Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Masakra e mbuluar e serbëve në Gjuzaj- Nga Marin Mema

Masakra e mbuluar e serbëve në Gjuzaj- Nga Marin Mema
July 19
18:44 2019
Në fundvitin 1912 dhe në fillimin e atij 1913, Aleanca Ballkanike e përbërë nga Mali i Zi, Serbia, Bullgaria e Greqia projektonin coptimin e plotë të territoreve shqiptare. Ky ishte projekti që po zbatohej, teksa Perandoria Osmane ishte shkërrmoqur dhe shqiptarët po përballeshin nga të gjitha anët me sulme e masakra. Aq i vërtetë është ky fakt, sa jo thjesht zona të tëra u shkretuan, por ushtria serbe shtriu gjymtyrët e saj deri në Prefekturën e Elbasanit e po kërkonte të shtyhej më tej. Pikërisht këtu do të ndodhë një nga masakrat më pak të treguara, e cila çuditërisht është mbyllur gjithmonë në sirtarët e harresës…
Krahina e Darsisë kufizohet me fushat e Myzeqesë në njërin krah e kodrat e Dumresë në tjetrin. Gjuzaj është një prej fshatrave të kësaj krahine të lashtë nga ku tejmi me sy të lirë dallohet Peqini, e po kështu në horizont Rrogozhina, ndërsa Lushnja ngrihet disa kilometra larg. Kaq mjafton për të kuptuar pozicionin strategjik që ka kjo zonë e rrahur hershëm nga rrugët tregtare e ushtarake, e ku serbët u shfaqën në marsin e vitit 1913.
Vitet 1912 – 1913 përfaqësojnë padyshim një ndër periudhat më të vështira të shqiptarëve ku territoret jo vetëm u cunguan nga të gjitha anët, por u kërkua plotësisht shuarja e tyre. Nga njëri krah përparonin trupat greke, ndërsa në tjetrin pasi kishin pushtuar territoret e Kosovës, ushtria serbe po marshonte gjithnjë e më shumë drejt Shqipërisë së mesme. Synimi ishte që vendimet që do të merreshin në Konferencën e Londrës, ta pranonin si fakt të kryer coptimin e plotë të Shqipërisë.
Sipas të dhënave, nën thirrjen e Aqif Pashë Elbasanit, çeta të shumta të krahinës së Dumresë, Sulovës, Verçës, Shpatit, Darsisë e me radhë, krijuan një zinxhir të gjatë mbrojtës, në kodrat e të gjithë kësaj zone të gjerë për të mos lejuar përparimin e mëtejshëm të ushtrisë serbe. Është fundi i marsit 1913, kur ushtria osmane tërhiqej nga këto zona dhe territoret shqiptare, ndërsa ajo serbe mësynte drejt tyre. Kjo do të bëjë që të dyja forcat pushtuese të përplasen këtu…
Historia në këtë pikë merr dy variante kryesore që tregohen edhe sot. Në të gjitha rastet në qendër janë dy banorë të fisit Çela. Sipas variantit të parë, pas largimit të ushtrisë osmane, ajo serbe tentoi të vijonte rrugën drejt Lushnjes, por hasi në rezistencën e Dervish dhe Mersin Çelës që i shkaktuan disa të vrarë. Ndërkohë sipas variantit të dytë, ushtarët serbe zbritën në fshat dhe kërkuan të dhunonin disa gra, akt që u ndalua nga armët e Celëve.
Të dyja variantet kanë megjithatë në qendër faktin e pandryshuar, se serbët në Gjuzaj hasën në rezistencë me armë.
Një nga dëshmitë më me vlerë është ajo e Rustem Grecës e cila është mbledhur nga drejtuesit e Muzeut Historik në Lushnje para viteve 1990. Ajo ka një vlerë të veçantë sepse sjell faktet e ruajtura nga një dëshmitar i drejtëpërdrejtë. Siç tregon dokumenti kur ka ndodhur masakra në vitin 1913 dëshmitari Rustem Greca ka qenë 6 apo 7 vjeç.
 
