Blitz | Kliko dhe Informohu

 Breaking News

Historia “e nëmur” 98 vjeçare e zgjedhjeve (nga Marin Mema)

Historia “e nëmur” 98 vjeçare e zgjedhjeve  (nga Marin Mema)
May 16
18:36 2019
98 vjet më parë, në mars të 1921 në Shqipëri u zhvilluan zgjedhjet e para.
Parlamenti kishte 78 deputetë dhe përballë qendronin dy forca kryesore politike, ajo e drejtuar nga Fan Noli dhe tjetra nga Hoxhë Kadriu. Ajo çfarë mund të konstatohet me lehtësi është se parlamenti i parë, sa i takon nivelit të figurave dhe përgatitjes së tyre, qendron shumë herë më lart se ai i sotmi…
Sipas konstitucionalistes Aurela Anastasi një ligj të mirëfilltë për zgjedhjen e deputetëve e kemi që në vitin 1920 por që është kritikuar për mangësi të mëdha. Por fill pas një viti nga hartimi i këtij ligji, referuar të dhënave, situata në të gjithë vendin në këto zgjedhje të para ishte e acaruar. Elementët turkomanë nxitën mospjesëmarrjen në proces, ndërsa në zona të tjera ju bë jehonë propagandës së ndarjes krahinore në bazë të së cilës qendronte teoria se gegët dhe toskët nuk mund të bashkëpunonin me njëri – tjetrin.
Por nëse ligji i vitit 1920 shkaktoi përplasje të forta, asgjë nuk ndryshoi në atë të 1923 të miratuar nga qeveria e kohës. Opozita propozoi disa kërkesa thelbësore, sipas saj për të siguruar zgjedhje të lira dhe të ndershme, por ato nuk u morën parasysh. E jo vetëm kaq, sepse lufta politike u bë edhe më e ashpër. Kërkohej përmirësimi i mekanizmave të votimit me qëllim që ai të realizohej plotësisht i fshehtë. Gjithashtu një nga kërkesat e opozitës ishte që votimi i qytetarëve të mos kryhej nëpërmjet biletave të shkruara, por të kryhej nepërmjet saçmeve, ose goglave, pasi sipas statistikave të kohës mbi 90 % e popullsisë së kohës ishte analfabete. Kërkesat e tjera u parashtruan mbi mosndërhyrjen e qeverisë dhe madje u kërkua një qeveri neutrale që të drejtonte vetëm zgjedhjet, si dhe përjashtrimi i ushtrisë nga pjesëmarrja në zgjedhje.
Ahmet Zogu në krye të Partisë Popullore fitoi zgjedhjet, por shumicën mundi ta krijonte vetëm përmes koalicionit me një listë të pavarur, të drejtuar nga Iljaz Vrioni.
Asgjë nuk u përmirësua më tej, përkundrazi, e gjithë situata e mbartur nga vitet e mëparshme shpërtheu më fort në 1924. Më herët, në muajin shkurt, u plagos Ahmet Zogu, ndërsa pak javë më pas si kundërpërgjigje në Tiranë u vra Avni Rustemi. Debatet dhe akuzat politike ja lanë vendin armëve…
Qeveria nuk ishte në gjendje ta vazhdonte detyrën e vetë dhe Ahmet Zogu u tërhoq drejt kufirit Jugosllav, duke e cilësuar atë si një shtet të favorshëm për ta rikthyer në pushtet. Kështu ndodhi vetëm pak muaj më pas. Në dhjetor 1924 Ahmet Zogu mbështetur nga bjellogardistët rusë dhe i furnizuar nga armët serbe, nisi rikthimin në Shqipëri për të marrë pushtetin.
Viktima e parë pas luftimeve të forta ishte Elez Isufi, por të njëjtin fat disa muaj më pas pati edhe Bajram Curri. Kjo ishte pikënisja e një përgjakje që do të përfundonte në vitin 1933 me vrasjen në Selanik të Hasan Prishtinës.
Me rikthimin e tij, Ahmet Zogu ringriti institucionet e dala nga Asambleja Kushtetuese e vitit 1923.
Në seancë ishin vetëm një pjesë e deputetëve, pasi pjesa tjetër ishin larguar nga vendi. Vetëm me këto vota kuvendi i kohës e shpalli Shqipërinë Republikë dhe Ahmet Zogun President të saj. Në 16 mars 1925 ai dekretoi zgjedhjet e reja parlamentare, pa opozitë. Në këto zgjedhje janë të dokumentuara qarkoret e shumta të shpërndara ku i kërkohej prefekturave të merrnin masa të rrepta dhe të investoheshin plotësisht në kontrollin ndaj procesit. Në garë merrte pjesë lista e qeverisë dhe ballë saj, kandidatë të pavarur që në masë dërrmuese ishin mbështetës të pushtetit. Kjo ishte një formë për të legjitimuar të gjithë procesin zgjedhor në sytë e fuqive të mëdha. Pavarësisht se lista e të pavarurve ishte miratuar nga vetë qeveria, asnjë prej tyre nuk duhet të fitonte. E në këtë pikë dokumentat tregojnë se është përdorur dhuna dhe paratë, sidomos në zonat rurale.
Në veprën “Republika Shqiptare” të historianes Fatmira Musaj renditen një sërë të dhënash të tjera që lidhen me shpërndarjen e fondeve sekrete në mjaft zona të vendit, të cilat janë përdorur për blerjen e votuesve apo komisioneve zgjedhore. Mesaduket një ndër to ka qenë edhe Gjirokastra, apo edhe Shkodra, ku zgjedhjet raportohet të jenë zhvilluar në kushtet e shtet-rrethimit. Vëmendje të theksuar ka patur në Korçë, Vlorë, Durrës e Pogradec. Ndërsa ankimim për parregullsi ka patur nga zgjedhësit e Delvinës e kështu me radhë.
Nga viti 1925 e deri në pushtimin italian nis një tjetër etapë. Ajo karakterizohet nga fitoret e thjeshta të pushtetit. Reformat zgjedhore mungojnë dhe numri i votuesve është gjithmonë e më i ulët.
Mesa duket mungesa e stabilitetit sa herë afrohen periudhat elektorale është një histori e trashëguar, që na ndjek të paktën prej 98 vitesh.
Share