruga tradicionale Tiranë-Dibër, në zonën e sotme të Tufinës, kishte mbrojtjen e saj. Sipërmi, në një terren mjaft të vështirë, ndodhet kalaja e Tujanit që daton në shekujt IV – VI. Sot ka vetëm gurë të shpërndarë dallueshëm, rezultat i abuzuesve të shumtë.

Kalaja e Tiranës që ndodhet ngjitur parlamentit për rrënjët e saj mban mbi shpinë mjaft variante që ndajnë arkeologët. Disa mendojnë se ajo u përket shekujve të parë të erës sonë, të tjerë periudhës së Justinianit, ndërsa teza e tretë daton edhe më vonë. Si në rastet e tjera, mungesa e studimeve serioze ka lënë hapësirë dhe mundësi interpretimesh të ndryshme për historinë e saj. Fakt është që Barleti, Muzaka e të tjerë e përmendin Tiranën shekuj përpara 1614-s.

Tirana ka edhe një grup fortifikimesh të tjera, siç janë ato të Skuterës në zonën e Kërrabës, ajo e Kllojkës, fshatit Shëngjin, Pëllumbas e më tej edhe në Kuç të Vorës apo kalaja e Prezës e me radhë…

Kryeqyteti i sotëm shpesh identifikohet me xhunglën e betonit ose vellon e re të metropolit modern shqiptar. Por ai ka historinë e tij të vjetër dhe ende të pazbuluar mirë, që tregon vlerat e mëdha historike dhe kulturore të Tiranës, qytetit të të gjithë shqiptarëve.

/Blitz.al/

marin2

marin3

marin4

Komento
Etiketimet
Shperndaje