Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Sëmundja e vjetër e politikës shqiptare (Nga Marin Mema)

Sëmundja e vjetër e politikës shqiptare (Nga Marin Mema)
May 04
22:15 2019

Nga Marin Mema

Grupimet e para të mirëfillta politike në Shqipëri shfaqen qartë prej tetorit të vitit 1920. Brenda hapësirës së pak javëve forcat e reja u vendosën në kampe kundërshtare, duke i hapur udhën një konflikti që u ashpërsua aq shpejt sa çoi deri në dorëheqjen e kryeministrit të kohës Sulejman Delvina, ndërsa ai pasues Ilijaz Vrioni përgatiti zgjedhjet e vitit 1921.

Ky nuk ishte një rast i izoluar, por paralajmëroi fillimin e një periudhe që u ndoq në vitet pasuese nga akuza, përplasje, përballje dhe deri në përdorim të armëve e vrasje të rivalëve.

Zgjedhjet, përplasjet, akuzat për manipulime, duken si një histori që lidhet me periudhat e fundit dhe gjithmonë aktuale. Por në fakt nuk është kështu… Shqipëria e ka këtë çështje një sëmundje të vjetër që e shoqëron që nga proceset e para zgjedhore. E për ta kuptuar këtë mjafton të kthehesh pas e të kalosh etapat nga Kongresi i Lushnjes e më tej.

Në 21 janar 1920, Kongresi i Lushnjes hapi dyert. Vendimet e para lidheshin me ngritjen e Këshillit të Naltë siç u quajt, me katër përfaqësues. U vendos krijimi i qeverisë shqiptare dhe i senatit, apo siç ne e njohim sot, parlamentit edhe pse ai i pari nuk u zgjodh me votë popullore.

Që në vitin 1912, në Kuvendin Kombëtar të Vlorës, ishte ngritur një strukturë që në atë kohë u quajt pleqësi, e cila kryente funksionet e një organi këshillues, por që edhe do të kontrollonte funksionet e qeverisë së drejtuar nga Ismail Qemali. Pavarësisht se arriti të mblidhej, ky organizim nuk mundi megjithatë të kthehej apo të merrte funksionet e një parlamenti të vërtetë. Kjo ndodhi në Kongresin e Lushnjes kur senati apo Këshilli Kombëtar siç u emërtua pas mbledhjes së dytë, njihet zyrtarisht si fillimi i parlamentarizmit në Shqipëri.

Garantimi i sovranitetit territorial ishte çështja parësore për këtë parlament, i cili e mbështeti funksionimin e tij në një rregullore të miratuar me 72 nene. Qeveria e Durrësit u nxorr jashtë ligjit dhe ajo e dalë nga Kongresi i Lushnjes mori fuqi të plotë. Mjaft iniciativa ligjore u përshtatën nga modelet europiane, duke i dhënë këtij organizimi frymën e nevojshme për kohën.

Megjithatë ky bashkëpunim kaq i frytshëm mes të gjithë palëve zgjati deri në muajt tetor – nëntor të vitit 1920, kur nisën të lindin grupet politike. Historiani Marenglen Verli sqaron se elita politike u organizua kryesisht në dy grupime, “Partia Popullore” dhe ajo “Përparimtare” sepse nuk mund të thuhet se ishin parti në kuptimin e sotëm të fjalës, duke qenë se duhet të kishin një program të qartë.

Në grupimin e parë të “Partisë Popullore” bënin pjesë së bashku Fan Noli dhe Ahmet Zogu, e po kështu mjaft figura të tjera. Përballë tyre grupimi i “Përparimtarëve”, siç u identifikua ishte mjaft i përzier duke përfshirë çifligarët e mëdhenj, deri tek anëtarët e Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës, e kështu me radhë. Situata dhe konfliktet u ndërlikuan aq shpejt sa kabineti i Sulejman Delvinës ra… Por cila ishte arsyeja?

18 anëtarë të Këshillit Kombëtar lanë mandatin dhe kjo e detyroi kryeministrin Sulejman Delvina të dorëhiqej dhe rrjedhimisht kabineti i tij ra. Qeveria pasuese me Iljaz Vrionin në krye u ngarkua të përgatiste zgjedhjet e para në Shqipëri, por që këtu nisën kulisat.

Fillimisht ishte premtuar se ligji elektoral do të miratohej në Këshillin Kombëtar, pra me konsensus të gjerë, por në fakt nuk ndodhi kështu. Në 2 dhjetor ai u shpërnda, ndërsa tre ditë më pas Ministria e Brendshme miratoi ligjin për zgjedhjet e reja. Problemet e shumta në zgjedhje u pasqyruan dukshëm në qeverisjen e vendit.

Viti 1921 është padyshim viti rekord në historinë shqiptare për numrin e Kryeministrave që ja lanë vendin njëri tjetrit. Ilijaz Vrioni në 16 tetor 1921 u pasua nga Pandeli Evangjeli i cili qëndroi në krye për jo më shumë se disa javë deri në muajin dhjetor. Por kishte edhe më keq. Qazim Koculi u bë kryeministër për një ditë në 6 dhjetor 1921. Pas tij erdhi Hasan Prishtina, në krye për vetëm pesë ditë  nga 7 dhjetori në 12 dhjetor, i ndjekur nga Idhomene Kosturi kryeministër për 12 ditë dhe më pas Xhaferr Ypi i vetmi që qëndroi në krye për një vit të plotë.

Ky ishte vetëm fillimi sepse përballjet pasuese ishin edhe më të ashpra. Ato nisin me kryengritjen e vitit 1922,  vijojnë me zgjedhjet fort të kundërshtuara të 1923, plagosjen e Zogut dhe vrasjen e Avni Rustemit në 1924, kryengritjes dhe kundër kryengritjes së po këtij viti dhe më pas me zgjedhjet një ngjyrëshe nga 1925 në 1939. Secila prej tyre kërkon një analizë të veçantë, por mjafton edhe kaq për të treguar një sëmundje të vjetër të poltikës shqiptare. E kjo ishte veç pikënisja sepse erdhi diktatura pa garë e demokracia ku sërisht përplasjet janë të njëjta si thuajse 100 vjet më parë. /Blitz.al/

Komento
Shperndaje