Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

(Intervista) Çfarë duhet të blejmë dhe çfarë duhet të heqim urgjent nga gardëroba këtë sezon?

(Intervista) Çfarë duhet të blejmë dhe çfarë duhet të heqim urgjent nga gardëroba këtë sezon?
October 01
17:07 2016

Me ardhjen e vjeshtës kanë ardhur edhe tendencat e fundit të këtij sezoni.  Tendencat e sezonit vjeshtë-dimër janë prezantuar në Javët e Modës në Milano, Paris, Londër, New York.

Shohim se trendet ndryshojnë për një periudhë kohe shumë të shkurtër dhe kuptojmë se një veshje që e kishe vjet nuk mund ta veshësh këtë vit, por mund të veshësh një veshje që kishe përpara 4 sezonesh në gardërobë.

Për t’u njohur më mirë me tendencat e këtij sezoni, Blitz.al ka kontaktuar me stilistët Kujta & Meri, me blogeren Anjeza Tufina dhe me kuruesen e imazhit Miranda Dupi. Ata na kanë treguar se cilat janë trendet e këtij sezoni, çfarë duhet të keni patjetër në gardërobë dhe çfarë jo. Madje kanë disa këshilla mjaft të rëndësishme për të gjitha vajzat që janë të apasionuara pas modës.

 

Kujta & Meri-  Stilistë

kujta-meri

 

  1. Cilat janë tendencat kryesore të këtij sezoni?

Në Javën e Modës Milano, Paris , Londër dhe Neë York shfaqen stile të ndryshme nga stilistë që sjellin stil dhe jo modë apo tendencë, ndërsa kompanitë prodhuese në botë, që kanë të drejtën e prodhimit të linjave për t’i tregtuar ato, bëjnë përzgjedhjen nga të gjithë nga pak dhe i sjellin ato në treg. Ne si Kujta & Meri sjellim stil dhe gjëra të veçanta, unike. Asnjëherë s’e kam preferuar tregun apo modën në kalim. Por sidoqoftë nga nuhatja ime e hershme, po ju them mendimin tim me eksperiencën 30-vjeçare në “fashion”. Ngjyrat do të jenë të zbehta, gri, rozë, nude, blu (copa xhins elastik me transparencë), e kuqe etj., të gjitha në nuancën e lehtë, jo të fortë. Po ashtu, setra të gjata me ndriçim, në formë manteli, shkëlqyes, kristale apo copa me detaje që do ta bëjnë lehtë kombinimin për një darkë apo dalje natën. Ndërsa çantat do të jenë të gjera, të dyfishuara; jashtë do të kenë një tip kulete të ngjitur, praktike për telefon, syze etj. Ngjyrat e çantave dhe këpucëve do të jenë të  forta në krahasim me veshjet.

  1. Cili trend nuk duhet të mungojë në gardërobën tuaj?

-Në gardërobën time nuk mungon stili i veshjes, trendin s’e ndjek asnjëherë, jam fokusuar në krijimin e stilit. Stili sjell trend!

  1. Një trend që ka qenë sezonin e kaluar dhe ka dalë automatikisht nga moda…

-Çdo gjë që është trendi bëhet monoton me shpejtësi, sidomos në vendet e varfra, që bazohen në trend. Dhe gjëja që të bën të qeshësh është kur bluzat trendi, që kushtojnë nga 10-20 euro, stilistët u kanë zgjatur pjesët e poshtme dhe i kanë nxjerrë në koleksione “haute couture”. Kjo është e bezdisshme, sidomos për mua, që e njoh mirë  këtë fushë.

  1. Këshilla juaj për adhurueset e modës në këtë sezon?

-Duke marrë parasysh se 70% e popullsisë shqiptare jeton nën mesatare dhe pothuajse varfëri, unë do t’u kisha thënë t’i heqin komplekset, të ndjekin trendin, çdo njeri ka pamje të ndryshme nga tjetri, karaktere të ndryshme dhe personalitete të ndryshme. T’i japin vetes mundësi të zgjedhin gjëra jetëgjatë, pra të kombinohen me pak të holla, sot ka mjaft mundësi. Gjërat e veçanta gjithmonë janë të kushtueshme dhe populli ynë s’ka buxhet që të ketë stilist personal. Për raste të veçanta bëhet përjashtim, por në përditshmëri ka zgjidhje të mjaftueshme për të qenë këndshëm në rrugë.

