Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Java Shqiptare e Modës transferohet në Nju Jork…

Java Shqiptare e Modës transferohet në Nju Jork…
January 23
18:12 2017

Javët e modës janë eventet më të rëndësishme, pasi bëjnë bashkë “fashionistë” nga e gjithë bota për t’u njohur me tendencat dhe trendet e fundit që sugjerojnë emrat më në zë të modës. Për të dytin vit radhazi, në Nju Jork do të organizohet Java Shqiptare e Modës, ku stilistët më në zë të Shqipërisë e Kosovës do të prezantojnë koleksionet e tyre në kryeqytetin amerikan të modës.

Organizatorja Mrika Krasniqi tregon, në një intervistë për Blitz.al, të gjitha detajet e këtij eventi. Artistja Krasniqi vitin e kaluar është shpallur “Gruaja e vitit” nga Kongresi Amerikan në fushën e artit, kulturës dhe biznesit.

Znj. Mrika, ky është viti i dytë që organizoni Javën Shqiptare të Modës në Nju Jork. Cila është risia e këtij viti?

-Jemi shumë më të përgatitur këtë edicion të dytë të Javës Shqiptare të Modës në Nju Jork. I kemi kuptuar nevojat dhe mënyrën më të përshtatshme për të prezantuar artin e stilistëve shqiptarë. E kemi kuptuar edhe shijen e blerësve dhe mundësinë e lidhjes me stilistë, në mënyrë që t’u krijohet një mundësi për tregun amerikan. Vitin e kaluar është dëshmuar se interesi për të përcjellë nga afër punën e stilistëve shqiptarë ka qenë shumë i madh. Këtë edicion ne jemi përqendruar kryesisht te kompanitë amerikane, të cilat potencialisht bëjnë blerje të koleksioneve të dizajnerëve europianë.

Sa stilistë do të marrin pjesë?

-Deri tani kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre 4 stilistë shqiptarë, por jemi në pritje të kontratave e marrëveshjeve të tjera të cilat do t’i bëjmë të ditur shumë shpejt.

Janë të gjithë stilistë shqiptarë?

-Aktualisht të gjithë stilistët janë shqiptarë, por në të ardhmen synimi ynë është që të kemi edhe stilistë të tjerë, në mënyrë që të kemi një shtrirje sa më gjenerale për të gjitha shijet.

Po modelet që do të sfilojnë?

-I kemi disa modele të njohura shqiptare, por edhe nga komunitete të tjera. Besoj që sfilatat duken më bukur kur ka larmishmëri modelesh në prezantimin e koleksionit.

A e konkurron Java Shqiptare e Modës atë të Nju Jorkut, Milanos, Parisit…?

-Që nga themelimi i Agjencisë Shqiptare të Modës këtu në Nju Jork ne kemi pasur një synim të qartë: të prezantojmë sa më profesionalisht krijimet e  stilistëve, në mënyrë që të kemi mundësi të krijojmë një konkurrencë të shëndoshë te të gjithë bashkëpunëtorët dhe partnerët tanë.

Beautiful woman in retro style

A është ky aktivitet një “trampolinë” e mirë për  stilistët për të bërë karrierë në Amerikë?

-Vetë prezantimi i krijimeve te një audiencë me shije ndryshe është një sukses dhe urë lidhëse për ata të cilët janë të interesuar që puna e tyre të vlerësohet më gjerë. Nëse krijimet e tyre kanë vlera origjinale dhe mund t’u imponohen “fashionistëve” amerikanë, atëherë padyshim që suksesi do të jetë i madh. Besoj se të gjithë e dinë që të kesh mundësi të prezantosh koleksionet e tua në një ndër metropolet e modës, siç është Nju Jorku, është një shkallë e lartë dhe mundësi për t’u ngjitur drejt pasarelave të famshme të modës.

Sa ditë zgjat Java Shqiptare e Modës?

-Do të fillojmë në datë 24 mars me provën finale dhe show i madh, ai i prezantimeve para blerësve, profesionistëve të “fashion” dhe adhuruesve të modës do të jetë në datën 25 mars. Ndërsa datat 26 dhe 27 janë të rezervuara kryesisht për takime me blerësit dhe kontakte të ndryshme me profesionistë të fushës, të cilët do të ishin të interesuar për bashkëpunime të ndryshme dhe shkëmbim të përvojave të tyre.

A ka ajo të njëjtin impakt dhe a komentohet njëlloj si javët e tjera të modës në mediat amerikane?

-Edicionin e kaluar ne arritëm një impakt mjaft të madh në mediat amerikane dhe shqiptare gjithashtu. Këtë edicion besojmë se do të kemi një shtrirje edhe më të gjerë, duke u futur në mediat që kanë target kryesisht “fashion”.

Vitin që lamë pas ju u shpallët “Gruaja e vitit” nga Kongresi Amerikan. A është ky titulli më i rëndësishëm në karrierën tuaj?

-Çdo vlerësim është i mirëpritur për artistin, sepse të konfirmon që ajo që ti po bën është gjëja e duhur dhe më me vlerë. Por titullin më të rëndësishëm në karrierë do ta marr vitet në vazhdim. Shpresoj të jem e denjë për çdo titull e vlerësim. E rëndësishme për mua është që puna ime të jetë në shërbim të të tjerëve. Mbase vetëm atëherë meriton të vlerësohet!

Si grua në karrierë, artiste dhe producente ju vetë sa kujdeseni për “llok”-un tuaj?

-Nuk jam shumë e dhënë pas modës dhe risive që dalin, por më pëlqen një “look” i rregullt. Kam shumë të rëndësishme mirëmbajtjen e lëkurës duke përdorur shumë pak make-up. Kujdesem për linjat e trupit dhe më pëlqen të vesh gjëra që i vë në dukje ato. Por preferoj që veshja ime të jetë sa më komode dhe e rehatshme në çdo rast.

A keni një stilist të preferuar?

-Kam disa stilistë që më pëlqejnë. Më pëlqejnë çantat Hermes Kelly, ndërsa në një mbrëmje të veçantë do të vishja fustanet e Carolina Herrera. Gjithashtu këpucët e Jimmy Choo janë shumë të rehatshme dhe nuk janë aq të kushtueshme sa të Giuseppe Zanotti dhe Christian Loubotin, që i adhuroj gjithashtu. Kohët e fundit kam veshur edhe disa fustane nga stilistët shqiptarë, mendoj se ata janë shumë të mirë dhe do më pëlqente ta vazhdoja bashkëpunimin me ta.

Në këndvështrimin tuaj, a kanë stil meshkujt dhe femrat shqiptare?

-Kur i referohesh Kosovës dhe Shqipërisë, në përshtypjen e parë njerëzit mendojnë se janë vende të varfra dhe që kanë probleme të tjera më të mëdha sesa të merren me “fashion”. Megjithatë, sa herë që vizitoj Tiranën, Prishtinën kam përshtypjen se jam duke ndjekur pasarelat e modës në Milano, në Paris, në Nju Jork e Londër. Më pëlqen shumë që kanë mundësi të kujdesen për veten dhe që kanë një stil thuajse unik në rajon. Prandaj, para miqve të mi të huaj flas gjithmonë me mburrje duke u thënë: “S’ka si djemtë e vajzat shqiptare!”.

Shperndaje