Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Gjurmë fantastike të lashtësisë që do t’ju habisin…- Nga Marin Mema

Gjurmë fantastike të lashtësisë që do t’ju habisin…- Nga Marin Mema
July 22
20:21 2019
Autorët e lashtësisë kanë lënë pas jo pak të dhëna për popullësinë ilire, mënyrën e jetesës, zakonet, veshjet, traditat e mjaft detaje të tjera interesante. Pikërisht ky element i fundit bije në sy për një sërë të dhënash që mund të përkufizohen mes çudive, legjendave e të vërtetave.
Cfarë do të thotë kjo?
Le të shpluhurosim më poshtë disa detaje të shkruara nga autorë të ndryshëm në antikitet për atë që prekën e zbuluan në Iliri. Me disa prej tyre të pasqyruara në një botim të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë disa dekada më parë do të habiteni…
Atheneu
Gjedhët e Molosisë thuhet se kishin brirë shumë të mëdhenj. Theompopi në librin e dytë të “Filipika”, duke folur për mbretërit e paionëve, thotë se brirët e qeve, që rriteshin në tokat e tyre, ishin aq të mëdhenj sa prej tyre bënin kupa, buzët e të cilave i vishnin në argjend ose ar.
Eliani
Më i guximshmi nga qentë është ai molos, meqënëse edhe burrat molosë janë të tillë.
Drerët e Epirit notojnë për në Kërkyrë (Korfuz) dhe këta, dmth Epiri dhe Kërkyra, ndodhen ballë për ballë njëra tjetrës në ngushticë.
Është një kafshë e Paionisë që thirret monop dhe nga madhësia i përngjet një demi leshator
Shumë bretkosa të pazhvilluara mirë ranë nga qielli dhe bënë që autariatët të vendosen në një vend tjetër.
Nikolla i Damaskut
Autariatët nuk i braktisin kurrë të gjallë gjatë udhëtimit ushtarët e ligështuar.
Herodoti (I njohur si babai i historisë)
Pellazgët kishin zakon t’u flijonin perëndive çdo gjë, sikurse e mësova në Dodonë dhe ato nuk kishin për ta ndonjë emër, pasi nuk i ka dëgjuar njeri t’i thërrasin me emra. Ata i thirrësnin në përgjithësi si perëndi.
Skylaksi 
Kaonia ka limane të mira; kaonët banojnë nëpër katunde. Lundrimi anës Kaonisë mban gjysmë dite.
Aristoteli
Në Iliri dhe në Paioni, sikundër edhe gjetkë, ka derra njëthundrakë…
Kopetë e bagëtive vuajnë më pak kur lëvizin në ngrica, se sa në borë. Ato rriten në qoftëse veçohen për një kohë të gjatë nga ndërzimi, prandaj barinjtë në Epir i mbajnë kopetë pirrike, si quhen ato, për nëntë vjet pa i ndërzyer që të mund të rriten.
Thuhet se tek Ilirët gjëja e gjallë pjell dy herë në vit dhe më të shumtat bëjnë binjakë, bile shumë tre ose katër keca, disa pesë e më tepër.
Straboni
I gjithë bregu i Ilirisë është me shumë limane të mira si në bregdetin e gjatë, ashtu edhe në ishujt e afërm, kurse përkundrazi ana e Italisë përballë s’ka limane.
Plini
Në tokat e Ilirisë ka një burim të ftohtë që i djeg veshjet e ndera mbi të. Në Lynkesti ka një ujë të thartë, i cili deh sikurse të ishte verë.
Në Nymfe nga shkëmbi del një flakë që ndizet nga shirat.
Sipas Aleksandër Kornelit një i quajtur Dandon nga Iliria, jetoi 500 vjet
Organet e brëndshme tek gjarpërinjtë e zhapinjtë janë të stërzgjatura. Thuhet se kur shenjat nuk ishin të mbara në një flijim, nga të brëndëshmet e kafshëve të therura dilnin dragoj
Sigurisht ka shumë elementë të tjerë të cilët autorët e lashtësisë i kanë cituar në veprat e tyre. Një pjesë janë identifikuar, të tjerë ende edhe sot qëndrojnë si gjurmë misterioze të një populli të lashtë e të civilizuar siç ishin Ilirët, paraaradhësit tanë.
/Blitz.al/
Komento
Shperndaje