Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

“Mrekullia e të qenit bashkë…” – nga Marin Mema

“Mrekullia e të qenit bashkë…” – nga Marin Mema
February 27
23:54 2018

Nga: Marin Mema

“Mos pyet çfarë bën vendi yt për ty, por çfarë bën ti për vendin tënd”. Kjo thënie me vlerë të jashtëzakonshme e Presidentit Amerikan Kenedi, ndoshta dikujt mund t’i duket e pavend për realitetin shqiptar. E megjithatë dikur nuk ka qenë kështu, përkundrazi. Jo thjesht patriotët, rilindasit, figurat e mëdha të ketij kombi, por edhe njerëz më pak të njohur, komunitete të tëra kanë sakrifikuar ashtu si kanë mundur për të ruajtur e zhvilluar vendin e tyre.
Në periudhën e fundit të pushtimit osman, Drenova, fshati i Asdrenit të madh ka qenë një çiflig i njohur i pashait të Janinës. Ali Pasha e ruajti pushtetin e tij derisa në 1822 u vra në rrethimin e trupave osmane në Janinë. Nga ai moment e më pas si gjithë të tjerat edhe pronat në Drenovë kaluan nën varësinë e Portës së Lartë. Në 1870, sipas një urdhëri të Perandorisë, gjithçka doli në shitje, përfshirë edhe këto çifligje pak kilometra nga Korça.
Nga momenti i blerjes e më tej, pavarësisht taksave që banorët duhet të paguanin tek Porta e lartë, Drenova kaloi në proces vetëadministrimi. Sigurisht kjo nuk ishte e thjeshtë, sepse kërkonte vullnet, seriozitet, e mbi të gjitha financa të mjaftueshme. Korçarët në 1850 patën themeluar ato që njihen si “Llasot e Korçës”, që ishte një arkë e përbashkët fondet e të cilës përdoreshin për punë të ndryshme që lidheshin me qytetin. Të njëjtën rrugë e organizim e ndërmorën edhe banorët e Drenovës…
Banorët e fshatit e kishin prekur shumë shpejt mërgimin, ashtu si i gjithë ky pellg deri në Kolonjë e më tej. Drenovarë gjeje në Rumani ashtu siç një komunitet i madh ishte vendosur në Shtetet e Bashkuara. Shoqata e parë u krijua në Bukuresht dhe mbante emrin “Shën Kostandini dhe Helena” e cila u pasua nga një tjetër që identifikohej nën emrin e “Shën Kollit”. Këto ishin dy gjurmët e para në themelet e të cilave u ngrit një e tretë që mesaduket i përbashkoi të gjithë . Shoqata “Bashkimi” i kishte rrënjët në Worcester, në Amerikë dhe në pak kohë u kthye në një mbeshtëtëse të fortë të levizjes kombëtare. Anëtarët me çdo kusht duhet të mësonin jo thjesht të lexonin e shkruanin cilësisht gjuhën shqipe, por edhe të shpërndanin në komunitet e më gjerë veprat e patriotëve të kohës.
Por ç’lidhje kishte shoqata, mbledhja e fondeve , vetëadministrimi dhe elementë të tjerë me zhvillimin e fshatit në tërësi? Këtë e sqaron në mënyrë të shkëlqyer një libër i vogël i botuar në vitin 1919 në Worcester, Massachusetts në Amerikë, e që ka për autorë Zisi Kalon dhe Vani Botkën. Të dy autorët kanë përmbledhur një rregullore, por që në fakt i përngjan më shumë një kushtetute për fshatin Drenovë dhe banorët e tij.
“Ç’kanë bërë, ç’po bëjnë dhe ç’kanë vendosur të bëjnë drenovarët për Drenovën”. Ky është titulli i librit që përveç një historie të shkurtër, përfshin edhe pikat e rregullores së fshatit. Siç thuhet që në hyrje ajo nuk është shkruar për të reklamuar mirëbërësit, por si një dëshmi për pasuesit e tyre, për të treguar dashurinë dhe lidhjen me vendin amë.
Për t’i dhënë rregullores një fuqi sa më të madhe e sigurisht gjithëpranim u parashikua që çdo fillim viti, më saktësisht në 1 janar, të organizohej në fshat një mbledhje e përgjithshme e cila duhet të vendoste për zyrtarët e Drenovës. Aty duhej jo vetëm të zgjidheshin konkretisht drejtuesit, por edhe të diskutoheshin punët dhe problemet e fshatit ashtu si buxheti i ri dhe mënyra sesi ai do të shpenzohej. Kryetari, sekretari, arkëtari i përgjithshëm, dy inspektorë dhe katër këshilltarë që duhet të ishin mbi 20 vjeç i fitonin këto pozicione vetëm përmes votës, ashtu si pagesën që e ndante mbledhja e përgjithshme.
