Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Si ju përgjigj Isa Boletini krajl Nikollës në 1911… (nga Marin Mema)

Si ju përgjigj Isa Boletini krajl Nikollës në 1911… (nga Marin Mema)
April 12
19:55 2019

Në gjysmën e vitit 1910 dhe fillimin e vitit 1911 Isa Boletini i përndjekur nga trupat osmane u detyrua të qëndronte në Mal të Zi. Dokumentat thonë se mes shumë takimeve ai pati një të tillë edhe me mbretin Nikollë. Cila ishte biseda dhe çfarë ndodhi pas saj? Dëshmitë më të drejtëpërdrejta i sjell në kujtimet e tij Tafil Boletini nipi i Isa Boletinit. Ai tregon sesi mbreti Nikollë thirri një pjesë të parisë së shqiptarëve të Kosovës mes të cilëve Isën, të cilit siç tregojnë faktet i bëri edhe një ofertë fort tinzare.

Ai ju tha si në mënyrë urdhëruese: “Malësia e Shkodrës e nisi luftën kundër Turqie, prandaj edhe ju të filloni sulmin drejt Kosovë’’ 

Axha Isa i përgjigjet :

“Gospodar, sikurse e dini, Kosova vitin e kaluem asht çarmatos dhe asht shumë e lodhun hëpërhe nuk asht në gjendje për kurrëfarë veprimi’’. 

Krajl Nikolla vazhdoi : 

“S’ka nevojë për shumë fuqi, çka jeni këtu ju armatos unë, në Plavë e Guci, nëpër kufi ka pak ushtare. Ti Hasan Ferrin e ke mik e nuk të kundërshton, kështu përnjëhërë mundemi me i marrë”.

 Atëherë axha Isa, sikur nuk e kishte kuptue qallimin e tij i thotë : 

“Ato vise jana na nja skaj, ndoshta njahera i marrim, porse nuk mundemi me i mbajt’’. 

“Ajo gja është kollaj, – i ndërhyn krajli, – ju tue i marrë vendet vazhdoni përpara , ushtria ime ju vjen mbrapa e i mban vendet’’.  

Axha Isa sërisht : 

“Ushtria juaj vjen e mban vendet ?”.  

“Po, po, – përforcoi Nikolla, ju veç shkoni përpara se vendet e marruna i siguroj unë”.  

Axhës i sosi durimi e s’mundet ma me e mbajt veten:

 “Gospodar na falni, po na nuk luftojmë me ndjekë njenin për me sjellë tjetër’’

Siç tregon më tej Tafil Boletini nipi dhe bashkëluftëtari  i tij, mbreti Nikollë nuk mundi më të thoshte asnjë fjalë. Për të qetësuar situatën ndërhyri Ministri i Luftës së Malit të Zi, Martinoviq, i cili e cilësoi këtë një keqkuptim. E megjithatë Isa Boletini e shpërfilli dhe me zë të prerë shprehu vendimin e tij të menjëhershëm për t’u larguar nga Mali i Zi sëbashku me luftëtarët e tij.

Komento
Shperndaje