Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

“Iliria në sytë e të lashtëve” – nga Marin Mema

“Iliria në sytë e të lashtëve” – nga Marin Mema
April 10
20:18 2018

Nga: Marin Mema

Një përmbledhje interesante me pohime të bëra nga historianë e autorë të ndryshëm të botës së lashtë jep mjaft detaje të rëndësishme që lidhen me të sotmen, mbi zona të caktuara apo realitete historike të pandryshuara.

  • Herodoti (Historian, i njohur ndryshe si babai i historisë)

Unë nuk jam në gjendje që të provoj, me siguri, gjuhën që flisnin Pellazgët. Sidoqoftë është e pranueshme të bësh një konkluzion prej gjuhës së folur nga Pellazgët të cilët jetojnë akoma. Ka pellazgë të cilët kanë mundur të jetojnë në qytetin Kreston. Gjenden të tjerë pellazgë të sistemuar në Plakia dhe Skylake në Hellespont. Janë gjithashtu një numër komunitetesh të vogla pellazge që e kanë quajtur veten me tjetër emër. Nëse do të më lejohej të nxirrja një konkluzion nga këto raste, atëherë na jepet e drejta të themi se pellazgët kanë qenë folës të një gjuhe të ndryshme nga ajo greke.

Në Apolloni ka dele, të cilat i janë kushtuar Diellit. Këto dele ditën kullosin pranë lumit që buron nga lumi Lakmon, dhe qe kalon përmes tokës së Apollonisë dhe derdhet në det afer limanit të Orikut; ndërsa natën i ruajnë burra të zgjedhur, qytetarë nga më të shquarit si nga pikëpamja e pasurisë ashtu edhe e fisit. Secili nga këta i ruan një vit të tërë. Në të vërtetë Apolloniatët i çmojnë shumë këto dele për shkak të një thënie që kanë marrë nga orakulli dhe i mbajnë në një shpellë larg qytetit.

 

  • Lukiani (Shkrimtar i shek II të erës sonë)

Mbreti ilir Bardhyli, thuhet se luftoi mbi kalë në luftën kundër Filipit, kur ishte 90 vjeç.

 

  • Curti Rufi (Historian që jetoi dhe punoi në shek I të erës sonë)

Pastaj duke patur frikë për të ëmën dhe për vete, Aleksandri i madh, vajti te mbreti i Ilirisë dhe e la të ëmën në Epir, ku ishte mbret i vëllai i saj.

 

  • Aristoteli (Filozof, mendimtar. Lindi në vitin 384 para erës sonë – vdiq në vitin 322 para erës sonë)

Në Apolloni, që ndodhet pranë krahinës së Taulantëve, thonë se del asfalt dhe pisë, si currila që shpërthejnë nga toka; këtu ai del më i zi dhe më i dendur se i Maqedonisë dhe banorët thonë se jo larg këtij vendi është një zjarr që qendron i ndezur vazhdimisht dhe zë një sipërfaqe fare të ngushtë.

 

  • Straboni (Historian, gjeograf. Lindi rreth vitit 63 para erës sonë – vdiq rreth vitit 20 të erës sonë)

I gjithë bregdeti i Ilirisë është me shumë limane të mira, si në bregdetin e gjatë ashtu edhe në ishujt e afërm, kurse përkundrazi, ana e Italisë perballë s’ka limane. Gjithashtu i ngrohtë dhe frytdhënës është ky vend, se ka plot ullishta dhe vreshta të mirë.

 

  • Skymni (Gjeograf që jetoi dhe punoi në shek III-II para erës sonë)

Pastaj vjen Iliria, një tokë e gjatë me shumë popuj brënda. Thonë se popullësia e saj është shumë e madhe; nga këta popuj disa banojnë në viset e brëndshme duke lëruar tokën, disa të tjerë anës detit Adriatik. Thonë se këta i nderojnë shumë perënditë , se janë shumë të drejtë dhe mikëpritës, se e duan jetën shoqërore dhe janë të shtënë pas një jete shumë të hijshme.

