Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Te varret mbretërore ilire…

October 22
11:13 2016

foto-nje

Selcës së poshtme emri i është ndier pak ose aspak, edhe pse në trupin e saj fsheh vlera të jashtëzakonshme, vlera që të çojnë deri tejmi në periudhën ilire e që së bashku me njerëzit e këtyre anëve duket se janë lënë jashtë hartave të shtetarëve që ose nuk e njohin fare këtë zonë me shumë vlera ose, akoma më keq, e kanë lënë qëllimisht në harresë të plotë.

Fshati fshihet diku 100 kilometra nga kryeqyteti, mes Mokrës, krahinës ku gjithçka flet me gjuhën e historisë, që këtu nis, sipas të dhënave, diku rreth shekullit të katërt Para Krishtit. Fisi ilir i Dasaretëve banonte në këtë zonë dhe rrënojat antike të gjetura këtu mendohet se i përkisnin kryeqendrës së tyre, Pelionit të lashtë. Në pjesën e varreve monumentale nuk gjejmë askënd, përveç ish-rojës që, siç thotë, është pushuar nga puna vite më parë. E megjithatë, Kudreti është i vetmi që na shoqëron përmes tyre…

foto-dy

Janë pesë varre monumentale ilire, katër prej tyre të ndërtuar në shkëmb, ndërsa njëri i mbështetur mbi blloqe të mëdha guri. Përshtypja që të japin është e dyfishtë, nga njëra anë gjen  diçka të mahnitshme, por që përplaset me ndjesinë e keqe që të krijon braktisja e tyre. Në dhomat e gurta të varrimit dallohen lehtësisht dëmtimet e kohës, lagështira, rrëshqitjet, gërvishtje të ndryshme, etj.

Edhe relievet zbukurues janë dëmtuar, aq sa shpesh është thuajse e pamundur t’i dallosh. Ato kanë qëndruar aty për shekuj si simbole identifikuese se këto varre ishin bërë për prijës apo mbretër ilirë, ndaj edhe studiuesit shpesh kanë hamendësuar se njëri i përkiste mbretit ilir, Bardhylit, një tjetër ndoshta Klitit e një i tretë atij Monun. E megjithatë, sot është e dhimbshme të shikosh se si gjendja e tyre po degradon ditë pas dite. Ndërhyrjet restauruese janë edhe më të frikshme sesa dëmtimet, duket se janë bërë thjesht për të kaluar radhën e asgjë më shumë.

Varret që janë zbuluar dikur në vitet ‘48 – ‘49 e plotësisht në vitet 1971 – 1972 janë sot krejtësisht në mëshirë të fatit, duke qenë nën kërcënimin e abuzuesve të shumtë që vijnë e gërmojnë në të gjithë hapësirën rreth tyre. Sigurisht, t’i kërkosh Kudretit të mbrojë këtë vend me iniciativë personale është e tepërt, edhe pse ai e ka bërë këtë shumë shpesh duke rrezikuar edhe jetën.

foto-tre

“Ky vend gjithmonë është gërmuar për çështje thesaresh. Unë e theksova edhe pak më parë që këtu edhe kur nuk ka pasur rrugë ka ekzistuar një dyndje e madhe grupesh me klandestinë, shqiptarësh por edhe të huajsh, si maqedonas, grekë. Nga nuk kanë ardhur!”- tregon burri që banon në fshatin ngjitur. “Unë gjithmonë u kam dalë në ballë, nuk kanë gjetur këtu bashkëpunim tek unë për të gërmuar këtë vend. Ata i kanë gërmuar, por e kanë bërë natën. Unë kam rrezikuar jetën edhe natën për ta mbrojtur këtë vend”.

Fjalët e Kudretit sikur projektoheshin në gropat e shumta që dallohen përgjatë të gjithë sitit arkeologjik. E siç thotë ai, këtu kanë ardhur jo vetëm të panjohur, por edhe të tjerë me lidhje në këtë fushë, edhe pse ai nuk pranon të thotë emra.

Mungesa e vëmendjes është komplekse, fillon te monumentet e vijon te banorët, në të dyja rastet fati është i njëjtë, i lidhur pashmangshmërisht si një fije e padukshme, e dhimbshme, tregues i realitetit shqiptar. Duhej të kishte investime dhe projekte, por në fakt ka vetëm harresë, varfëri e heshtje që kanë çarë jo vetëm muret e gurta të varreve ilire, por edhe jetët e banorëve.

foto-kater

Shpresa e vetme është rruga që po ndërtohet e që do të lidhë Quksin me Qafë Plloçën. Më pas do të mjaftonte që këto monumente të restauroheshin siç duhet, zona të kthehej në një park të mirëfilltë arkeologjik, duke e futur në listën e destinacioneve turistike e shumëçka do të ndryshonte. Kjo do të bënte që të kishte më shumë lëvizje, më shumë turistë të huaj e shqiptarë e rrjedhimisht do të sillte edhe zhvillim më të madh për banorët.

Veç kaq, nuk duhet as shkencë dhe as magji…

 

Komento
Shperndaje