Blitz | Kliko dhe Informohu

 Breaking News

Prodhimet bujqësore ilire që furnizuan ushtrinë e Çezarit- Nga Marin Mema

Prodhimet bujqësore ilire që furnizuan ushtrinë e Çezarit- Nga Marin Mema
July 18
17:42 2019
Një ndër degët kryesore të ekonomisë antike ilire është padyshim bujqësia, për të cilën janë ndërmarrë studime të posaçme. Sikurse na referojnë të dhënat e këtyre studimeve pikërisht në bujqësi ishte i angazhuar një krah pune i konsiderueshëm apo pjesa më e madhe e njerëzve, gjë që rrjedhimisht të bën të mendosh për pjellorinë e territorit ilir, fakt i cili është i mbështetur edhe në burime historike.
Skymni, Herodoti, Straboni janë disa nga autorët që dëshmojnë respektivisht për tokat pjellore të Ilirisë, për ato që zotëroheshin nga aristokracia vendase rrotull Apollonisë, apo edhe për ullishtat dhe vreshtat e këtij vendi.
Sikurse bëjnë me dije burimet, zhvillimi i saj shihet tek shfaqja e fermave bujqësore në territoret përreth qyteteve dhe nga zbulimi i veglave bujqësore nga gërmimet arkeologjike, si për shembull në Melgushë, Antigone, Irmaj e Dimal.
Kështu, zhvillimi i bujqësisë gjatë shekujve III-II p.e.s. pati si rrjedhojë rritjen e prodhimit, madje edhe në nivele eksporti, po të kemi parasysh faktin se tregtarët italikë shkonin në Ilirinë jugore jo vetëm për të eksportuar prodhimet e tyre, kryesisht verë e vaj, por ndoshta edhe për t’u furnizuar me grurë. Fakt interesant është se prodhimet bujqësore të Ilirëve ishin vërtet të një sasie të konsiderueshme, sa mund të mbanin me furnizime dhe ushtri të mëdha romake. Kështu siç tregon dhe vetë Çezari, kur tentoi të rrethonte Pompeun në Dyrrah, pati synim që ta izolonte këtë të fundit nga kontinenti. Në një kohë që Pompeu i kishte marrë masat dhe furnizohej me ushqime nga deti, Çezari, nga ana e tij, ishte i detyruar të furnizohej nga krahinat përreth. Kjo nënkupton se prodhimi bujqësor pavarësisht dëmeve të mëdha të shkaktuara nga lufta përsëri ishte i bollshëm. Edhe hambarët e mëdhenj të zbuluar në Qesarat na ofrojnë një shembull të jashtëzakonshëm të sasisë së prodhimit bujqësor, si dhe të mënyrës së ruajtjes së tij. Po ashtu autorët antikë na flasin edhe për një numër të madh skllevërish që shfrytëzoheshin nga ilirët për të punuar tokën. Psh, Agatharkidi shkruan se elita dardane dispononte deri në 1000 skllevër që përdoreshin jo vetëm për të punuar tokën, por edhe si ushtarë në luftë.
Referuar të gjithë detaje të lartpërmendura mund të themi se bujqësia përbënte një element kyç në ekonominë e qyteteve antike dhe që veçanërisht gjatë pushtimit romak u zhvilluan më tej. Kështu format e vjetra të prodhimit u zëvendësuan nga ato të romakëve, të cilët riorganizuan hapësirën rurale, modifikuan thellësisht pronësinë dhe mënyrat e punimit të tokës.
/Blitz.al/
Share