Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Fustanella, një histori e rrëmbyer

Fustanella, një histori e rrëmbyer
February 21
20:21 2018

Nga Marin Mema

 

Ndonëse termin fustan dhe historikun e prejardhjës së tij e hasim në një dokument të vitit 1335, padyshim që origjina e kësaj veshje i takon lashtësisë së largët. Është pikërisht një pëlhurë e pambuktë, në ngjyrë të bardhë e cila përmendet shpesh në shekujt XIII-XV e quajtur “fustagno”, prej së cilës prodhohej fustanella dhe që mendohet të jetë pikërisht origjina e emërtesës së saj.

Ndërkohë një gur varri i gjetur ne Smokthinë të Vlorës, ku shfaqet një njeri i veshur me fustanellë, është një dëshmi e rëndësishme e kohës së vonë antike, që mendohet se i takon shekujve III-IV të erës sonë. Njëkohësisht, një varg gjetjesh të tjera nga zona të ndryshme të Gadishullit Ballkanik dëshmojnë për ekzistencën e kësaj veshje që në shek. V para erës së re, e përdorur si për burra edhe për gra.

Pra, mesa duket fustanella ka qenë nje veshje e hershme mes atyre të përdorura nga fiset e ndryshme ilire, ndërsa mes popujve të vjetër një veshje shumë të ngjashme me fustanin ilir kanë pasur keltët, prej të cilëve skocezët trashëguan “kiltin” e tyre. Siç dihet keltët kanë rënë në kontakt me ilirët qysh në shekullin e IV para erës së re dhe gjurmë të këtij kontakti janë hasur edhe në gjuhë. Dëshmitarë të fustanellës tek popullësia ilire janë objektet e shumta arkeologjike, të cilat janë referenca me e plotë dhe kokëfortë e kësaj lidhje që sot për fat zyrtarisht është humbur.

Ajo që mund të thuhet me siguri është se fustanella e përdorur nga Garda Presidenciale greke është një deformim i asaj që në fakt përdorej deri vonë thuajse në të gjitha trojet shqiptare. Jo më kot shumë autorë janë mahnitur me këtë veshje, siç ishte mes tyre edhe Bajroni të cilin e tërhoqi edhe materiali cilësor që përdorej për të. Faik Konica duke ju referuar të dhënave të ushtarakut e studiuesit William Martin Leake thekson se grekët e pranuan këtë veshje vetëm në shekullin e 19 çka konfirmohet edhe nga historiani skocez George Finley, por edhe shumë studiues të tjerë.

Referuar një sërë konsiderave etnografike por edhe faktit se fustani e le të ekspozuar kraharorin dhe konsiderohet si një veshje tipike zonash me klimë të butë, arrihet në konkluzionin se ai përbën një element mirëfilli ilir siç thekson në studimin e saj të plotë akademikja Andromaqi Gjergji . Vepra e saj për veshjet shqiptare mbetet referenca më kryesore e profesionale qe analizon nga origjina e deri tek tipologjia e zhvillimi këtë element thelbësor të identitetit kombëtar.

Dëshmitë e mësipërme por edhe të tjera më të reja nga gjetjet arkeologjike, tregojnë qartë se fustani përdorej gjerësisht nga shumë fise ilire në tërë territorin e shtrirjes së tyre nga jugu në veri. /Blitz.al/

 

Komento
Shperndaje