Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Studim: Alkooli mund të shkaktojë 7 lloje kanceri

Studim: Alkooli mund të shkaktojë 7 lloje kanceri
July 25
20:53 2016

Jo një, as dy… por plot 7 janë llojet e kancerit që mund të provokohen në trupin tonë nga konsumimi i alkoolit.

Orofaringu, laringu, ezofagu, mëlçia, zorra e trashë, rektumi dhe gjinjtë janë zonat më të rrezikuara.

Këtë lajm e japin studiuesit e “Society for the Study of Addiction”, të cilët kanë publikuar studimin e titulluar “Alcohol consumption as a cause of cancer” (Konsumimi i alkoolit si shkaktar i kancerit), i cili vë përballë të dhënat e marra nga hulumtimet e ndryshme të bëra në vitet e fundit.

Sipas studiuesve, ekziston një lidhje mes alkoolit dhe zhvillimit të këtyre 7 llojeve të kancerit, që do të thotë se ekzistojnë prova në mbështetje të një shkaku të drejtpërdrejtë të sëmundjes nga konsumimi i pijeve alkoolike.

Nuk është ende e qartë se përse alkooli është përgjegjës për zhvillimin e sëmundjes, ama ajo që dihet me siguri është numri i të vdekurve që lidhen me to: 5,8% e të vdekurve nga kanceri në mbarë botën lidhen me abuzimin e alkoolit.

Shpresohet që në të ardhmen të kryen studime që të japin konkretisht informacionet se cila është doza që konsiderohet e rrezikshme./Blitz.al/

Komento
Etiketimet
Shperndaje