Blitz | Kliko dhe Informohu

 Breaking News

Beteja e madhe e Savrës (nga Marin Mema)

Beteja e madhe e Savrës (nga Marin Mema)
April 04
20:14 2019
Shekulli i XIV do të shënonte një nga betejat më të ashpra dhe me një bilanc të madh të vrarësh në trojet arbërore. Dy ushtri u vunë përballë në një fushë të gjerë në afërsi të fshatit Savër. Në njërin krah qëndronin arbërorët, në tjetrin osmanët dhe bashkë me ta arbërorë të tjerë.
Përtej analizës së faktorëve historik se si ndodhi kjo përballje e parë mes trupave arbërore dhe ushtrisë osmane në vitin 1385, rezultatit të saj dhe faktit kush i ftoi osmanët; kjo betejë ka edhe një tjetër simbolikë që ka ndikuar shumë në historinë shqiptare, përçarjen!Nga viti 1347 e deri në 1352, trupat Osmane u dukën në këto hapësira të ftuar nga Perandoria Bizantine e më pas nga serbët. Megjithatë ngulitjen e tyre në Ballkan e shënon marrja e Edirnesë nga ku nisën në mënyrë të vazhdueshme dhe të programuar ndërhyrjet dhe sulmet në rajon.

Por cila ishte situata në trojet arbërore në shekullin e XIV? Pas vdekjes së Stefan Dushanit dhe shembjes së pushtetit të tij, rilindën dhe u zhvilluan në mënyrë të shpejtë një varg principatash, një pjesë e të cilave ishin shfaqur të paktën që prej shekullit të XI. Megjithatë pushteti, dëshira për të rritur sundimet, rivaliteti mes tyre dhe me radhë, u kthyen në një faktor thelbësor të asaj që do të ndodhte më pas…

Skena historike në këtë periudhë na shfaq Balshajt dhe Topiajt. Të parët arritën të krijonin një shtet të fortë përmes luftës, aleancave apo krushqive të ndryshme, në një hapësirë që përfshinte një shtrirje nga Tivari e më tej në trojet e mbetura në Mal të Zi, Kosovë, e deri në Vlorë e Kostur, zonë kjo sot në Greqi. Ndërsa nga krahu tjetër Topiajt kontrollonin pjesën qendrore nga Shkumbini e deri në rrjedhën e lumit Mat. Këto ishin territoret e të dy principatave, që ishin kthyer e do të ktheheshin përsëri në burim të përplasjeve mes tyre siç analizojnë historianët.

Në vitin 1384, Gjergj Balsha i II-të, prijësi që fuqizoi më së tepërmi principatën e Balshajve i mori Karl Topisë edhe Durrësin. Pas paqes rreth 20 vjeçare përballja e drejtëpërdrejtë dhe e fortë mes tyre dukej e pashmangshme dhe kjo ndodhi në Savër, jo larg Lushnjës së sotme. Pjesë e kësaj beteje ishin edhe osmanët, të ftuar si aleatë nga Topiajt të cilët zbritën në fushëbetejë kundër arbërorëve të tjerë të fisit të Balshajve, madje në betejë mori pjesë vetë Veziri i Madh ose sikurse njihet Hajredin Pasha.

Ndërkohë ndonëse dokumentat e detajuara mungojnë, megjithatë është identifikuar kërkesa që Balshajt i kanë bërë Venedikut për mbështetje ndaj osmanëve në gusht të vitit 1385, një kërkese që nuk ka marrë mesaduket përgjigje pozitive.

Sipas dokumentave trupat osmane arrinin deri në 5 mijë ushtarë, pa harruar mbështetjen e Topiajve dhe fisnikëve të tjerë. Ndërkohë Gjergj Balshës, kreut të familjes fisnike të Balshajve, aleatët e tij i këshilluan ta shmangte këtë përballje derisa të përgatiste një ushtri më të madhe. Por ai refuzoi dhe mendohet se zbriti në fushëbetejë me vetëm 1 mijë luftëtarë, pra të paktën pesë herë më pak se kundërshtarët e tij.

Në 18 shtator 1385 të dyja ushtritë u përplasën ashpër në fushën e Savres dhe si rezultat mendohet se ka patur shumë viktima. Kronikanët apo dokumentat e ndryshme nuk sjellin informacione që do të ndihmonin në qartësimin e vërtetë të kësaj beteje të madhe por ajo që dihet është se përgjatë saj dokumentohet vrasja e Gjergj Balshës së II-të.

Historia natyrshem nuk behet me nëse, por në këtë rast mund të thuhet qartësisht se përçarja mes principatave pati një ndikim rrënjësor në këtë betejë të parë, rezultati i së cilës mund të ishte edhe krejtësisht ndryshe.

Legjendat janë lidhur gjithmonë me këtë përballje kaq të njohur, por sot ajo nuk kujtohet qoftë edhe nga një tabelë e thjeshtë në këtë zone pak kilometra nga qyteti i Lushnjës.

Share