Këta të zgjedhur kishin lidhje me mbarëvajtjen dhe ruajtjen e të gjitha burimeve dhe pasurive natyrore që kishte fshati. Veç pastrimit të shkollës, kishave dhe mirëmbajtjen e rrugëve, kujdestarët siç quheshin duhet të kujdeseshin për ndarjen e ujit në mënyrë të barabartë gjatë ujitjes, të mbillnin pemë e të bënin kujdes nga përmbytjet që mund t’i vinin fshatit gjatë periudhës së shirave. Sipas rregullores ata duhet të punonin 10 orë në ditë duke ju përgjigjur urdhërave të zyrtarëve të zgjedhur të fshatit. Këta të fundit detyrë parësore kishin menaxhimin e fondeve që mblidheshin nga drenovarët në Amerikë.
7 çezma në fshat, duke i dhënë mundësi çdo lagjeje të kishte të sajën u ngritën me këto fonde të veçanta e me kontributin e vetë banorëve. Ndërhyrje të mëdha u bënë në rrugicat e Drenovës, që ishin të gjitha të shtruara me kalldrëm dhe kanale kulluese, e në të njëjtën kohë edhe të ndriçuara me llamba shumë moderne për kohën. Një investim i rëndësishëm u bë për të zmadhuar e forcuar pritën dhe tunelin që devijonte ujin e lumit duke mos lejuar kështu përmbytjen e banesave. Fonde nga drenovaret në Amerike dhe Rumani u dhanë për shkollën, për furrat, ashtu siç edhe për ngritjen e një klubi apo vatër kulture që duhet të shërbente për të mbajtur takime, pritje të ndryshme, e lexuar gazeta e libra me karakter patriotik.
Nga krahu tjetër askush nuk mund të bënte ndërtime pa leje dhe ndërhyrje të ndryshme në fshat. Banori duhet më parë të merrte e plotësonte të gjitha dokumentat që kërkoheshin nga rregullorja, apo kushtetuta e fshatit. Dikush do të thotë se gjëra të tilla janë të thjeshta, e kur lejet merren sot, pse duhet të ishin të vështira për t’u fituar edhe ne vitet 20 ?
Rregullorja luftonte korrupsionin, pasi siç theksohet çdo zyrtar që përdorte me të padrejtë vulën e fshatit jo vetëm pushohej nga puna, por nuk gëzonte të drejtë rizgjedhjeje për të paktën 15 vite. E ky vendim merrej pasi shqyrtoheshin faktet në një mbledhje të përgjithshme e cila mund të thirrej nga 25 banorë, që duhet të parashtronin edhe arsyet e tyre.
Në radhë të parë të gjitha blerjet që zyrtari kryesor realizonte me buxhetin e posaçëm që depozitohej në bankat e Korçës, duhet të bëheshin të ditura duke treguar edhe arsyet e këtij veprimi. Nëse rezultonte se shpenzimet ishin të pajustifikuara dhe kreu kishte marrë rryshfet atëherë ai për 15 vjet nuk zotëronte të drejtë të votonte apo votohej për këtë post.
Çdo pagesë nga struktura drejtuese duhet të kryhej me çek, sado e vogël apo e madhe ishte shuma. Në të njejtën kohë në këmbim ishte e detyrueshme marrja e një dëftese që pasqyronte veprimin e kryer. Të gjitha këto pika në rregullore, por edhe mjaft të tjera synonin luftën ndaj korrpsionit, i cili siç thuhet në libër kishte gjetur vend tek zyrtarë të mëhershëm. Në këtë fond, kontribute hidhnin edhe vetë banorët e fshatit, sigurisht kjo e ndarë sipas mundësive.
Është interesant fakti se të gjithë të diplomuarit me ndihmën e këtij buxheti ishin të detyruar si shpagim pas përfundimit të studimeve të jepnin kontributin në fushat përkatëse për 5 vjet në fshatin Drenovë. Vetëm më pas ata mund të largoheshin për të vijuar karrierën e tyre sipas dëshirës. Ndarja e tapive, ruajtja dhe përdorimi cilësor i pronave malore dhe fushore, detyrat e përcaktuara në mënyrë të detajuar për zyrtarët, janë vetëm disa ndër pikat e tjera të përfshira në këtë kushtetutë.
Një libër i vogël, me 62 faqe me autore Zisi Kalon e Vani Botkën ruajti në mënyrë të detajuar për rreth një shekull këtë pasuri të madhe. Sot shpesh shumëçka ka humbur, duke filluar nga instikti komunitar, bashkëjetesa, zgjidhja pa debate e problemeve, ndihma ndaj të pamundurve, mbrojtja e pasurive të përbashkëta, mosndotja, e shumë elementë të tjerë që shkojnë përtej paaftësisë së politikës… Mbi të gjitha të qenit bashkë, ky është thelbi që e bën më të fortë një komunitet, e që padiskutim i garanton një zë më kumbues për çdo kërkesë që ka…

/Blitz.al/

Komento
Shperndaje