Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Larg duart nga kanioni i Holtës!- nga Marin Mema

Larg duart nga kanioni i Holtës!- nga Marin Mema
January 26
17:23 2019
Disa vite më parë gjatë realizimit të një dokumentari për zonën e Gramshit, pata fatin të vizitoja kanionin e Holtës. E quaj fat sepse padyshim ai është një ndër vendet më mahnitës të Shqipërisë. I përkëdhelur nga natyra, ai ngjan si të jetë qëndisur prej saj. Me gjurmët e kalave që i lartësohen mbi shkrepa, ky kanion nuk mund të përshkruhet me fjalë. Në brëndësi ujrat termalë e ngushticat e shumta janë më shumë se mahnitëse, teksa pëshpëritjet e natyrës derdhen në të si në një përrallë.
Dikujt ky përshkrim mund t’i duket patetik apo fantazi e momentin, por kanioni i Holtës është vërtetë i tillë. Ai përbën një nga ato vlera të fshehura që për fat i shpëtoi deri më tani barbarisë shkatërrimtare që ka masakruar ç’ka mundur nga natyra e këtij vendi.
Kohët e fundit një firmë private ka nisur punën për ngritjen e një dige, jo më larg se 130-140 metra nga hyrja. Është hedhur beton, është gërryer shtrati, janë kryer punime të cilat pritet të përfundojnë diku në 2020.  Të paktën ky ishte plani deri pak ditë më parë. Askush nuk ka dashur t’ja dijë se kanioni i Holtës është monument natyre, se ka ligje që e mbrojnë apo duhet ta mbrojnë. Institucionet apo zyrtarët ja pasojnë përgjegjësitë njëri tjetrin dhe siç ndodh shpesh në Shqipëri askush nuk përgjigjet ligjërisht për to.
Rasti i Holtës, por jo vetëm, është më shumë se flagrant . Ai tregon sesi korrupsioni, shkeljet ligjore, shkatërrimi e grykësia i japin udhë vendimeve të tilla absurde. Ndërtimi i këtij teci jo vetëm nuk do lejuar, por bashkë me të i duhet dhënë fund praktikave që gllabërojnë ç’të munden duke pasuruar një grup njerëzish e shkatërruar përfundimisht mrekulli të tilla. E po kështu duhet gjykuar për Zagorinë një tjetër zonë që mund të humbë nga kërkimet e naftës.
Në mëse 28 vite ne i kemi shkaktuar më shumë dëme këtij vendi se ç’kanë bërë shumë nga pushtuesit e tij. Ndaj ka qenë gjithmonë e nevojshme të ndajmë pushtuesit e vjetër që erdhën nga të gjitha anët dhe ata të rinj që i kemi këtu mes nesh.
Ndryshimi në fakt nuk është shumë i madh!
Komento
Shperndaje