Blitz | Kliko dhe Informohu

 Breaking News

Oriku, fushëbeteja e titanëve- nga Marin Mema

Oriku, fushëbeteja e titanëve- nga Marin Mema
October 05
18:23 2018

Mes maleve të Karaburunit, Akrokerauneve mitike ndodhet qyteti i Orikut.

Në gjysmën e dytë të shek të VIII para Krishtit dhe për një kohë të gjatë ai ka qenë një qendër tregtare e thjeshtë. Shumë arkeologe referuar te dhënave të lëna pas nga gjeografi i lashtësisë Skymni, e kanë lidhur themelimin e qytetit me Eubeasit. Por në fakt kjo nuk duket te jetë e vërtetë. Gërmimet arkeologjike te një misioni shqiptaro zviceran prej disa vitesh janë përqendruar në këtë vend për të verifikuar këtë tezë. E në fakt deri tani rezultatet dëshmojnë se qyteti nuk është vepër e Eubeasve, por fisit ilir të amantëve.

Porti i Orikut vjen në vëmendje për shkak të luftës civile mes Cezarit dhe Pompeut në dimrin e viteve 49-48 para erës sonë. E jo vetëm prej këtij momenti historik. Ketë port sulltan Sulejmani e ktheu ne pikë të rëndësishme për riparimin e anijeve të tij, ndërsa nga krahu tjetër e projekte edhe si urën qe do ta ndihmonte te hidhej ne Italinë e kohës. 

Ajo që spikat referuar karakteristikave urbanistike të Orikut, janë një mur mbrojtës rreth 950 metra, që rrethonte kodrën në rrëzë, por gjithashtu janë ruajtur edhe disa rrugë me shkallë të gdhendura në shkëmb.

Pozicioni dhe vendndodhja e Orikut krijuan lehtësi që të lulëzonte industria e ndërtimit të anijeve që ishte dhe një burim kryesor ekonomik për qytetin. Edhe pas pushtimit të Ilirisë nga Roma, Oriku arriti të mbijetonte dhe madje sikurse përmendet nga autorë të antikitetit mes tyre edhe Plini, Oriku luante një rol lider në gjirin e Vlorës edhe në drejtimin ekonomik. Pikërisht ky pozicion ngjalli oreksin e sovjetikëve gjatë komunizmit e me pas te vetë sistemit që i forcoi pozitat edhe pas prishjes me këta ta fundit.

E shpejtë po ashtu ishte edhe rimëkëmbja e Orikut pas një tërmeti të rëndë të shekullit të 2-të, që pse jo, të krijon idenë se ai ishte i destinuar të mbijetonte mes luftërash, pushtimesh dhe fatkeqësish natyrore. Ndoshta për të ardhur në ditët e sotme si një hapësirë që mbart kaq shumë histori, legjenda, të dhëna qe nuk ndalojnë së tërhequri arkeologët. Mjafton të mendosh se në thellësitë e portit të vjetër mendohet se janë ende të mbytura anijet e Cezarit pas sulmit te papritur të djalit te Pompeit./Blitz.al/

 

Share