Blitz | Kliko dhe Informohu

 Breaking News

Gradishta e Symizës (nga Marin Mema)

Gradishta e Symizës (nga Marin Mema)
September 24
17:44 2018

 

Gradishta e Symizës, përndryshe njihet si një vendbanim ilir i cili lartësohet mbi një kodër në veri të qytetit të Maliqit.

Gradishta të krijon mundësinë për të kontrolluar një horizont të gjerë dhe nga lindja të ofron pamje të fushës së Korçës, e cila i ka mundësuar kushte të favorshme për zhvillimin e bujqësisë dhe blektorisë, sikurse na bën me dije arkeologu Petrika Lera. Kaq ndoshta do të mjaftonte për ta përcaktuar me pak fjalë pozicionimin gjeografik, por mund të thuhet akoma më shumë lidhur me rëndësinë dhe vlerat e hershme të këtij vendbanimi ilir.

Ndërkohë gërmimet e mirëfillta arkeologjike, sikurse saktëson prof. Gjerak Karaiskaj u zhvilluan në vitet 1973-1975 nga ku dolën në dritë materiale qeramike që datojnë nga periudha e vonë e brozit e deri në mesjetë. Ndër të tjera gjatë gërmimeve u zbuluan edhe objekte zbukurimi me kockë dhe bronz, amfora dhe enë me parete të trasha qeramike të periudhës së vonë antike si dhe vegla pune. Përfundimet e të gjitha kërkimeve të çojnë në faktin se Gradishta ka qenë një vendbanim i fortifikuar apo kështjellë, ku periudhën e jetës së saj më intensive e njeh gjatë antikitetit të vonë.

Pjesa më e madhe e asaj që dihet për Gradishtën është vetëm rezultati i punës dhe veprës së arkeologëve që kanë pasur mundësi ta eksplorojnë këtë vend, por sot në terren është e vështirë të gjesh diçka të dukshme, të paktën për “sytë jo ekspert”. Koha ka bërë të sajën, sigurisht edhe ndërhyrjet e dorës së njeriut. Por gjithësesi kjo nuk do të thotë se kërkimet e tjera arkeologjike nuk do të zbulonin më shumë për Gradishtën e Symizës përsa kohë shumë gjurmë të tjera fshihen ende nën tokë.

/Blitz.al/

Share