Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

(Intervistë) Të kthesh xhinsin në art! Motrat Albiona dhe Jeta na tregojnë sekretin e pasionit-profesion

(Intervistë) Të kthesh xhinsin në art! Motrat Albiona dhe Jeta na tregojnë sekretin e pasionit-profesion
July 24
12:23 2017

Ajo që fillimisht nisi si një pasion i thjeshtë për dy motrat Albiona dhe Jeta u shndërrua në një profesion të dekorimit të xhinseve.

Besojmë se ju kujtohen vajzat që bënë bujë me dekoret dhe punimet e tyre. Ato mund t’i kthejnë xhinset e zakonshme në xhinset më “in” të momentit. Albjona dhe Jeta administrojnë faqen “StreetstyleJeans” në Instagram, e cila sot ka arritur një numër të madh ndjekësish, madje veç kësaj, në fotot e publikuara prej tyre, shohim shumë personazhe VIP që veshin punimet e tyre.

Blitz.al ka kontaktuar Albionën, e cila në një intervistë ekskluzive ka dhënë mjaft detaje për biznesin e tyre, ka rrëfyer se “fashion bloger” të huaj kanë kërkuar kontratë me to dhe veç kësaj, Albjona dhe Jeta na prezantojnë trendet e reja të xhinsit.

1.Pasionin tuaj tashmë e keni kthyer në biznes, si ndiheni për këtë?

-Padyshim që e prisnim diçka të tillë që në fillim, patëm besim në atë që bënim dhe vetë rezultati që kishim na e kërkonte ta kthenim në një biznes të mirëfilltë.

 

2.Kemi parë rreth e rrotull se ka shumë të rinj që dinë të eksperimentojnë me veshjet, si arritët ju të krijoni famën?

-Është e vërtetë që këtu eksperimentojnë shumë të rinj  dhe për këtë më bëhet shumë qejfi, por janë faktorë të tjerë ata që të çojnë deri në këtë pikë ku jemi ne sot. E para fare është që ne kemi goditur me produktin, në diçka tërësisht origjinale, siç është qëndisja e risjellë në formën më moderne, duke ruajtur ato që neve na karakterizojnë edhe tradicionalisht si kulturë e jo duke u përpjekur për të kopjuar.

3.A është ky një biznes fitimprurës?

-Po,është i tillë! Dhe sot është në ato hapa që po na premton akoma më shumë. Më duhet ta theksoj që është i tillë për faktin që ne e bëmë të besohej se duhej të ishte dhe për vullnetin e treguar ndaj kësaj pune, duke ia shtuar vlerat vetëm me sakrifica dhe seriozitet.

4.Ku jeni fokusuar më tepër?

-Tani jemi të fokusuara për ta kthyer në një biznes internacional, po punojmë për një promovim të mirëfilltë të kësaj pune edhe jashtë dhe me të vërtetë kemi marrë mbështetjen më të madhe të mundshme për të ecur më tej. Na kanë mbështetur figura të rëndësishme të modës, si: Chiara Biasi, Alessandro Magni, Sita Abella (shoqja e Rihanna-s), Jeremy Scott  (që është stilisti i Moschino dhe ka dhënë opinionin e tij më pozitiv të mundshëm).

5.Punoni vetëm me porosi prej njerëzve apo bëni edhe punime për qejfin tuaj?

-Si fillim ekspozojmë ato që ne kemi në kokë njëherë, kreativitetin tonë, idetë tona, pastaj, në qoftë se ka klientë që kanë preferenca personale të tyre ose që duan t’i alternojnë modelet pa dyshim edhe këtë e ofrojmë si mundësi.

6.Në Instagram kemi parë se ju bashkëpunoni edhe me VIP-a, ua bëni ju dhuratë apo janë ata që i blejnë?

-Po normal që ka edhe nga ato personazhe që ua dhurojmë, por tashmë jo më sepse ata janë kthyer në blerës aktivë.

7.Ju ka ndodhur që personazhet të mos i pëlqejnë punimet tuaja?

-Kjo është një gjë që e kemi në dorë vetë në fakt, që do të thotë se përqendrohemi totalisht te punime të tilla që medoemos e kanë të domosdoshme vëmendjen dhe jemi në kontakt për çdo detaj me klientin para se ta përfundojmë.

8.Keni pasur oferta për bashkëpunime nga personazhe të huaja ose shqiptare?

-Po! Një ndër të parat është Giulia Nati (bussineswoman dhe fashion blogger), e cila na ka sugjeruar një kontratë bashkë. Ajo sugjeroi që të merrej plotësisht me marketingun, në çdo vend të botës dhe ta sponsorizonte atë, duke mbajtur 30% të vlerës së produktit, pasi ajo kishte kolegët e saj “fashion bloggers” në çdo vend të Europës.

Po ashtu nga Mr.Moudz (Mahmoud El Sidani), që është një ndër emrat më të dëgjuar sot në botën e modës, si “man influencer”, “fashion blogger”. Për sa i përket  Mr Moudz bëhet fjalë për një kontratë vitin e ardhshëm që ai po e shqyrton akoma si ide dhe do vazhdojmë të jemi në kontakt derisa të përfundojë si projekt-ide.

9.Çfarë mund të na thoni për trendet e këtij sezoni, cilat janë trendet e reja të xhinsit?

-Për sa u përket xhinseve, trendet nuk ndryshojnë shumë shpesh, përveçse çdo sezon shtohet ose hiqet ndonjë stampim.  Trendi i momentit janë shkrimet me qëndisje, stampimet si dhe “patches”.

10.Po shkollën e vazhdoni, apo pas këtij suksesi nuk keni nevojë më për të?

-Patjetër që edhe shkolla ka atë vëmendjen e veçantë, s’mendojmë kurrë ta lëmë pas dore por thjesht është e nevojshme ta balancojmë me atë që bëjmë konkretisht. Po punojmë me gjuhët e huaja sepse do të studiojmë jashtë vendit, edhe pse ende nuk e kemi vendosur se çfarë dege do të zgjedhim.

11.Cilat janë planet tuaja për të ardhmen?

-Kemi shumë plane për të ardhmen. Por më të afërtat dhe më të rëndësishmet janë: vazhdimi i studimeve dhe të zhvendosim biznesin tonë jashtë kufijve duke e kthyer në një biznes ndërkombëtar./Blitz.al/

 

Komento
Shperndaje