Blitz | Kliko dhe Informohu

 Breaking News

Ora e veçantë diellore (nga Marin Mema)

Ora e veçantë diellore (nga Marin Mema)
October 23
15:04 2018

Vite më parë në Vastrua të Shalësit jo larg Konispolit u bë një zbulim, që për në njerëzit e thjeshtë nuk do të përbënte ndonjë habi të madhe, nëse nuk do të ishte për një detaj që bënte diferencën.

Pikërisht, mes një pjese të rrënojave të një shtëpie, doli në pah edhe një shtyllë mermeri rreth 0,80 metra, e cila kishte pësuar dëmtime. Por, kërshëri për ne mund të ketë objekti që u gjend pranë kësaj shtylle, një orë diellore, e cila ishte me material të ngjashëm sikurse edhe pjesa tjetër. Ora me përmasat 23 x 17 cm ka rezultuar e dëmtuar në pjesën ku ka qenë e mbështetur shufra metalike.

Referuar murit ku është vendosur ora dhe sendeve të tjera të gjetura në afërsi të saj, besohet se datojnë të gjithë sëbashku në shekullin e III-II para erës sonë.

Orët diellore renditen mes gjetjeve të rralla arkeologjike dhe ora e Vastroit është e dyta në radhë e zbuluar në vendin tonë, pas orës diellore të Dimalit.Ato kanë qenë një objekt me mjaft vlerë në lashtësi dhe u përdorën deri në mesjetë, ndonëse nuk tregonin kohën gjatë natës. Gjatë kërkimeve të kryera në këtë zonë e të publikuara nga arkeologu i njohur Halil Shabani mëse 30 vite më parë u zbuluan edhe tjegulla,  tulla, enë të përdorimit të përditshëm, pitosa e mjaft objekte të tjera me vlerë nga ana arkeologjike. A do të zbulohen sërisht objekte të tilla ? Toka shqiptare fsheh magji pafund, por sigurisht kërkimet janë shumë të pakta, për të mos thënë numërohen me gishtat e njërës dorë. Ndoshta edhe ata janë shumë.

/Blitz.al/

Share