Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

(Intervistë) Niko Komani: “Morphine”, droga që të bën të bukur

July 20
19:44 2016

Stilisti i njohur Niko Komani ka sjellë në Shqipëri linjën e tij të kozmetikës dhe të veshjeve të quajtur “Morphine closet”. Kjo verë është sezoni i dytë që stilisti prezanton këtë linjë, në sezonin pranverë-verë 2015 ai ka pasur linjën “Morphine” të frymëzuar nga veshjet e viteve ’90, por këtë sezon sjell një linjë komplet ndryshe.
Blitz.al ka kontaktuar me Niko Komanin për të mësuar diçka më tepër për këtë linjë të re. Në intervistën e mëposhtme do të gjeni detaje për linjën e kozmetikës dhe veshjeve, gjithashtu shfletoni galerinë për të parë disa prej ngjyrave të buzëkuqeve dhe veshjet e VIP-ave që tani mund t’i keni edhe ju.
1. Për shumë kohë je marrë me kombinimet e veshjeve si stilist, duke punuar me revistat më në zë të modës në vend dhe artistët më të mirë. Tani si “fashion designer”. Pse vendose të vish me një linjë veshjesh? Nuk mendon se është pak kaotik tregu për një hap si ky?
-Tregu është kaotik, por të gjithëve na pëlqen të blejmë online, sidomos kur shohim diçka të bukur ose diçka që e ka veshur dikush i famshëm. Të paktën klientët i pëlqejnë gjërat e mia dhe tregojnë se nuk janë aq të shtrenjta për të krijuar kaos.
Si fillim, linja ime “Morphine” është sezoni i dytë që unë e kam pas sezonit të parë pranverë-verë 2015. Pra, “Morphine closet” është një gardërobë që përmban brenda linjën time “Morphine” dhe gardërobën VIP. Në gardërobën VIP mundësoj veshje nga personazhet VIP, të blera nga kompanitë e tyre, pra është më e lehtë të vishesh me veshjet e Khloe Kardashian, Kim Kardashian apo me rrobat e banjës së Nick Minaj. Hyni në “Morphine closet” në Instagram apo në faqen “Tictail” dhe mund t’i porositni online nga shtëpia ose duke shkruar një mesazh në Instagram.

  1. Pse “Morphine” (emri)?

-“Morphine” erdhi sepse kur mendoja linjën time të parë doja të ishte diçka adiktive. “Morphine” u lidh me modën sepse për ne që punojmë me modën, “fashionist”-ët, “fashion blogers” ose “fashion designer” është tamam si droga. Nuk mund të jetojmë pa të, jemi të varur nga ajo dhe madje mësojmë edhe çfarë ka vitin tjetër trend apo çfarë është në modë. Pra, “morphine” ishte një gjetje ideale sepse “fashion is drug”.

  1. Nga vjen frymëzimi për këtë linjë?

-“Morphine” është e frymëzuar që një femër të duket bukur, me linja perfekte dhe që një femër të jetë 100 % moderne. Ndryshe nga linja e parë që ishte e frymëzuar nga vitet ’90, këtë vit ka trendet më “in” momentale. Nuk e kisha të vështirë të përzgjidhja modelet që doja, ishte e lehtë falë linjave jashtë shtetit dhe bashkëpunëtores time që qepin për mua. Ishte shumë më e lehtë edhe për zgjedhjen e materialeve.

  1. Kujt i drejtohet “Morphine”?  

-Nuk mund të them se “Morphine” ka një grupmoshë, edhe pse disa veshje kanë një moshë të caktuar sepse janë të zbuluara, pak më seksi, por te “Morphine closet” mund të gjejnë veten adoleshentet, 20-25-vjeçaret, 30-vjeçaret, por edhe 35 plus vjeçaret, sepse këtu gjeni kombinime, outfit-e, këpucë ose aksesorë për të gjitha moshat, nuk mund të caktojë një moshë. “Everyone is welcome”.