 

  • Tukiditi (Historian. Lindi në 460 para erës sonë – vdiq pas vitit 400 para erës sonë)

Epidamni është një qytet që gjendet nga ana e djathtë kur hyn në gjirin e Jonit. Pranë tij banojnë taulantët, fis ilir. Ky qytet u kolonizua nga kërkyrasit.

 

 

  • Tit Livi (Historian që jetoi diku mes vitit 59 apo 69 para erës sonë dhe vdiq në vitin 17 të erës sonë)

Kur romakët pushtuan gjithë Ilirinë, nga deti Adriatik deri në lumin Danub, në gjithë Ballkanin e vetmja krahinë e papushtuar kishte mbetur ajo e Pirustëve, që përkon me Mirditën e sotme.

 

  • Ciceroni (Orator që jetoi nga viti 106 para erës sonë deri në vitin 43 para erës sonë)

Unë erdha në Dyrrah për arsye se ky është qytet i lirë dhe besnik ndaj meje, si dhe i vendosur afër Italisë. Por nëqoftëse popullësia e këtij vendi do të më shqetësojë, do iki në ndonjë vend tjetër dhe do të shkruaj.

 

  • Dionisi i Halikarnasit (Dijetar)

Thonë se Enea i ardhur nga Molosia në Itali ndërtoi bashkë me Odisenë qytetin, të cilin e quajti Romë me emrin e njërës prej Iliadave.

 

  • Plini (Shkrimtar dhe burrë shteti. Lindi në vitin 23 apo 24 të erës sonë)

Sipas mendimit  të tij, shprehur në disa vepra të ndryshme jepen mjaft të dhëna interesante.

Bregu i Ilirisë ka më shumë se një mijë ishuj; deti është këtu i cekët dhe me kanale të ngushta që ndajnë ishujt mes tyre.

Në Kaoni e ziejnë ujët e një burimi dhe duke e ftohur nxjerrin nga ky një kripë të dobët jo të bardhë.

Genti, mbreti i ilirëve zbuloi lule Gentianën (Gentiana Lutea) e cila ajo rritet kudo, por çmohet më tepër ajo e Ilirisë.

 

  • Demosteni (Orator, u lind në vitin 384 para erës sonë dhe vdiq më vitin 322 para erës sonë)

Përsa i përket Ilirëve dhe të gjithë fqinjëve të tyre në përgjithësi, duhet besuar se për ta është më e kënaqshme të jenë të pavarur e të lirë sesa të nënshtruar. Janë njerëz që nuk janë mësuar të binden.

 

  • Plutarku (Historian dhe filozof, u lind diku në vitin 46 të erës sonë dhe vdiq rreth vitit 120)

Pasi shpëtuan Pirron e vogël nga ndjekësit, arritën në Iliri tek mbreti Glaukia dhe pasi e gjetën në shtëpi së bashku më të shoqen, e vendosën fëmijën përdhe në mes të tyre. Pirrua vetvetiu u afrua këmbadoras deri tek mbreti dhe si e kapi me dorë rrobën dhe u ngrit në këmbë, duke u mbajtur në gjunjët e tij, e bëri të qeshë një herë, po pastaj i shkaktoi dhimbje duke qëndruar si një lutës që derdh lot. Ai ia dorëzoi Pirron menjëherë të shoqes me urdhër që ta rriste së bashku me bijtë e tjerë dhe pak më vonë, ndonëse fëmija u kërkua nga armiqtë e tij e megjithëse Kasandri i premtoi dyqind talente, mbreti nuk e dorëzoi, por kur arriti në moshën dymbëdhjetë vjeçare, pasi e dërgoi në një ushtri të madhe në Epir, e vendosi në fron.

 

/Blitz.al/

Komento
Shperndaje