Blitz | Kliko dhe Informohu

 Breaking News

Ritet dhe traditat në alpe që bënë për vete të huajt

Ritet dhe traditat në alpe që bënë për vete të huajt
March 23
20:52 2019
Në një shkrim të mëparshëm për krahinën e Kelmendit përmenda mjaft autorë të huaj të cilët na kanë lënë një trashëgimi të jashtëzakonshme përmes veprës së tyre.
Edith Durham rrëfen se në Selcë i treguan një bestytni të çuditshme për hënën.
“Po të priten fokët në hënë të rë, shpejt do të zbardhen. Duhet të priten gjithmonë kur hëna është duke u ngrënë dhe atëherë e ruajnë ngjyrën. Një burrë me mustaqe të bardha më tha se i ishin thinjur ngaqë i kishte prerë atëherë kur nuk duhej”,tregon Durham
Ky është vetëm një element mes shumë të tjerësh që Edit Durhamin e kanë tërhequr jo pak. Në radhët e librit të saj “Brenga e Ballkanit”, ajo rendit edhe mjaft tradita të tjera edhe më interesante të popullësisë së zonës. Mes tyre bie në sy mitizimi i gjarprit, një ndër më të lashtët, i ardhur nga kohët Ilire e që gjendet sot nga jugu në veri të vendit. Po kështu shkrimtarja britanike ka dokumentuar ekzistencën në këtë zonë të një riti të lashtë martesor që siç ajo shprehet është i njëjtë me atë të periudhës me arkaike në Romën e vjetër, por jo vetëm.
Interesante është se beja apo betimi mbi gur konsiderohej si një ndër më të rëndët e të rëndësishmit tek shqiptarët që banonin në zonat malore, siç shprehet në veprën e tij “Mitologjia ndër shqiptarë” profesori Mark Tirta.
Por nuk duhet harruar se Pashko Vasa ndër të tjera theksonte se shqiptarët betoheshin për diell, për hënë, qiell, për dhé e gurë si edhe mjaft elementë të tjerë të natyrës.
Për fat të keq sot traditat e dikurshme që lidheshin me lashtësinë e popullsisë kanë mbetur si vegime tek banorët e këtushëm. Mes tyre me vështirësi ruhet ende një ndër gjurmët më të lashta e me vlerë të trashëgimisë shqiptare në tërësi, xhubleta.
Elementët e mësipërm por edhe të tjerë janë arsyeja se përse kaq shumë autorë të huaj e shqiptarë u tërhoqën nga krahina e Kelmendit dhe fshatrat përbërëse të saj. Duket se në këtë zonë veç mikëpritjes ata gjetën tradita të hershme, fort interesante, e të mbartura nga kohët më të vjetra pagane.
Share