Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

(Intervistë) Ardi Asllani: “Si ndihem kur vesh diva të vërteta…”

June 22
21:49 2016

Pak ditë më parë, sopranoja e njohur Ermonela Jaho ka dhënë një koncert në Francë. Përveç zërit të mrekullueshëm, nuk mund të lihej pa u vënë re paraqitja në skenë. Ermonela ka veshur një fustan përrallor që mban firmën e stilistit të njohur Ardi Asllani. Ai ka postuar foto dhe video në Instagram, ku ka falënderuar Ermonelën dhe e ka quajtur “nderi ynë”. Blitz.al ka kontaktuar me stilistin, i cili ka dhënë disa detaje për veshjen e Ermonelës, madje ai ka folur edhe për ndjesinë e tij për suksesin e personazheve si ajo.
1. Çfarë ndryshimi ka të veshësh një divë si Ermonela Jaho në krahasim me personazhe të tjerë?

-Nuk e shoh në këtë këndvështrim… Ermonela është një personalitet shumëdimensional, energjia shpirtërore që ajo transmeton është në nivelet më të larta që më ka qëlluar të takoj në jetë. Nëse Ermonelën e takon mbrapa skenës ajo, nën dridhjet emocionale, përcjell artistiken, e shkarkon atë sikur të kishte një fuqi të mbinatyrshme dhe shpeshherë më është dashur të pyes veten se ku qëndron ai shpirt i madh në atë fizik të brishtë! Kjo pra e bën ndryshe Ermonelën nga çdokush nga ne, unë besoj në fuqinë e artit të saj.

  1. Fustani i saj në Francë ishte përrallor, sa kohë keni shpenzuar për ta stiluar atë?

-Më vjen mirë që keni këtë mendim për veshjen. Në fakt, nuk është punuar shumë për këtë realizim, por si koncept kishte kohë që kishte lindur si një bashkëbisedim i të dyve. Ka qenë fillimi i pranverës që është realizuar dhe dërguar sepse, siç e dimë të gjithë, Ermonela vjen rrallë në Tiranë, për shkak të angazhimeve dhe kalendarit të paracaktuar prej vitesh.

  1. Kjo është veshja e parë që bëni për Ermonelën apo keni bashkëpunuar edhe herë të tjera?

-Në fakt nuk është e para sepse Ermonela ka veshur edhe një tjetër fustan timin të frymëzuar nga motivet folklorike, më saktësisht ka qenë xhubleta e Malësisë së Madhe… Është veshur në fundvit në një ballo në Nju Jork dhe shpresoj shumë në një bashkëpunim afatgjatë!

  1. Si ndiheni kur flitet që pjesë e suksesit të personazheve si Ermonela e të tjerëve është edhe paraqitja skenike?

-Nëse do t’ju thosha që më emocionon pa masë momenti kur ua shoh veshur, kam thënë të vërtetën! Ermonela, me dimensionin që ka, i jep një tjetër përmasë veshjes që ndoshta në të vërtetë është “thjesht një fustan i kuq”, por në momentin që Ermonela e ka të veshur në skenë ai ka kaluar çdo dimension, është shndërruar në fustanin e një dive!

Etiketimet
Shperndaje