Blitz | Kliko dhe Informohu

 Breaking News

Minierat antike në Iliri- Nga Marin Mema

Minierat antike në Iliri- Nga Marin Mema
June 29
13:39 2019
Sot, kur na qëllon të flasim apo të dëgjojmë për minierat, me shumë mundësi çështja apo debati do të sillet rreth shfrytëzimit të padrejtë të tyre, shpesh pa asnjë lloj kriteri, për minatorë të cilët punojnë në kushte të vështira, apo edhe për sindikata që luftojnë për të drejtat e kësaj kategorie.
E pra, nëse prej vitesh minierat janë kthyer në një mollë sherri, në lashtësi, pas pushtimit të Ilirisë, ato përbënin një burim të rëndësishëm ekonomik për romakët, të cilët i vunë nën kontrollin e tyre të drejtpërdrejtë. Baza për ta mbështetur një dhënë të tillë janë burimet e autorëve antikë si Tit Livi, Straboni, etj.
Konkretisht, sipas arkeologut Saimir Shpuza, Straboni na informon se Iliria ishte e njohur për minierat e hekurit, ndërsa Tit Livi kur përshkruan riorganizimin që i bënë romakët territorit ilir pas luftës me Gentin, thotë se ata e ndaluan shfrytëzimin e minierave të argjendit dhe të arit nga ilirët, por i lejuan të vazhdonin shfrytëzimin e minierave të hekurit dhe bakrit. Dihet ndër të tjera se përpunimi i metalit njihej shumë mirë nga ilirët.
Të dhënat flasin se para ardhjes së romakëve, minierat ishin dhënë me koncesion dhe se sipërmarrësit i paguanin taksa mbretit Gent. Referuar këtij rasti, arkeologu Shpuza sqaron mbretit Gent iu konfiskua nga romakët një pasuri shumë e madhe, e përbërë nga 27 ponde ari, 19 argjendi, 13 000 denarë dhe 120 000 monedha argjendi të Ilirisë. Ndoshta ky akumulim i madh pasurie mund të ishte si rrjedhojë e një politike taksash dhe pjesërisht rrjedhojë e aktivitetit pirat që kryenin ilirët.
Faktin se ilirët zhvillonin një aktivitet të rëndësishëm minerar e dëshmon dhe prerja e një sasie të konsiderueshme monedhash argjendi nga Damastioni, që ndodhej mes Dyrrahut, Apollonisë dhe maleve Akrokeraune, në të cilat paraqiten edhe veglat e punës që përdoreshin në miniera, si për shembull çekiçi apo lingotat. Ndërkohë fisi ilir i pirustëve konsiderohej se kishte minatorë me shumë eksperiencë.
Në periudhën romake, gjatë sundimit të Neronit, disa nga minierat në Iliri arrinin të prodhonin deri 50 livra ar në ditë dhe sipas burimeve të autorëve antikë ato ishin të vendosura kryesisht në Dalmaci.
Një minierë antike është sinjalizuar në Gjegjan të Kukësit por gjithësesi studimi i minierave paraqet mjaft vështirësi që kryesisht lidhen me identifikimin e tyre, aq më shumë nëse mbajmë parasysh se gjatë periudhës pararomake, ato shfrytëzoheshin vetëm në sipërfaqe, pa hapje galerish.
Ky informacion kaq i plotë dhe i detajuar që vjen nga arkeologu Saimir Shpuza hap një dritare pak të njohur mbi këtë sektor të rëndësishëm dikur, e po kaq të rëndësishëm edhe sot./Blitz.al/
Share