  1. Niko, po guxon edhe me një linjë kozmetike në “Morphine”. Çfarë i mungon tregut që do ta gjejmë në linjën tënde?

-Dëshira ime për të krijuar një linjë kozmetike me buzëkuq ka qenë që në moshë të re, sepse krijoja me ngjyrat, bëja miksime të çuditshme dhe doja të kisha një linjën timen, normalisht kur të rritesha, dhe të bëhesha mbase ky që jam sot. Por sado pret të të realizohet një ëndërr duhet të punosh fort. Unë u interesova të krijoja linjën time dhe të futesha në kontakt me një linjë tjetër “Line Cream”, që është kompani në SHBA dhe Britaninë e Madhe. Kontaktova me këto kompani që të prodhoja buzëkuq dhe të kisha ekskluzivitetin për linjën time në Shqipëri. Ata ishin shumë të kënaqur që një stilist nga Shqipëria u interesua të bëjë linjën e vet në bashkëpunim me linjën e tyre. Mbase s’jam i pari që po guxoj, sepse jemi dy që po guxojmë të kemi linjën tonë kozmetike, është edhe Sellma Kasumoviq në Kosovë. Të kesh një linjë kozmetike është shumë bukur, sepse je gjithmonë në çantën e një femre. Gjëja që do gjeni tek unë janë ngjyrat moderne, trendet perëndimore, trendet që të gjithë do t’i përqafojnë dhe që i mungojnë tregut.

  1. Ku prodhohet kjo linjë kozmetike? Sa të vështirë e ke të arrish rezultatet që do për ngjyrat dhe teksturën?

-Falë bashkëpunimit tim me kompani të huaja e kam shumë të lehtë dhe nuk më duhet të interesohem më shumë apo të vë njerëz të punojnë për mua. Këto kompani punojnë për mua për të marrë produktin që unë dua. Kjo gjë më jep lehtësi, gjithashtu më jep lehtësi tekstura duke pasur një rrobaqepëse me të cilën bashkëpunoj, duke pasur njohje jashtë shtetit, që bëjnë veshje për mua. Jam shumë i lumtur që shumë kompani e kanë përqafuar këtë ide me mua duke ditur se këtu ka mungesa në materiale.

  1. Çfarë kanë ndryshe produktet “Morphine” nga firmat e tjera?

-“Morphine” është diçka momentale, veshjet janë trendet e fundit, materialet, ngjyrat e fundit. Nuk mund të them se “Morphine” ka yje me xixa, por është një linjë me këmbë në tokë, një linjë për çdo femër 24 orë, linjë për femra reale dhe mund të gjesh veshje nga gardëroba VIP, siç thamë më parë. Mund të kesh edhe ti diçka që e ka veshur dikush tjetër. Pra, ka disa gjëra që disa butikë të tjerë online mbase nuk i kanë. Mbase ata kanë diçka që unë nuk e kam, por “Morphine” është unike në gardërobën e saj.

  1. Për ta mbyllur po përfitojmë nga rasti të marrim disa këshilla. Tri rregullat e arta për një look dhe make up gjithmonë “on fleek”?

-Tani, duke pasur linjën time të buzëkuqeve mat, duhet të informohem shumë herë më shumë sesa vetëm për veshjet, por me informacionin që kam për këtë pjesë them se gjatë verës “Morphine cosmetics” ka zgjedhur ngjyrat nude, ngjyrat e tokës, ngjyrat e kuqe të ndezura dhe të errëta për të krijuar një look sa më të freskët në fytyrë. Gjatë kësaj stine nuk do t’ia këshilloja askujt të ngarkohet apo të bëjë konture ekstravagante, të ekzagjeruara. Konturet mund t’i bëni në dimër sepse është natyra e tillë. Gjatë verës sugjeroj “the wet look” sepse të jep idenë e freskisë dhe pse jo të rinisë, duke përdorur ngjyra të theksuara vetëm në buzë dhe duke përdorur gjithçka tjetër në natyrale apo “aqua sapone”. Sugjeroj ngjyrat e tokës, nude, ushtarake, kafe e errët. Të gjitha këto janë shumë në modë.

 

Etiketimet
Shperndaje