Blitz | Kliko dhe Informohu

 Breaking News

Kështjella fantazëm (nga Marin Mema)

Kështjella fantazëm (nga Marin Mema)
May 31
20:20 2019
Jo larg fshatit Shënmëri të Tiranës banorët prej kohësh identifikojnë një vend të cilin e quajnë kala, por ku nuk ka asnjë rrënojë të dukshme. Vendi është bosh, thjesht një fushë, ku asnjëherë nuk janë kryer gërmime arkeologjike. Pozicioni dominues mbi luginë është krejtësisht i favorshëm për të ndërtuar një të tillë dhe emërtimi nuk mund të jetë pa asnjë lidhje, megjithatë askush nuk mund të thotë më shumë. Arkeologët nuk i kanë dhënë asnjëherë rëndësi këtij vendi, siç ka ndodhur në përgjithësi me të gjithë këtë zonë të Tiranës.
Inxhinierët gjeologë mendojnë se këtu ka ndodhur një rrëshkitje masive dheu, një erozion i cili ka fundosur ndoshta gjymtyrët e dukshme të kështjellës. Një situatë e përafërt ka qenë ajo në fshatin Shëngjergj, kur vetëm pak kohë më parë u zbulua kalaja e Skrepit. Edhe aty nuk kishte asnjë gjurmë, madje edhe vetë banorët në shumicë nuk ishin në djeni të saj. E pra, nëntokë qëndronte një kështjellë, ndaj atëherë është e pamundur të mos mendosh se edhe këtu jo larg fshatit Shenmëri qëndron një e tillë…
Në fakt do të mjaftonin disa sondazhe, siç i quajnë ekspertët e fushës, për të kuptuar nëse ky vend fsheh nën vete rrënoja të vjetra, gjurmë apo të dhënat e një kështjelle. Banorët tregojnë se edhe kur toka është punuar nuk është zbuluar asnjë mbetje qeramike apo objekte të tjera. Po atëherë përse ky emërtim?
Varianti më i besueshëm mbetet ai i gjeologëve që hamendësojnë zhytjen e saj në thellësi, mbuluar nga dherat. A është vërtetë kështu? Kjo është e vështirë të thuhet, enigma mbetet e ajo do të flejë derisa dikush të kujtohet për të gjurmuar kështjellën fantazëm të Shënmërisë. Deri atëherë është e vështirë të thuhet më shumë, megjithatë e gjithë kjo histori mbetet jo pak tërheqëse. Kush ka jetuar në këtë vend? Sa e vjetër është kjo kështjellë nëse vërtetë ka pasur një të tillë? Për sa kohë është përdorur dhe cili ka qenë fati i saj?
Të gjitha këto pyetje, për fat të keq mbeten pa përgjigje…
/Blitz.al/
Share