Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

(Intervista) Çfarë duhet të vishni për festat e fundvitit? Stilistët e blogeret shqiptare kanë disa këshilla

(Intervista) Çfarë duhet të vishni për festat e fundvitit? Stilistët e blogeret shqiptare kanë disa këshilla
December 24
17:00 2016

Festat e fundvitit po afrojnë dhe bashkë me to është krijuar një atmosferë shumë e bukur.

Por shumë vajza nuk i kanë pritur me shumë entuziazëm këto festa sepse kanë një shqetësim të madh:  Çfarë do të veshin në  mbrëmjen e ndërrimit të viteve? Çfarë duhet të zgjedhin?

Këto janë pyetje që i kanë pothuajse të gjitha vajzat, veçanërisht në këto festa. Tashmë gjithçka e ka një zgjidhje. Stilistët dhe blogeret janë kujdesur që të mos shqetësoheni, madje të zgjidhni veshjen e duhur.

Stilistet Kujta dhe Meri, Stela Sallaku dhe blogeret Edisa Shahini, Anxhelina Kotorri, kanë disa këshilla shumë të vlefshme këtë fundvit. Ata ju tregojnë se çfarë duhet të vishni për t’u ndierë “in” në këtë mbrëmje të veçantë.

Stela Sallaku (Maison Stella Sallaku) – stiliste

ss

  1. Cilat janë tendencat e sezonit të dimrit 2016-2017?

-Tendencat vjeshtë-dimër ’16-’17 janë ndër të preferuarat e mia. Sivjet kemi dimër me ngjyra, që nga mustarda, roza pastel, jeshilja dhe e kuqja. Nuk mungon animal-printi, por në ndryshim nga sezonet e tjera sivjet tendenca konsiston në kombinimin e dy printeve të ndryshme. Pelushi i ngrohtë dhe i bukur qëndron në krye të përzgjedhjeve të “Street style” apo dhe “Evening wear”. Ngjyrat metalike, bakër, flori dhe argjend, sivjet i shohim të kombinuara bashkë. Janë të përshtatshme për veshje të pasdites, por nëse doni të bëni bujë provojini t’i vishni paradite si Anna Dello Russo, e cila kur e pyetën se pse vesh temina që në mëngjes, tha: “Thjesht nuk vesh dot plehra në mëngjes me justifikimin që po i ruaj për pasdite këto të mirat”.

Çantat minimaliste me nuanca të ndezura dhe me rrathët e mëdhenj floriri kanë qenë shitjet e para të vjeshtës dhe dimrit, të cilat u mbaruan në një kohë shumë të shkurtër. Çizmet e gjata mbi gju dhe velvet kanë qenë dy nga tendencat që nuk kanë kaluar pa u vënë re dhe pa u përvetësuar nga shumica e vajzave apo dhe zonjave.

  1. Cilat janë ngjyrat dhe materialet më “in” për festat e fundvitit?

-Për këtë fundvit, velveti ka qenë një ndër materialet më të preferuara. Duke filluar nga mustarda, e kuqja, roza, blu petrolio, e zeza etj. Temina metalike ka qenë copa e dytë menjëherë pas velvetit që është preferuar. Sigurisht edhe copat metalike, por pa temina, të cilat janë zgjedhur të bëhet “must” sivjet. Pa harruar dhe animal-printin, i cili përshtatet me periudhën dhe me festat.

  1. Çfarë u sugjeroni vajzave të veshin mbrëmjen e ndërrimit të viteve?

-Sugjerimi im është të këshillohen me një stilist apo “fashion designer” që të mos bëjnë gabime në zgjedhjen e veshjes. Thonë që veshja korrigjon mjaft probleme, si në trup edhe në sjellje. Është mirë kur veshja flet për ty, sepse ndonjëherë nuk kemi mundësi të dyta për të lënë përshtypjet e mira. Kimonoja velvet zë vendin e parë për festa. Kjo përzgjedhje na jep ëmbëlsi dhe sensualitet, të cilat kur bashkohen rezultati është vezullues. Por kjo ka kufizim moshe. Përzgjedhja e dytë do të ishte një fustan V line metalik dhe zgjedhja e tretë dantellë dhe velvet. Shpresoj të kem ndihmuar sa më tepër vajza në këtë prag festash. E rëndësishme është të jemi vetvetja dhe të nxjerrim në pah më të mirën nga karakteri. Fundja, është Krishtlindje! Gëzuar!

Anxhelina Kotorri (Angelinas Ibook) – blogere

capture

  1. Cilat janë tendencat e sezonit të dimrit 2016-2017?

-Në fakt më duhet të them se ky sezon na ka dhuruar pa fund trende të reja, një shumëllojshmëri stilesh, ku çdo kushdo e gjen veten. Disa nga tendencat që kanë pushtuar edhe çdo vitrinë të dyqaneve është ajo e veshjeve me xixa, duke i kombinuar si kurrë më parë dhe pa pasur rezerva në kombinim, pra total me dizenjo me xixa apo shkëlqim. Janë ato të pantallonave të gjera, por tashmë me materiale të lehta dhe pulovrave me golf, që bashkë qëndrojnë shumë “cool” dhe të japin idenë e pizhameve. Te xhaketat shohim ato xhaketa me material xhins dhe lëkurë me prerje “oversize” dhe me qëndisje në to.

