Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Historia e përmbytur…

Historia e përmbytur…
April 13
14:12 2018

Nga Marin Mema

Prej disa muajsh qyteti i lashtë i Hadrianopolit pak kilometra nga Gjirokastra është në gjendjen që duket në këtë foto. Ai është kthyer në një liqen që nuk lidhet thjesht me rreshjet e shumta të muajve të fundit, por me faktin se askush nuk ka marrë masa mbrojtëse që uji i kanalit kullues pranë dhe po ashtu edhe përroi të mos derdhen në këtë vend.

Turistët e shumtë që janë ndalur për ta vizituar sot këtë sit arkeologjik nuk kanë patur shumë për të parë. Ashtu si të gjithë të tjerët përgjatë kohëve të fundit, ata janë mjaftuar vetëm me këngën e bretkosave që kanë gjetur hapësirën e përshtatshme për t’u shtuar.

Qyteti i Hadrianopolit është ndërtuar pas shkatërrimit të Antigonesë nga ushtritë e konsullit romak Pal Emili në vitin 167 para Krishtit. Emrin qendra e mori nga perandori Hadrian që u kujdes t’i jepte edhe një plan urbanistik të denjë për kohën.

Sot Hadrianopoli që mendohet se u venit diku para shekullit të Vl, ndodhet nën ujë e kështu edhe teatri nga i cili dallohen vetëm pak rrënoja. Për këtë qytet të rëndësishëm kemi folur edhe më parë, por gjendja e tij aktuale nuk mund të mos rikthente vëmendjen tonë. A mundet të qëndrojë në këtë gjendje një sit arkeologjik? Çfarë mund të gjejnë apo prekin nga historia e këtij vendi turistët që ne takuam? Sigurisht asgjë, veç fjalëve me të cilat nuk ruhet trashëgimia e aq më pak duhet pretenduar për turizëm të vërtetë. /Blitz.al/

 

Komento
Shperndaje