Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Mesazhet që na kanë dhënë e kemi marrë nga deputetet shqiptare me “dukjen” e tyre, dje dhe sot

Mesazhet që na kanë dhënë e kemi marrë nga deputetet shqiptare me “dukjen” e tyre, dje dhe sot
November 07
19:37 2017

Deputetet shqiptare ndër vite na kanë treguar se gratë mund t’i bëjne të gjitha. Mund të jenë nëna, bashkëshorte, dhe të marrin vendime per vendin në të njëjtën kohë teksa janë në poste drejtuese.

Gratë shqiptare u futën për herë të parë në Kuvend në Legjislaturën e parë, atë të viteve 1945-1950. Në një total prej 82 deputetësh, 6 prej tyre ishin gra. Do kthehemi pak në retrospektivë për të paralelizuar deputeten shqiptare që nga koha që kur janë bërë pjesë e parlamentit, e deri në ditët e sotme duke u fokusuar tek aspekti i jashtëm, tek kombinimet dhe stili që ato zgjedhin të përdorin.

Po te vëmë re fotot e periudhës së komunizmit dallojmë një figurë femerore më serioze, na jep impaktin e gruas punëtore, pak të hequr, të veshura kryesisht me kostume e sigurisht pak poshtë gjurit duke marrë shkasë edhe nga mentaliteti e etika e asaj periudhe, pa treguar shume linjat trupore apo hiret e femrës. Kryesisht me flokë të shkurtër, të lëshuar natyralisht dhe pa ekstravaganca të tepërta sidomos nëse bëhet fjalë për ngjyra eksravagante dhe ato që sot i quajmë stil. Por kjo ka qëne pamja dhe modeli i femrës shqiptare në këtë periudhë edhe jashtë dyerve të parlamentit. Shfaqen ne fotografi gjithmonë të qeshura e të gëzuara pasi punët e partisë sigurisht shkonin gjithmonë mirë (ose të paktën kështu duhet të jepnin idenë se ishte).

Kjo nuk ndodh në figurën e deputetes shqiptare sot. Ajo është më e reformuar, ka të drejtën e kundërshtimit, flet hapur në foltore për çdo çështje që i intereson, tregohet më e hekurt dhe më e fortë në vendimmarrje por është ironik fakti që sot ato duken më femërore se kurrë referuar pamjes së jashme, krejt ndryshe nga koha e komunizmit ku viheshin re më të forta në dukje e më të brishta në vendimmarrje.

Aq shumë janë të kuruara në detaj sa gati gati, po të mos njihnim figurën e tyre, do thonim se janë modele, apo të pakten kanë lidhje me fushën e modes. Rrobat të cilat janë pothuajse të gjitha të firmave të fundit i bëjnë ata të duken shumë mirë e të kthehet në frymëzim edhe për të tjerët (përveç pjesës ku media ka qejf t’i etiketojë si ekzagjërime kombinimet e tyre, por kjo është një tjetër temë).

Ne na vjen mirë që figura e gruas shqiptare në politikë mund të krahasohet edhe me figurat e grave të pushtetshme në botë, jo vetëm nga mënyra e veshjes por edhe nga formimi dhe intelekti i tyre. Le t’i duartrokasim gratë, t’i përkrahim gratë e t’i lëmë ato të qeta në vendimmarrje qoftë kur këto vendime i marrin veshur me atlete apo me taka 12 cm të larta.

 

Personalisht, jam shumë kureshtar të di se çfarë do mund të shkruanim për gratë e parlamentit shqiptar pas disa dekadash, por deri atëherë nuk na mbetet gjë tjetër veç të shpresojmë se politikanet tona të jenë gjithmonë të pranishme me sharmin e tyre, pasi politika në zymtësinë e saj në përmbajtje ka nevojë për pak ngjyra e kush më mirë se gratë e parlamentit mund ta ‘ngjyrosë’ siç duhet atë.

(Senad Ujkaj për Blitz.al)

 

 

 

 

Shperndaje