Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

A stërviteshin grupe ekstreme në Shqipërinë komuniste?

October 15
11:50 2016

Që prej 10 qershorit 1964, momenti kur Enver Hoxha vendosi krijimin e fondit të solidaritetit, deri në vitin 1990, shteti shqiptar ka shpenzuar rreth 11,6 milionë dollarë në ndihmë të partive marksiste-leniniste të vendeve të ndryshme të botës.

Është ky rezultati i dhënë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit pas rënies së regjimit komunist. Një shumë që duket qesharake në krahasim me atë që u jepte partive simotra Bashkimi Sovjetik, por që ishte e konsiderueshme për një vend të vogël, për më tepër të izoluar, siç ishte në atë kohë Shqipëria.

Në fakt, pjesa më e errët e këtyre fondeve ka qenë ajo që shpenzohej për përgatitjen e grupeve të armatosura, të cilat stërviteshin në Shqipëri për të marrë, përmes revolucioneve të armatosura, pushtetin në vendet e tyre.

Dokumentet janë të qarta dhe flasin për grupe nga Kongo, Ekuadori, Peruja, Cejloni, Kili e deri Indonezia e Haiti, por edhe nga vende perëndimore, që janë stërvitur në repartet e kohës.

Ja se çfarë thonë më konkretisht disa nga dokumentet që dikur kategorizoheshin si sekrete dhe shumë sekrete.

Dokumenti numër 1

 

img_6972

Kjo shkresë e parë i përket vitit 1967 dhe flet për 15 kursantë sudanezë që do të vinin çdo vit në Shqipëri për përgatitje ushtarako – politike.

Dokumenti numër 2

img_6973

Përmes dokumentit të dytë aprovohen kërkesat e një grupi kongolezësh, të cilët, në kuadër të Lëvizjes Çlirimtare të Kongos, kërkonin ndihmesa nga ana e vendit tonë. Më konkretisht është pranuar në Shqipëri një grup prej 6 vetash për një periudhë 5-6 muaj, për përgatitje ushtarako – politike.
Dokumenti numër 3 dhe 3,1

14677896_1128476547199438_1873411852_o

14618737_1128476887199404_2130076672_o

 

Këtu dallohen jo vetëm fondet që i jepen Partisë Komuniste të Sudanit, por edhe mënyra e fshehtë se si bëhej gjithçka duke përdorur si pikë shpërndarëse ambasadën tonë në Kajro. Përdoren parulla në gjuhën arabe dhe elementë të tjerë që shërbejnë për të forcuar sigurinë dhe eliminuar çdo rrezik të mundshëm për vetë-përfaqësinë shqiptare në këtë vend.

Dokumenti numër 4

img_6975

Sërish një shkresë e vitit 1967, që jep të dhëna për një grup indonezian, pjesë e lëvizjeve revolucionare, që pranohet të bëjë një kurs njëvjeçar në Akademinë Ushtarake.

Dokumente të tilla janë të shumta, por ajo që është më interesante lidhet me faktin se çfarë përgatitjeje merrnin këta kursantë. Sipas të dhënave, gjithçka kryhej në të ashtuquajturin repart 3711, siç cilësohet shpesh mes shkresave. Si elemente të para konsideroheshin mësimet në topografi dhe qitje me armë të lehta dhe të rënda.

Një vend të veçantë gjatë periudhës stërvitore ka zënë njohja e këtyre grupeve me të gjitha tipet e eksplozivëve dhe mënyrën e përdorimit të tyre për të hedhur në erë ura apo objekte të tjera. Po ashtu, mortajat 82 milimetra dhe topat 75 milimetra kanë qenë pikat e tjera ku fokusohej përgatitja e tyre. Ka dokumente ku flitet për grupe kursantësh që kanë ardhur edhe nga vende si Belgjika, Franca, Italia, Suedia etj.

Dokumenti numër 5

img_6976

Në dokumentin e fundit, mes të tjerash, sepse ekzistojnë mijëra faqe të tilla, është një tabelë përmbledhëse e shpenzimeve të kryera nga Partia Komuniste në vitin 1967 për simotrat në vende të ndryshme. Ajo që bie në sy është se përtej partive komuniste të vendeve si Brazili, që për kohën ka qenë një ndër më të mëdhatë, apo për ato të Belgjikës, Italisë, Spanjës, Francës e Polonisë, fonde janë dhënë edhe për partitë revolucionare të Sudanit, Kilit, Kolumbisë, Madagaskarit etj.

Nëse në dokumentet që disponojmë flitet qartë për përgatitjen ushtarake të grupeve nga vende të ndryshme të të ashtuquajturës botë e tretë, është e vështirë të dëshmosh nëse këtij formimi ushtarak e me prirje shpesh edhe ekstreme i janë nënshtruar komunistë apo marksistë leninistë nga Europa Perëndimore, Franca, Italia, Belgjika, Suedia apo edhe më larg, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Më 20 dhjetor të vitit 1967, Enver Hoxha flet për një kërkesë drejtuar nga Partia Komuniste Marksiste-Leniniste belge për një edukim ushtarak të një grupi militantësh të saj. Është logjike të mendosh se kjo kërkesë është marrë në konsideratë ashtu si gjithë të tjerat.

A kanë goditur këto grupe në vendet e tyre? A kanë qenë këta persona që janë stërvitur në Shqipëri të përfshirë në akte konkrete? Kjo është e vështirë të thuhet.

Fakt mbetet se këto miliona sot s’janë asgjë më shumë sesa dokumente të zverdhura në Arkivin i Shtetit.

 

Etiketimet
Shperndaje