Blitz

 Breaking News

Mallkimi i një patrioti….

Mallkimi i një patrioti….
March 08
15:39 2017

Nga Marin Mema

Petro Nini Luarasi plot tri herë u mallkua dhe u shkishërua nga klerikët grekë, të cilët u përpoqën me çdo kusht të ndalonin punën e tij të jashtëzakonshme në përhapjen e gjuhës shqipe. Fillimi i shekullit XX është momenti më delikat për fatet e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Të përfshirë në planet e politikës zyrtare greke për të zgjeruar kufijtë në të gjithë jugun e juglindjen, disa klerikë të lartë ishin kthyer në një hallkë të rëndësishme që i shërbente këtij qëllimi.  Skema ishte e qartë: gjuha shqipe duhej të ndalohej kudo e bashkë me të çdo iniciativë që përpiqej ta shpluhuroste, aq më tepër nëse vinte nga rilindës apo patriotë ortodoksë.  Ky element i fundit ishte mjaft i rëndësishëm, pasi politika zyrtare greke në çdo kohë përpiqej ta konsideronte komunitetin shqiptar ortodoks si pjesë të saj.

Ndaj figura si Pandeli Sotiri, Papa Kristo Negovani, Jovan Kosturi, Koto Hoxhi, At Stath Melani, Papa Llambro Ballamaçi, Petro Nini Luarasi e shumë të tjerë u burgosën apo masakruan barbarisht në periudha të ndryshme. Vetë Petro Luarasi para se të helmohej në 1911-n u shkishërua nga Qirrilli, më pas nga Grigori i Kosturit e në fund nga Mitropoliti Fillaret. Për të kuptuar urrejtjen dhe tërbimin që kishte kundrejt figurave të tilla më poshtë po sjellim një pjesë të mallkimit të Mitropolitit të Kosturit Fillaret në 1892-shin.

“Fort të përnderuar priftërinj të katundit Luaras, ju urojmë atërisht dhe ju lajmërojmë se me qënë se Petrua nga katundi Luaras u përlidh me shoqëri masone dhe protestante dhe me qënë që përndau predikime kundër krishtërimit dhe libra të ç’vetnuara është i ç’kisheruar fëmijërisht. Nuk kini pra të drejtë ta kishëroni atë, as të bëni një meshë për fëmijët e tij gjer sa të pendohet dhe të kthehet nga udhë e keqe që po ndjek. Petro Luarasi erdhi përqark katundeve të ndryshme të kazas së Kolonjës duke u zotuar të themelojë shkollat shqipe, ku të mesohet gjoja gjuha shqipe e cila nuk është e qënë. Cilido nga të krishterët që do të pranojë të holla nga i nëmosuri Petro Luarasi dhe shokët e tij, a mesonjës shqiptare a libra masone dhe protestantë: qoftë mallkuar prej perëndis së gjithëpushtetëshme; pastë nëmën e të 318 të tjerëve, atë të kishës, e zëntë krroma e Jeziut; mbetë pas vdekjes i patretur dhe kotruf; dhe të mirë mos paftë, as përparim mos beftë, gjer sa të pendohet dhe të marrë ndjesën dhe përlarjen komunitare”.

Kjo është vetëm një pjesëz e asaj që përballuan këta patriotë të mëdhej pa ndarje besimesh e krahinash, pa çarje e përçarje, myslimanë, ortodoksë e katolikë së bashku, në një dashuri të vetme: atë për gjuhën shqipe!

Share