Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Le Sutebel me në krye mjeshtrin shqiptar të Dior sjell Haute Couture për herë të parë në Ballkan!

Le Sutebel me në krye mjeshtrin shqiptar të Dior sjell Haute Couture për herë të parë në Ballkan!
June 11
14:41 2018

Industria e modës i ka fillimet e saj rreth shekullit të 19-të dhe njihet si një produkt i epokës moderne. Fillimisht çdo gjë është punuar me dorë e në kushte shtëpiake, por me zhvillimin e teknologjisë u shpikën makinat qepëse dhe u krijuan fabrikat e mëdha. Fillimisht industria e modës u krijua në Europë dhe në Amerikë, por sot është një industri e shpërndarë kudo.

Kryesisht modën e bëjnë markat prestigjoze. Të gjithëve na ka ndodhur të hutohemi përballë vitrinës së një dyqani e të ëndërrojmë apo të zgjedhim pikërisht atë që na pëlqen. Por këtu në Shqipëri ka një problem: nuk ka përfaqësues të shtëpive prestigjoze të modës apo atelier Haute Couture. Madje shumë prej njerëzve duhet të udhëtojnë në Milano, New York, Paris e në qytetet e tjera të mëdha të botës për të “rrëmbyer” veshjet e tyre firmato, ama së shpejti  edhe ne do të kemi një atelier Haute Couture falë Le Sutebel (i pari atelier Haute Couture dedikuar meshkujve). Le të ndalemi tek Parisi, i cili njihet si shtëpia e modës, pikërisht atje ku shtrihen firmat më “in” të momentit si: Channel, Yves Saint Laurent, Dior etj…

Veçanërisht Dior është zgjedhja kryesore e shumë njerëzve dhe kjo e ka një arsye: “Stilistët e Dior punojnë pothuajse vetëm me dorë. Edhe pse tani jemi në epokën e makinave qepëse, ata kanë vazhduar të ruajnë traditën”.

Por a e dinit ju se Master Tailor i Dior është pikërisht shqiptar? Me siguri jo, dhe ja ku ju prezantojmë me Adem Alijun, stilisti numër një i Dior i cili ka krijuar me mijëra veshje për njerëz të famshëm ose jo.

Kush është Adem Aliju? Ademi ka filluar zanatin e tij si rrobaqepës shumë vite më parë në Shkup, për t’u transferuar më pas në Paris për të kaluar pushimet dhe për të punuar disa muaj. Por në fakt ai u vendos përfundimisht në kryeqytetin e modës. Fillimisht hapi dy firmat e tij, por më pas kërkoi të punonte për marka prestigjoze si Chanel. Pas Chanel, u bë pjesë e Dior, prej së cilës ka qenë gjithnjë i kënaqur.

Tashmë Ademi ka vendosur që talentin e tij ta trashëgojë tek stilistët shqiptarë.

Le Sutebel e ka vënë në krye mjeshtrin e Dior Adem Alija dhe krijoi atelierin Haute Couture në Shqipëri, duke  u bërë kështu atelieri i parë në Shqipëri me pëlhurat më të mira në botë.

Le Sutebel dhe Adem Aliju kanë organizuar në Tiranë një Master Class ku kanë marrë pjesë shumë stilistë shqiptarë. U ka mësuar atyre çdo gjë, duke filluar që prej fillimit të krijimit të një veshjeje e deri në detaje. Veç këtyre, Ademi është shprehur se në shtator dëshiron që të hapë një shkollë në Tiranë dhe të sjellë një filial të Dior.

Pra, ju stilistë nuk keni pse shkoni jashtë shtetit për të mësuar më shumë për profesionin tuaj dhe të gjithë ju adhurues të markave nuk keni pse i hipni avionit për të bërë shopping. Adem Aliju dhe Le Sutebel kanë menduar për ju dhe po kujdesen që edhe Tirana të përshtatet me kryeqytetet e tjera të modës nëpër botë…

Blitz.al ka siguruar disa foto dhe video ekskluzive nga Master Class që Adem Aliju dhe Le Sutebel kanë organizuar në Tiranë, pak ditë më parë. /Blitz.al/

/Blitz.al/

 

 

Komento
Shperndaje