Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

“Kanina e historisë”- nga Marin Mema

“Kanina e historisë”- nga Marin Mema
March 06
22:40 2018

Nga: Marin Mema

E ngritur në një pozicion dominues e fortë të mbrojtur kalaja e Kaninës përfaqëson gjurmë të lashta që i gjejnë fillimet e tyre masive në periudhën ilire. Mjaft interesant është fakti se gërmimet arkeologjike kanë dhënë katër faza të zhvillimit të saj.
Muret Ilire të Kaninës për nga teknika ndërtimore ngjasojnë me ato të mjaft qendrave të tjera siç janë Amantia, Bylisi, Nikaia, Antigonea e me radhë. Gërmimet arkeologjike kanë dalë në përfundimin se ato i përkasin shekujve të III e të IV para erës sonë. Faza e dytë ndërtimore është ajo e antikitetit të vonë kur sipas arkeologut Damian Komata u rindërtuan muret rrethuese të kështjellës. Pra në këtë pikë kemi mbivendosjen e parë, e cila do të vazhdojë edhe në fazat pasuese.


Mesjeta e hershme apo shekujt X – XIII përbëjnë fazën e tretë të sitit arkeologjik në Kaninë. Këtu mënyra e ndërtimit është thjeshtësisht e dallueshme, pasi gurët janë më të vegjël e të ndryshëm nga ata masivë të përdorur më parë. Kësaj faze i takon edhe një pjesë e ndërtimeve të brendshme, të cilat mesaduket janë përforcuar ndjeshëm në këtë periudhë. Sigurisht faza pasuese ajo e shekujve XIII – XIV sipas ekspertëve nuk ka ndryshime rrënjësore, përveç restaurimeve të ndryshme dhe përdorimi i trarëve të drunjtë dhe copave të tjegullave për të plotësuar boshllëqet e mureve.


Punime në kështjellën e Kaninës janë ndërrmarë gjatë betejave të ashpra mes bizantinëve dhe anzhuinëve. Burime të ndryshme gjatë shekullit të XIII flasin për masat e marra në këtë drejtim nga Karli Anzhu që kërkonte fuqizimin e pozitës në territoret arbërore. Nuk duhet harruar ndërhyrja e bërë në strukturë më parë edhe nga perandori Justianin siç dëshmon historiani i shquar bizantin Prokopi i Çezaresë. Rindërtime të ndryshme kështjella ka pësuar edhe gjatë pushtimin osman, ku sigurisht ndërhyrjet kanë qenë më pak cilësore. Betejat e mëdha të zhvilluara në muret e këtij vendi gjatë mesjetës kanë detyruar realizimin e ndërhyrjeve më të shpeshta që simbolizojnë edhe zhvillimet historike më të cilat janë përplasur këto territore të lakmuara.


Në çdo rast kështjella e Kaninës ka patur një mur rrethues të plotë që prej të paktën shekullit të IV para erës sonë, gjë që dëshmon lashtësinë e kësaj qendre dhe rëndësinë e saj që në kohët më të hershme. Gërmimet kanë nxjerrë në dritë materiale arkeologjike që tregojnë për banimin e këtij vendi edhe më herët diku në shekujt VII – VI para erës sonë, që lidhet me një vendbanim paraurban. Për fat të keq për këtë pjesë dihet pak, për të mos thënë aspak. /Blitz.al/

 

Komento
Shperndaje