Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Ritet dhe traditat në alpe që bënë për vete të huajt (nga Marin Mema)

Ritet dhe traditat në alpe që bënë për vete të huajt (nga Marin Mema)
April 04
12:06 2019
Në një shkrim të mëparshëm për krahinën e Kelmendit përmenda mjaft autorë të huaj të cilët na kanë lënë një trashëgimi të jashtëzakonshme përmes veprës së tyre.
Edith Durham rrëfen se në Selcë i treguan një bestytni të çuditshme për hënën.
“Po të priten fokët në hënë të rë, shpejt do të zbardhen. Duhet të priten gjithmonë kur hëna është duke u ngrënë dhe atëherë e ruajnë ngjyrën. Një burrë me mustaqe të bardha më tha se i ishin thinjur ngaqë i kishte prerë atëherë kur nuk duhej”-tregon Durham
Ky është vetëm një element mes shumë të tjerësh që Edit Durhamin e kanë tërhequr jo pak. Në radhët e librit të saj “Brenga e Ballkanit”, ajo rendit edhe mjaft tradita të tjera edhe më interesante të popullësisë së zonës. Mes tyre bie në sy mitizimi i gjarprit, një ndër më të lashtët, i ardhur nga kohët Ilire e që gjendet sot nga jugu në veri të vendit. Po kështu shkrimtarja britanike ka dokumentuar ekzistencën në këtë zonë të një riti të lashtë martesor që siç ajo shprehet është i njëjtë me atë të periudhës me arkaike në Romën e vjetër, por jo vetëm.
Interesante është se beja apo betimi mbi gur konsiderohej si një ndër më të rëndët e të rëndësishmit tek shqiptarët që banonin në zonat malore, siç shprehet në veprën e tij “Mitologjia ndër shqiptarë” profesori Mark Tirta.
Por nuk duhet harruar se Pashko Vasa ndër të tjera theksonte se shqiptarët betoheshin për diell, për hënë, qiell, për dhé e gurë si edhe mjaft elementë të tjerë të natyrës.
Për fat të keq sot traditat e dikurshme që lidheshin me lashtësinë e popullsisë kanë mbetur si vegime tek banorët e këtushëm. Mes tyre me vështirësi ruhet ende një ndër gjurmët më të lashta e me vlerë të trashëgimisë shqiptare në tërësi, xhubleta.
Elementët e mësipërm por edhe të tjerë janë arsyeja se përse kaq shumë autorë të huaj e shqiptarë u tërhoqën nga krahina e Kelmendit dhe fshatrat përbërëse të saj. Duket se në këtë zonë veç mikëpritjes ata gjetën tradita të hershme, fort interesante, e të mbartura nga kohët më të vjetra pagane.
Komento
Shperndaje