 “Me të vërtetë lufta filloi, ushtria turke komandohej nga Xhavid Pasha. Në fillim u thyen serbët të cilët u tërhoqën dhe u vendosën në Rrumbullak, por mandej Xhavid Pasha hëngri para nga serbët dhe kur ata sulmuan përsëri ushtria turke u thye dhe serbët erdhën deri në fshatin tonë Gjuzaj, madje më tutje në Garunjas. Gjatë zhvillimit të luftimeve pati nga fshatarët tanë që serbët i pritën me pushkë dhe për këtë ata u hakmorrën”.
Pra dy ushtritë pushtuese u perballën fort në këtë zonë. Fillimisht forcat serbe u tërhoqën duke u vendosur në afërsi të fshatit Ballagat, e kur ato osmane u larguan plotësisht sulmuan fshatin Gjuzaj. Faktet tregojnë se Dervish dhe Mersin Çela, dy banorët që kundërshtuan me armë, ishin të parët që u kapën dhe u vranë nga ushtria serbe. Por masakra sapo kishte filluar…
Një përshkrim të saj jep edhe mësuesi dhe studiuesi i ndjerë i ketij fshati Harun Greca emrin e të cilit mban edhe shkolla 9 vjeçare e fshatit Gjuzaj. Në librin e tij Darsia, ai sjell një përshkrim rrënqethës të mbledhur nga banorët më të vjetër të këtij vendi….
 
“Thikat ndritën në errësirë prej reflekseve të dritës… I therën në dy thertore, i hodhën kapicë mbi njeri-tjetrin… Era e rëndë e gjakut dhe rënkimet e të therurve trazuan qetësinë e shtirur të natës”.
Burrat e fshatit Gjuzaj u vranë në këtë mënyrë, por një prej tyre mbijetoi pavarësisht plagëve të marra në disa pjesë të trupit. Ai i përkiste fisit Xhyra dhe është njeriu që mundi të tregonte më pas gjithçka kishte ndodhur. Mustafë Xhyra dëshmoi sesi të gjithë bashkëfshataret e tij që mendonin se do të dërgoheshin në Peqin u masakruan. Askush përvec tij nuk mundi t’i mbijetonte plagëve të marra. Që nga ajo kohë “Boka e Bardhë” siç njihet vendi ku u therrën burrat e fshatit Gjuzaj, mori edhe një emër të dytë, të dhimbshëm e që mbetet i pandryshuar edhe sot më shumë se një shekull nga 25 marsi i vitit 1913. Vendi quhet “Tek të therrmit”…
Sipas dëshmive të ruajtura nga banorët, trupat e të vrarëve janë dërgur për ditë të tëra mbi tokë. Për shkak të kushteve të vështira dhe situatës së rëndë, varrimi u bë në vendin e masakrës, në një vendprehje të përbashkët.
Në Gjuzaj, pesë fiset kryesore, morën një goditje thuajse shkatërrimtare. Shpëtuan vetëm ata pak burra që nuk ndodheshin në fshat, apo edhe dikush tjetër që arriti të fshihet. Me largimin e ushtrisë serbe drejt Lushnjes, u krijua një varrezë masive, ku u vendosën disa gurë të cilët identifikonin qartësisht hapësirën ku ishte kryer masakra. Gratë e fshatit në atë kohë i kryen të gjitha ritet shumë shpejt, duke patur frikën e rikthimit të ushtrisë serbe.
I çuditshëm është fakti se këtu asnjëherë nuk është bërë një tentativë për të zbuluar këtë varr masiv.
Gjatë periudhës së komunizmit vendi u kthye në tokë buke dhe nuk u bë asnjë lloj kërkimi. Përse kjo harresë? A kishte një arsye që kjo ngjarje nuk duhej të prekej? Ajo që është më e çuditshme lidhet me faktin se e njëjta situatë vazhdon edhe sot.
Nëse të dhënat gjatë periudhës së komunizmit u mblodhën, mbi to u hodh pak dritë dhe aq më pak u publikuan për të bërë të njohur gjerësisht këtë masakër. Zona ku ndodhej varri masiv u përfshi në pjesën e tokave që u mbollën nga kooperativa dhe punimet e vazhdueshme e ndryshuan thuajse plotësisht strukturën natyrale të vendit. Kështu ndodhi edhe në post vitet 1990, ku jo vetëm asgjë nuk ndryshoi, por indiferenca ishte edhe më e madhe.
Aktiviteti i parë dhe i fundit për të përkujtuar këtë ngjarje është zhvilluar në vitin 1993. Që nga ajo kohë asgjë tjetër nuk ka lëvizur. Askund nuk ekziston një lapidar, një përkujtimore e aq më pak një studim i mirëfilltë për të zbardhur deri në detaje këtë masakër apo çfarë ndodhi pas saj. Gërmime për të rinxjerrë eshtrat siç thonë banorët dhe për t’i rivarrosur në një vend të denjë nuk janë kryer asnjëherë. Në çdo detaj të saj, qoftë dhe tek më të parëndësishmet, kjo ngjarje tragjike është mbuluar dhe për të vazhdohet të heshtet edhe sot, pa u ditur përse./Blitz.al/
Komento
Shperndaje