Blitz | Kliko dhe Informohu

 Breaking News

Guri i bardhë…

Guri i bardhë…
April 09
17:16 2017

Nga Marin Mema

 

Drejt Gurit të Bardhë, destinacionit tonë, mund të shkosh ose përmes krahut që vjen nga Qafa e Murrizit, ose përmes Klosit. Zgjedhim të parin për të zbuluar kështu edhe një pjesë të fytyrës deri më sot të fjetur të një zone kaq afër dhe larg kryqytetit.

Kalaja e Gurit të Bardhë apo Petralbës, siç njihet ndryshe dikur ishte një ndër selitë e Kastriotëve. Sipas historianëve zona përbënte një ndër pikat e rëndësishme nën varësinë e tyre me një popullsi jo të vogël për kohën. Edhe sot shekuj më pas përrethmi jetohet, mes historisë e realitetit që pak shkëputen nga njëri-tjetri.

Ngjitja drejt selisë së dikurshme që siç shkruan Marin Barleti frekuentohej në mënyrë të rregullt nga Donika Kastrioti, por edhe nga bashkëshorti i saj Gjergj Kastrioti Skënderbeu është një kacavirrje e vazhdueshme mes majave të thepisura. Duket e jashtëzakonshme të shohësh vendin e saj, ndoshta për këtë Barleti e cilësonte një kala të ngritur majë një mali e që s’i trembej asnjë fuqie armike, përveç urisë.


Ashtu siç pritej kalaja është lënë në mëshirë të fatit, një pjesë e mureve kanë rënë kurse të tjera kanë mbetur aty të braktisura. Sipas studiuesve jo larg shtrihej edhe qendra e banimit që u ngrit me shumë gjasa pas rënies të asaj antike të Xibrit.

Tejmi duket fshati i Gurit të Bardhë dhe ai i Petralbës që dikur kanë qenë një i vetëm. Ato u ndanë gjatë regjimit komunist, e megjithatë sërish funksionojnë thuajse si një i tërë. Shtëpitë e  mëdha e të gurta tregojnë pozitën e dikurshme që kanë patur banorët, edhe pse sot vështirësitë kanë ndikuar mjaft në jetesën e tyre.

Fshati që rrënjët i ka në histori e që prej saj, por edhe natyrës së virgjër duhet të tërhiqte vëmendje e pse jo turistë , sot zgjidhjen më të madhe e jep përmes largimit të banorëve.

E të mendosh se dikur në këtë zonë arsimohej një figurë e madhe si Pjetër Budi, djal i Gurit të Bardhe, ku jetoi siç thonë shumë studiues deri të paktën në moshën 21-vjeçare. E po kështu kanë dalë edhe shumë figura të tjera nga kjo pjesë, banorët e së cilës duket se shquhen, jo thjesht për mikpritjen, por edhe një zemër e kulturë të madhe.

Guri i Bardhë merrte frymë atëherë kur shumë qytete të sotme nuk ekzistonin, kishte banorë kur zona të tjera ishin vetëm një grusht, e megjithatë ndryshe nga dikur sot mbështetje ende nuk  ka parë. “Rruga e Arbërit” është hapi i parë e pas saj projektet duhet domosdoshmërisht të prekin këtë zonë, për ta rikthyer aty ku e ka vendosur historia . Diçka është e sigurtë Guri I bardhë dhe e gjithë zona janë një mrekulli. /Blitz.al/

Share