Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Në brendësi të “Thesarit të Hoxharës”- nga Marin Mema

Në brendësi të “Thesarit të Hoxharës”- nga Marin Mema
February 07
23:28 2019
Shpesh realizime të ndryshme artistike na kanë përcjellë raste kur fëmijët kanë zbuluar thesarë të çmuar. Realisht në Shqipëri një rast i tillë ka ndodhur katër dekada më parë kur në fshatin Hoxharë, 3 km në veri të qytetit antik të Apolonisë. Fëmijë të këtij fshati zbuluan një thesar të përbërë nga 552 monedha të periudhës republikane romake, rast i cili është prezantuar me detajet përkatëse nga arkeologia e njohur Prof. Dr Shpresa Gjongeci.

Të vendosura në një kanë prej balte, monedhat u gjendën në faqen e një kanali kullues, shumë pranë të cilit u konstatuan edhe gjurmë muresh të një banese antike. Të gjitha monedhat e gjetura ishin të tipit denar të argjendtë dhe i përkasin një hapësire kohore që shkon nga 199 p.e. sonë deri në 111 p.e. sonë.

Pjesa më e madhe e monedhave të këtij thesari që njihet si “Thesari i Hoxharës”, rezultuan të ishin prerë në punishten shtetërore të Romës dhe cilësohen nga arkeologët si një zbulim i rrallë në territorin tonë.

Referuar faktit që në këtë thesar nuk është gjetur asnjë drahmë ilire, arkeologia Prof. Dr. Shpresa Gjongeci konstaton se: – “Ky thesar nuk pasqyron në mënyrë reale qarkullimin monetar në vend në këtë kohë, përderisa në të mungojnë monedhat e prera nga punishtet e Dyrrahut dhe Apolonisë në afërsi të së cilës është gjetur ky thesar”.

Vizualisht, si në faqe ashtu edhe në shpinë monedhat janë mjaft interesante. Kryesisht faqen e morisë së këtyre monedhave e dominon koka e hyjneshës Roma që në disa raste mban edhe përkrenare. Ndërkohë që bien në sy edhe busti i Herkulit me topuz dhe mburojë, busti i Apolonit të Ri me diademë, Jupiteri duke mbajtur rrufenë në dorën e tij. Gjithashtu nuk mungon as detaji i puplës, spiranca, koka e elefantit apo edhe ulkonja duke ushqyer binjakët. Një tjetër monedhë e veçantë është edhe rasti i shfaqjes së perëndisë së diellit me kurorë rrezesh, duke mbajtur në njërën dorë kamxhikun dhe me dorën tjetër tërheq kalin prej freri.

Ajo çfarë mendohet për pronësinë e këtij thesari e lidh këtë të fundit me një tregtar ose kalimtar romak, i cili për rrethana të panjohura është detyruar ta fshehë atë nën tokë./Blitz.al/

 

 

Komento
Shperndaje