  1. Cilat janë ngjyrat dhe materialet më “in” për festat e fundvitit?

-Materiali më “in” i këtij sezoni, përveç atyre me shkëlqim/xixa që përmenda më parë është edhe velveti. E shohim kudo, mundësisht edhe te këpucët apo aksesorët.

Sa u përket ngjyrave, qëndrojmë te ngjyrat e tokës, por mos të harrojmë edhe ngjyrat e forta, si vishnjë apo e kuqe.

  1. Çfarë u sugjeroni vajzave të veshin mbrëmjen e ndërrimit të viteve?

-Nata e fundvitit, nata më e rëndësishme për të gjitha vajzat! Ajo natë ku kërkon maksimumin e look-ut për ta mbyllur siç duhet vitin dhe për ta nisur prapë siç duhet një vit të ri, me një formë / look perfekt. Vajzave u sugjeroj një fustan klas, fustani të jetë fit pas trupit, me material velvet dhe me qëndisje perla apo diçka tjetër në të. Sugjeroj ngjyrën nude apo jeshile, sepse tashmë e dimë që e kuqja qëndron çdo fundvit në veshjen e vajzave, prandaj le të luajnë pak me ngjyrat e tjera. Sugjeroj edhe fustanet me temina apo copat me shkëlqim. Perfekte për festën e fundvitit!

Gjej rastin t’ju uroj gëzuar festat dhe sa më shumë shopping!

Meri (Kujta & Meri) – stilistë

kujta

  1. Cilat janë tendencat e sezonit të dimrit 2016-2017?

-Nuk ka tendencë të re më. Zgjedhja dhe formimi i një stili personal ka të bëjë shumë sot. Personalitetet po ndahen vetvetiu në kategorinë e veshjeve. Këtë dimër më shumë janë preferuar gjërat komode, me shtresa  të fryra. Për shembull xhup me lio ose pupla, në ngjyrat: e bardhë, e zezë, jeshile dhe me kombinime jo shumëngjyrëshe. Çizmet e gjata do të jenë përsëri edhe këtë vit të preferuarat  për femrat që duan të duken elegante dhe klasike.

  1. Cilat janë ngjyrat dhe materialet më “in” për festat e fundvitit?

-Kadifja është preferencë e femrave që njohin vlerën e stilit dhe që kanë krijuar një imazh në stil jo që krijohen brenda një nate. Pra kadifja jo çdo femre i shkëlqen në trup, por në Kujta & Meri personalisht i ofrojmë për femra që kanë paraqitje dhe personalitet.

Ngjyra e zezë është prapë e preferuara jonë personale në krijimtari, por është shumë e vështirë sepse të zezën duhet të dish ta nxjerrësh të veçantë; nëse jo do të duket copë e zezë pa kuptim. Jeshilja, vishnja dhe e bardha  janë ngjyrat e tjera “in”.

  1. Çfarë u sugjeroni vajzave të veshin mbrëmjen e ndërrimit të viteve?

-Është e vështirë për mijëra vajza të jap mendim, por ka zgjedhje mjaftueshëm nëse ato dinë të kombinohen pastër, me stil dhe jo me tendencë, sepse tendencat janë shpikur nga njerëzit pa shije. Në një mbrëmje festive s’duhet t’ju mungojë eleganca.

 

 

Edisa Shahini (Disi Couture)- blogere

ed

  1. Cilat janë tendencat e sezonit të dimrit 2016-2017?

-Tendencat e sezonit të dimrit 2016-2017 janë kostumet e prera në stil mashkullor, “layers” (veshje të kombinuara një mbi një), “glamour” i viteve ’80, Plissee, plot veshje me kadife, veshje lëkure, peliçe, punime mbi dantellë materiale me shkëlqim metalik, mantel super të gjatë dhe prerjet asimetrike.

  1. Cilat janë ngjyrat dhe materialet më “in” për festat e fundvitit?

-Ngjyrat me shkëlqim, sikur ngjyra e argjendtë, kadifja ngjyrë bordo, ngjyrat pastel, peliçet me ngjyrë natyrale.

  1. Çfarë u sugjeroni vajzave të veshin mbrëmjen e ndërrimit të viteve?

-Asgjë nuk është e ndaluar, ndaj u sugjeroj vajzave të vishen ashtu si ndihen apo sipas vendit. Për “party girls” sugjeroj fustane me shkëlqim, sepse kemi dëshirë të shkëlqejmë si bredhi.  Për vajzat me stil më minimal dhe të thjeshtë, sugjeroj ndonjë kostum, pantallona të gjera të kombinuara me një blazer në total “velvet look” pra me materialin e kadifes. Për vajzat që duken gjithmonë elegante dhe nuk kanë dëshirë ta teprojnë me dekolte, gjatësinë e fustanit etj., sugjeroj të veshin ndonjë fustan elegant me dantellë të kombinuar me aksesorë.

/Blitz.al/

Komento
Shperndaje