Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Gruaja ilire

Gruaja ilire
January 25
23:31 2018

Marin Mema

 

Nga autorët antikë Ilirët konsideroheshin si një civilizim i cili ishte mjaft i lidhur me konsumin e verës dhe jo vetëm. Fakt është se i gjithë territori sidomos pjesa bregdetare dokumentohet si një oaz i tejmbushur me vreshta dhe ullishte. Ilirët siç thonë disa autorë antikë në nivelet e larta konsumonin sasi të konsiderueshme vere, ndërsa pjesa e varfër një lloj birre që bëhej nga elbi e që quhej Sabaia.

Natyrshëm dikush do të pyesë se ç’lidhje ka konsumi i madh i alikolit nga paraardhësit tanë me emancipimin dhe rolin e gruas në shoqërinë e kohës ….

E pra disa autorë antikë siç janë ata grekë Atheneu dhe Theopopi në përpjekje për të denigruar e përçmuar shoqërinë ilire pa kuptuar kanë bërë krejt të kundërtën. Grave greke qoftë edhe atyre të rangut të lartë nuk u lejohej të pinin verë në vënde publike sëbashku me bashkëshortët e tyre, ndryshe i priste dënimi me vdekje.

Tek Ilirët realiteti ishte i ndryshëm . Burrat e këtushëm shkonin nëpër gosti ku konsumonin alkol sëbashku me partneret e jo vetëm kaq. Të njëjtët autorë , por edhe mjaft të tjerë theksojnë se sasitë e konsumuara të verës ishin aq të mëdha sa nuk përbënte aspak çudi të shikoje më pas gratë që mbanin në shpinë burrat e tyre.

Pija e preferuar ishte vera e mjaltit, një lloj pije e ëmbël dhe mjaft e fortë e që konsumohej nga shtresat e larta. Pritjet ishin masive, jo domosdoshmërisht të mbyllura, por edhe krejtësisht të hapura.

Pra nëse në Greqi konsumi i verës ishte një ekskluzivitet i burrave, në Iliri diçka të tillë bashkëshortët e bënin në mënyrë të barabartë. E kjo tregon qartë barazinë , mentalitetin dhe shoqërinë e hapur e aspak paragjykuese që egzistonte që në atë kohë.  Gratë ndihmonin burrat e tyre, duke dhënë një mesazh se jo domosdoshmërisht ishin seksi i dobët. E kjo ndodhte rëndom në civilizimin Ilir, i cili jo më kot ka patur natyrshëm në krye edhe një mbretëreshë siç ishte Teuta…

Sigurisht konsumi i alkolit nuk ishte kaq i madh sa përpiqen ta argumentojnë autorët grekë, të cilët prerferojnë ti konsiderojnë Ilirët thuajse të alkolizuar.  Kjo ndodhte vetëm në bankete, e pritje të ndryshme. Në shoqërinë Ilire nuk egzistonin tabu të tilla. Pa kuptuar stigmatizimi që këta autorë kanë dashur t’i bëjnë ilirëve ka rezultuar një element që i ka shërbyer të kundërtës….

Ky është një tregues sesi funksiononte shoqëria e kohës e cila sigurisht ka patur mjaft elementë që sfidonin edhe të tashmen. Gruaja e burri nuk diferencoheshin, çifti konsiderohej si një i vetëm dhe si i tillë paraqitej kudo.

Historia e deformuar e mardhënies burrë grua, e raportit mes tyre, e paragjykimeve, e gjithçkaje tjetër nuk është një traditë shqiptare, e nuk duhet konsideruar si e tillë.  Faktet tregojnë tjetër gjë. Ndaj për të kërkuar modele nuk është e nevojshme të sforcohemi duke u zgjatur nga perëndimi, mjafton të kthejmë kokën nga rrënjët tona, nga paraaradhësit tane e të rizbulojmë vetveten, të rikuptojmë kulturën tonë të lashtë e që duhet të jetë sot një mësim për të gjithë. /Blitz.al/

 

Komento
Shperndaje