Blitz | Kliko dhe Informohu

 Breaking News

Qyteti i zhdukur që dikur bënte tregti me qendrat më të zhvilluara të botës (nga Marin Mema)

Qyteti i zhdukur që dikur bënte tregti me qendrat më të zhvilluara të botës (nga Marin Mema)
March 04
20:54 2019

Rreth 40 vite më parë, jo larg fshatit Dërmenas dhe Libofshës në zonën e Fierit, diku dy apo tre kilometra nga bregdeti, arkeologët hodhën dritë mbi rrënojat e një kalaje që ata e identifikuan si Pirgun Mesjetar. Kjo qendër prej shekujsh kishte humbur nga dokumentat, pavarësisht rolit të mëparshëm si një ndër skelat e rëndësishme të Myzeqesë.

E kaluara, për fat të keq sot “flet” vetëm përmes imazheve të një fushe si shumë të tjera, bosh, pa të dhëna historike, apo që shumëkush nuk e di se të paktën që prej shekulit të XIV ndoshta edhe më pare aty ngrihej një qytezë e zhvilluar. Të dhënat flasin se këtu në atë periudhë bëhej një tregti e dendur me qendrat më të zhvilluara të kohës. Kjo nuk është një rrëfenjë apo një legjendë, por po flasim për një qytezë të humbur.

Ndonëse sot nuk dallohet më asgjë, dikur gjatë gërmimeve arkeologët arritën të zbulojnë rrënojat e vjetra të qytetit mesjetar të Pirgut, ndonëse koha dhe ndërhyrjet e ndryshme kanë shuar çdo gjurmë.

Prof. Neritan Ceka kujton detaje mbi nisjen e disa ekspedita përnjohese së bashku me Prof. Skënder Muçaj. Ishte koha kur padiskutim nuk kishte google që t’i lehtësonte gjërat ndaj ata nuk kishin zgjidhje përveçse të pyesnin fshatarët. “Arritëm ta zbulonim edhe kështjellën e Pirgut, e cila kishte formë pesëkëndëshe. I kishin mbetur vetëm themelet. I ishte bërë edhe barbarizmi i fundit kur i kishin marrë gurët e kështjellës dhe kishin ndërtuar stallat e kooperativës”, shprehet Prof. Ceka

Pra, Pirgu që në vitin 1979 kishte të dukshme themelet, por megjithatë gërmimet arkeologjike nuk u kryen kurrë. Sot nuk kemi ndonjë të dhënë të prekshme nga nëntoka e cila do të mund të shërbente për t’i dhënë një përgjigje shteruese pyetjes se kur i ka fillesat kjo qendër… Mendohet se ato i përkasin shekullit të XIV, por nëse qyteza është e mëhershme kjo nuk mund të thuhet…

Me interes është të dihet se kjo qendër kishte aq rendësi e zhvillim për kohën sa këtu vendosën konsujt e tyre edhe Raguza apo Venediku. Pra, Pirgu ishte një qytezë e mirëfilltë ku qendronin tregtarë të ndryshëm, marinarë e banorë. Dokumentat janë një mundësi e mirë për të rikrijuar jetën e këtushme. Por si ishte Pirgu i shekullit të XIV e më pas?

Studiuesi Pëllumb Xhufi na bën me dije se gruri i Pirgut ishte i domosdoshëm që qyteti i Raguzës, i cili nuk kishte prapavijë bujqësore, të mund të jetonte. Sipas Xhufit kjo ka qenë një tregti që zgjati për shekuj dhe ishte e fiksuar në statutet e Raguzës. E njëjta gjë edhe për Venedikun. Drithi i Pirgut apo qoftë edhe i Vregut, në Shkumbin, apo edhe i Spinaricës më në jug të Pirgut, kërkohej shumë sepse me atë përgatiteshin biskotat ose galetat, të nevojshme për flotën veneciane. Fakt është se flota e fuqishme veneciane furnizohej bollshëm me ushqim të thatë, për t’i garantuar pjesëtarëve të saj burime nëpër udhëtimet e gjata në kolonitë e shumta, deri në afërsi të Kostandinopojës dhe më tej. Pra, drithi që prodhohej në zonat e brendshme të Arbërisë tregtohej kryesisht në këto dy destinacione. Për këtë fakt sipas studiuesve nuk është rastësi që edhe Raguza dërgoi atasheun e saj tregtar, për të mbikqyrur të gjithë aktivitetin tregtar.

Gjatë ekzistencës së tij Pirgu ka kaluar në duart e zotëruesve të ndryshëm. Një detaj ky mëse normal duke patur parasysh këtë rol të rëndësishëm që ai kishte në rrugët tregtare të kohës. Madje për këtë vend janë përballur fort edhe fisnikët arbërore.

Por si u shua Pirgu? Përse kjo qytezë e zhvilluar në një moment të caktuar u braktis krejtësisht nga banorët? Cilat ishin arsyet që interesi për të ra? Edhe në këtë pikë dokumentat janë të mjaftueshme për ta rikrijuar këtë moment historik të kësaj qyteze.

Arkeologu Marin Haxhimihali përmend disa faktorë që mund të kenë ndikuar në zhdukjen e Pirgut, mes të cilave fenomenet natyrore për shkak të të cilave u shtua distanca nga deti, ndërsa lumenjtë nuk ishin më të lundrueshëm. Sipas tij interesi ekonomik ra dhe nga ana tjetër konteksti historik nuk ishte më i favorshëm për të bërë tregti.

“Nga momenti që pushteti i këtyre feudalëve ra për shkak se marrëdhëniet me perëndimin u reduktuan në maksimum, duke mos harruar edhe shtrirjen e një perandorie të fuqishme siç ishte ajo osmane ku çdo gjë bëhej në qendër, pra edhe tregtia organizohej nga qendra. Kështu nuk pati më hapësirë, nuk pati më liri për këto tregje të cilat erdhën duke rënë në veprimtarinë e tyre” sqaron Prof. Pëllumb Xhufi.

E pra, kjo zonë sot bosh, fsheh kaq shumë, një histori kaq të madhe, e po kaq të panjohur. Këtu dikur kishte banorë, ndërtesa dhe kala; iknin e vinin tregtarë e konsuj. Ndërsa sot veç kishës s’ka mbetur asgjë tjetër. Çfarë mund të fshihet ende nëntokë nga gërmimet e munguara?

Të gjitha këto qendra janë sot pak ose aspak të njohura, shumica e tyre flenë nënujë, apo nëntokë, pa patur mundësi të dëshmojnë historinë e tyre. Në zona të thella institucionet justifikohen me faktin e largësisë, po për Pirgun? A nuk duhet që këto qendra të hershme të përdoren në funksion të turizmit? Apo organet përkatëse thjesht duhet të flasin dhe si gjithmonë të mos bëjnë asgjë?!

 

Share