Anjeza Tufina – blogere

anjeza-tufina

 

  1. Cilat janë tendencat kryesore të këtij sezoni?

Si çdo vit, kemi shumë tendenca nga të cilat mund të zgjedhim duke iu përshtatur stilit tonë. Ato që mua më pëlqejnë më shumë dhe të cilat kam vendosur të ndjek janë: velvet, që në shqip do përkthehej kadife por nuk është tamam ai material i trashë që na sjell ndër mend vitet ‘70. Është një interpretim më i lehtë i kadifes, i sjellë me ngjyra si roza, bluja dhe jeshilja. Është propozuar akoma më femëror si material sepse do ta shohim në fustane por edhe këpucë. Këtë vjeshtë/dimër ngjyrën e zezë duhet ta harrojmë dhe për këtë arsye duhet të shtojmë në gardërobë një xhaketë ose peliçe me ngjyra dhe motive. Një tjetër trend është veshja e fustaneve me rripa mbi golfe. Në këtë mënyrë mund të stilojmë dhe fustanet e pranverë-verës për t’i veshur në muajt më të ftohtë. Fundet janë në modë me pala si fizarmonikë, kurse palltot e gjata me prerje dhe ngjyrë ushtarake. Për në darkë bëhuni gati të shkëlqeni sepse edhe këtë sezon vijnë materialet me xixa dhe ngjyrat metalike.

  1. Cili trend nuk duhet të mungojë në gardërobën tuaj?

-Për këtë sezon jam përgatitur duke blerë fundet me pala dhe një fustan velvet. E di qe kam në gardërobë një pallto prej “gjenerali ushtrie” dhe gjithashtu duhet të kem diçka me material shkëlqyes prej disa viteve më përpara. E vetmja gjë që më mungon është një golf i zi. Sa herë që shohim trendet duhet të kontrollojmë mirë nëse diçka e kemi, por e kemi harruar në fund të dollapit, aty ku veshjet që kanë qenë trend vite përpara presin të dalin përsëri një xhiro me ne.

  1. Një trend i cili ka qenë sezonin e kaluar dhe ka dalë automatikisht nga moda…

-Për këtë vjeshtë/dimër kanë ndryshuar gjatësitë e fundeve, fustaneve dhe palltove. Këtë vit gjithçka vjen e gjatë poshtë pulpës.

  1. Këshilla juaj për adhurueset e modës në këtë sezon? 

-Këshilla për të gjithë është të vazhdojnë të kërkojnë të krijojnë një stil personal. Ndjekja e trendeve të modës të cilat na ofrohen çdo 6 muaj është pjesa eksperimentuese. Nga këto eksperimente të shumta misioni duhet të mbetet gjetja e atyre prerjeve të veshjeve dhe ngjyrave që përshtaten më shumë me stilin personal dhe afatgjatë që duam të krijojmë. Të gjeturit e stilit tonë është si të gjeturit se çfarë ushqimi na pëlqen. Duhet të provojmë shumë gjëra, ndonjëherë dhe të rrezikojmë, por në fund duhet të kemi idetë e qarta se çfarë na shkon.

 

Miranda Dupi – kuruese imazhi

miranda-dupi

  1. Cilat janë tendencat kryesore të këtij sezoni?

Në trendet e këtij sezoni shumë të preferuara janë copat: militarët (ushtarake), veluri, animal print, metaliket likuid, që është një copë që përdoret në lëkura, në xhaketa, në kapardina të gjata dhe në fustanet me pala korrenti, siç themi ne shqiptarët. Gjithashtu copat duhet të jenë në ngjyrat gold, gold blu dhe silver.  Ngjyra lejla është shumë në modë këtë vjeshtë. Palltot me lule të Channel dhe palltot me shkëlqim, fjongo, jaka të qëndisura të D&G . Janë në modë xhaketat bomber prej sateni ose tip aviatorësh, në ngjyrë jeshile ushtarake, kuadratet si në këmisha, ashtu edhe në pelerina. Gjithmonë të kombinuara. Lëkurat duhet të jenë oversize boyfriend. Domethënë t’ia marrim xhaketën e lëkurës vjehrrit ose burrit dhe ta kombinojmë. Pulovrat e punuara, të ndërthurura dhe me njërin sup jashtë janë ndër trendet kryesore. Gjatë kësaj vjeshte trend janë edhe fustanet që vishen me bluzë ose golf poshtë.

  1. Cili trend nuk duhet të mungojë në gardërobën tuaj?

-Në gardërobën time nuk mungojnë veshjet me shkëlqim, sidomos silver, pasi janë të preferuarat në këto momente.

  1. Një trend që ka qenë sezonin e kaluar dhe ka dalë automatikisht nga moda…

-Trendi që duhet të hiqni nga përdorimi këtë sezon: këpucët me dekolte të kuqe me takë, kombinimi i bizhuve si set, për shembull varëse njëlloj me vathë apo byzylyk. Zhdukni menjëherë xhinset si streçe dhe minifundet tubino.

  1. Këshilla juaj për adhurueset e modës në këtë sezon? 

-Të vishemi që të ndihemi mirë me veten dhe të mos veshim atë që vesh një artiste e hollë, e gjatë, sepse kurrë nuk mund të jemi të ngjashme me atë. Duhet të frymëzohemi gjithmonë sepse kjo na bën të jemi në modë dhe, për mendimin tim, “veshja është karakter”. Duhet të luajmë  me ngjyrat se na rregullojnë psikologjinë dhe na bëjnë të ndihemi me shumë stil./Blitz.al/

Komento