Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Tek kalaja e fshehtë e Pal Kastriotit

Tek kalaja e fshehtë e Pal Kastriotit
October 25
18:10 2017

Nga Marin Mema

 

Banorët e Çidhnës në Dibër prej brezash ruajnë historinë e një kalaje që sipas tyre jo thjesht i përket periudhës së Skënderbeut, por edhe është përdorur prej tij. Ata e quajnë kalaja e fshehtë e Gjergj Kastriotit, ndoshta për shkak të pozicionit të saj vendosur në një rrëpirë të rrezikshme, apo faktit se atë kurrë nuk e kanë vizituar ekspertët e fushës.

A ka lidhje kjo kala sipas banorëve e fshehtë, vërtetë me Kastriotët? Çfarë fshihet në lartësitë e këtyre majave të thepisura në kufi mes krahinës së Çidhnës dhe asaj të Lurës? Përse askush me parë nuk e ka ndërrmarrë këtë rrugëtim? Pyetjet janë të shumta, por ato do të mbeten pa përgjigje derisa të mund të prekim nga afër këtë kala dhe të analizojmë hapsirën historike të përdorimit të saj. Në ngjitje janë të dallueshëm vetëm elementët e një rruge të hershme, e cila sipas arkeologut Skënder Muçaj lidhte zonën e Matit, me zonën e Dibrës e Kukësit.

Pra kjo ishte një rrugë e vështirë, por e shkurtër dhe mbi të gjitha e mbrojtur siç kërkohej në Mesjetë, ku ushtria mund të kalonte pa u vënë re duke shmangur në këtë mënyrë vëmendjen e kundërshtarëve. Ajo i përngjan përshkrimeve të Marin Barletit që i mëshonte shumë faktit se Skënderbeu ishte një strateg i jashtëzakonshëm, që armë të fortë kishte elementin e sulmeve të shpejta për të kapur në befasi ushtritë osmane. Përtej pjesës historike, natyra është një mrekulli më vete. Ajo mplekset me legjendat e banorëve që ata i tregojnë me kaq dëshirë e pasion. Mes këtyre pyjeve e shtigjeve të vjetra është e pamundur që ato të bëjnë pa njëra tjetrën. Kështu shkon një pjesë e mirë e rrugëtimit deri në atë që njihet nga vendasit si qafa e kalasë nga ku kalonte edhe rruga e shpejtë për në një tjetër pikë të rëndësishme të Kastriotëve në Stelush, në zonën e Matit.

Nga qafa e kalasë deri në fortifikim rruga është shkurtër, por kjo s’do të thotë se terreni bëhet më i mërzitshëm. Ai dredhon si dikur në vende të ngushta që ngjiteshin më pas në pjesën më të sipërme shkëmbinjeve. Aty ndodhet edhe kalaja e fshehtë e kaq enigmatike. Pozicioni është mahnitës aq sa duket vështirë e besueshme se ky fortifikim egziston vërtetë.

Muret janë dëmtuar jo pak, megjithatë pjesë të disa trakteve janë ende të dallueshme. Në pjesën më të sipërme ndodhet një sterë uji, ndërsa mendohet se kullat e kalasë lartësoheshin në disa kate. Nga të gjitha krahët ajo kishte një mbrojtje natyrore, përveç shtegut nga ku ne erdhëm. Megjithatë thelbi mbetet datimi: A lidhet hapsira kohore kur është përdorur kjo kala, me Kastriotët?

Në keto treva sipas testamentit të Gjon Muzakës shkruar në vitin 1510, jetonte gjyshi i Skënderbeut, Pal Kastrioti, i cili kishte nën pronësi dy fshatra, Sinën dhe Gardhin e Poshtëm.  A mund të ishte edhe kjo kala pjesë e zotërimeve të tij? Kjo ështe e vështirë të thuhet me saktësi, por fakt është se datimi i saj përputhet me shekullin e 13 dhe atë të 14 kur ka jetuar Pal Kastrioti.  Kalaja sipas arkeologut Skënder Muçaj që ka ndërrmarrë këtë udhëtim me ne, është rreth 600 metra katror dhe për nga ana ndërtimore ngjan shumë me ato të përdorura nga Kastriotët në Stelush dhe Petralbë. Këto vende në kohë lufte shërbenin për të vendosur ushtarë, ndërsa në paqe ishin vendqëndrimet e familjeve të fisnikeve të kohës.

Në fakt Cidhna është një krahinë me një ndërthurje thuajse të çuditshme, sa kohë brënda kësaj hapsire gjenden një mori vendbanimesh të periudhave të ndryshme, nga ato në zona lehtësisht të arritshme, deri tek pjesët më të thella e misterioze. Kështu edhe kjo kala kaq e jashtëzakonshme për nga pozicioni, e me një histori po kaq të thellë e të panjohur. A ka qëndruar edhe këtu Pal Kastrioti e pasuesit e tij? A mund të jetë përdorur nga Skënderbeu? Në kushtet kur kërkime të mirëfillta nuk janë bërë kurrë gjithçka mbetet në trajtën e hamendësimeve, legjendave e miteve, që megjithatë janë kaq tërheqëse në këtë vend të rrallë. /Blitz.al/

 

Shperndaje